Bashkëshorti vrasës i Sabrinës qan në gjykatë: “E doja por vjehrri më kërcënoi me jetë…”

Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Elton Metajn, 31-vjeçarin që vrau disa ditë më parë ish-bashkëshorten 23-vjeçare Sabrina Bengaj. Metaj ekzekutoi ma kallashnikov ish-gruan në banesën e kësaj të fundit në Zhupan të Fierit, mbrëmjen e së premtes. Ai shkoi në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe e qëlloi për vdekje, ndërkohë që kjo e fundit po konsumonte darkën.

Përveçse e ka pranuar krimin, Elton Meta thotë se nuk donte që ta vriste por ndihej i kërcënuar. Sipas tij, vjehrri pra babai i Sabrina Metajt, e ka kërcënuar që t’i qëndrojë larg vajzës.


“Nuk doja ta vrisja por ndihesha i kërcënuar. Unë e doja dhe nuk doja që të ndërhynin familjarët në marrëdhënien tonë. Doja ta zgjidhnim vetë, unë e ajo, por vjehrri me kërcënoi t’i qëndroja larg vajzës. Armën e bleva” mësohet se ka thënë Elton Metaj brenda gjykatës.

Pas vrasjes së Sabrinës vetëm 23 vjeç nënë e një fëmije, prindërit e saj akuzuan gjykatësin, mjekët por edhe autoritetet të cilat sipas tyre e nxorën para kohe nga burgu ish bashkëshortin e dhunshëm. Pas ngjarjes inspektorati i lartë i drejtësisë nisi edhe një kontroll të dosjes. 31 vjeçari, banues në Peshtan ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.