Shkatërohet organizata kriminale që dergonte emigrantë nga Greqia në BE/ Ja çmimet për zonën e Korçës për kalim kufiri tokësor,ajror dhe detar…

Policia greke ka shkatërruar një organizatë kriminale që kalonte në mënyrë të paligjshme emigrantë nga Greqia drejtë vendeve të Bashkimit Europian kundrejt përfitimit të parave. Sipas policisë greke, deri tani janë arrestuar 15 persona, mes tyre shtetas irakianë, bangladeshas, sirianë dhe 3 shtetas shqiptarë, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 5 persona të tjerë, mes tyre edhe 2 shtetas shqiptarë, shoferë të një linje autobusësh që lidh Greqinë me Shqipërinë.


Sipas policisë, skema e krijuar u mundësonte emigrantëve të paligjshëm kalimin përmes Greqisë drejt vendeve të tjera europiane duke u siguruar atyre dokumente false kundrejt një pagesë që varionte nga 600 deri në 10 mijë euro. Anëtarët e grupit përdornin aplikacione në rrjetet sociale për të komunikuar me njëri tjetrin me gjuhë të koduar në mënyrë që të shmangnin zbulimin e skemës. Transporti bëhej përmes tre formave të ndryshme atë ajror, detar dhe tokësor përmes një rruge që kalonte nga Shqipëria në drejt vendeve të tjera europiane.

Konkretisht përmes ajrit ata udhëtonin nga aeroporti i Athinës duke dorëzuar dokumentet e falsifikuara. Çmimi i udhëtimit me avion varionte nga 4500 deri në 10 mijë euro. Në rrugë detare, anëtarët e grupit, zgjidhnin udhëtimin me traget nga Greqia në Itali, duke u siguruar që personat që transportoheshin ilegalisht futeshin në kontejnerë ose kamionë, kundrejt pagesës nga 600 deri në 3000 euro. Ndërsa në rrugë tokësore, përmes Shqipërisë, transporti bëhet me makina, taksi ose autobus, ndërsa pikat kufitare kaloheshin në këmbë me qëllim shmangien e kontrolleve. Ata u kërkon të huajve të dërgonin fotografi në momentin kur arrinin në destinacion në mënyrë që të “reklamonin” punën e tyre për të gjetur “udhëtarët” e radhës. Shumë konsiderohej e madhe, por trafikantët deklaruan përpara hetuesve se një pjesë e madhe e parave iu jepej policëve shqiptarë në zonën e Korçës, që të siguronin kalimin të qetë të autobusit me të cilin transportoheshin prej dy shoferëve të linjës Tiranë-Korcë-Athinë.


Prej kohësh autoritet greke kanë vënë nën monitorim zonën kufitare mes dy vendeve më Kakavijë, pasi ky aks përdorej prej trafikantëve, por prania e kontrollorëve të frontex në këtë doganë dhe kontrollet e shpeshta të autobusëve dhe taksive i kanë detyruar trafikantët të përdorin doganën e Kapshticës, një pikë kufitare e lakuar shpesh për korrupsion të lartë në radhët e policisë dhe doganës shqiptare. Ndërkohë autoritet greke deklaruan se operacioni për gjetjen dhe shkatërrimin e kësaj organizate do të vazhdohet edhe gjatë ditëve në vazhdim. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia në 12 shtëpi dhe 6 dyqane janë konfiskuar 1613 pasaporta dhe ID të personave që transportoheshin ilegalisht, një shumë parash prej 13 605 eurosh, 42 telefona celularë, makina etj.Policia bastisi edhe dy apartamente në qendër të Athinës ku ishin vendosur dy laboratorë, me pajisjet e nevojshme për përgatitjen e dokumenteve të falsifikuara.