Zëri i Amerikës: “Pas vendimit të DASH, Berisha nuk do jetë pjesë e grupit parlamentar të PD”

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Këtë e bëri të ditur sonte, kryetari demokrat Lulzim Basha, në një deklaratë publike, duke shjeguar se vendimi vjen pasi Departamenti amerikan i shtetit i ka ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e SHteteve të Bashkuara.


“Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës”.

Zoti Basha i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së tij vlerësimit të figurës së zotit Berisha. “Ky vendim i sotëm nuk cenon aspak kontributin dhe arritjet e zotit Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike”, u shpreh kryetari demokrat duke shtuar se “ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë”

Sipas zotit Basha, vendimi për të lënë jashtë grupit parlamentar demokrat zotin Berisha lishet pikërisht me këtë interes. “Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona. Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi zoti Basha.

Disa javë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi publikisht, pas një takimi me zotin Basha, distancimin e partisë Demokratike nga zoti Berisha, duke bërë të ditur se priste një reflektim për çështjen para nisjes së sesionit parlamentar. Nga ana e tij ish kryeministri Berisha reagoi ashpër, duke deklaruar se ai nuk do të heqë dorë nga mandati i tij dhe se PD duhet të kërkonte prova e fakte./VOA/