E bujshme,UEFA ndryshon “dënimin e Skënderbeut! Rregullorja e lejon që pasi të kesh shlyer gjysmën e dënimit të kërkosh një reduktim të masës së dhënë….

Dritë në fund të tunelit për Skënderbeun… Nëse mund të thuhet kështu kur të kanë mbetur edhe 5 vite për të shlyer nga dënimi më i rëndë që ka dhënë UEFA në historinë e saj për një klub… Ngadalë, e dimë se për shumëkënd që e ka ndjekur çështjen e klubit korçar mund të pyesë menjëherë: kur i shleu Skënderbeu 5 pjesëmarrje në kompeticionet europiane? Ky klub ishte dënuar me 10 pjesëmarrje apo 10 vite në total? Janë pyetje te drejta, të cilave me shumë kujdes po ju japim një përgjigje. Le t’i marrim gjërat me radhë…


FORMA E DËNIMIT…

Klubi i Skënderbeut u dënua në korrik të vitit 2016 me mospjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, duke u cilësuar i papërshtatshëm deri në mbylljen e hetimeve të ngritura nga UEFA.

Më pas, në mars të vitit 2018, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të dënojë klubin me 10 kualifikime në Kupat e Europës, si dhe 1 milionë euro gjobë për trukim të ndeshjeve.

Dënimi fillestar i Skënderbeut ishte me 10 kualifikime në kompeticionet europiane dhe 1 milionë euro gjobë, një vendim që u la në fuqi nga KAS-i më 12 korrik 2019. Këtu është kleçka…

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se nga “10 vite për çdo kualifikim në Europë”, dënimi i UEFA-s është ndryshuar në “10 vite”.

Ka diferencë të madhe. Po, sepse 10 mospjesëmarrje në kompeticionet europiane do të thotë që Skënderbeu duhet patjetër të sigurojë një vend në kupat e Europës çdo vit që t’i njihet më pas shlyerja e dënimit. Praktikisht një dënim me vdekje për çdo klub. Ndërsa “thjesht” 10 vite dënim mjaftojnë që të kalojnë si kohë, pra jo detyrimisht duhet që Skënderbeu të sigurojë një vend në kupat europiane në fund të sezonit.

KONFIRMIMI – “Panorama Sport” prej kohësh ishte në dijeni të faktit që zyrtarë të Skënderbeut po lobonin në instanca të ndryshme të UEFA-s për një reduktim të dënimit. Fillimisht u fol se kjo mund të diskutohej edhe në kongresin e UEFA-s që u mbajt në mars.


Nuk dihet me saktësi se çfarë iu është dashur të bëjnë drejtuesit e klubit të Skënderbeut, por diçka ka ndryshuar. Madje është shpresëdhënëse. Nga 10 kualifikime në Europë, dënimi është konvertuar thjesht në 10 vite.

Gazeta mëson ekskluzivisht se drejtuesit e klubit të Skënderbeut pak kohë më parë i kanë kërkuar UEFA-s në rrugë zyrtare edhe sa vite dënim u ka mbetur për të shlyer.

Përgjigja ka qenë: 5 VITE. Nëse vendimi do të kishte mbetur siç ishte në fillim, Skënderbeut do t’i duheshin edhe 7 vite sepse deri tani ka shlyer vetëm 3 (nëse llogarisim pjesëmarrjet që ka siguruar në Europë pas dënimit)


SURPRIZAT NUK KANË FUND…

Me të drejtë shumë tifozë korçarë dhe jo vetëm, pasi të lexojnë këto rreshta mund të thonë: pse 5 vite pak janë..? Janë shumë për hir të së vërtetës edhe pse dënimi është zbutur.

Por ka shumë të ngjarë që të ketë surpriza të tjera. Pse? Sepse rregulloret e UEFA-s të lejojnë që pasi të kesh shlyer gjysmën e dënimit të kërkosh një reduktim të masës së dhënë. Pak a shumë njësoj si rregullorja e FSHF-së (e kopjuar nga UEFA), e cila të lejon që pasi ke shlyer gjysmën e dënimit të bësh kërkesë për ta konvertuar në gjobë dënimin e mbetur ose të reduktohet në gjysmën e asaj që ka mbetur (në këtë rast 2 ose tri vite).

“Panorama Sport” u përpoq të mësojë diçka më shumë rreth kësaj çështjeje dhe pyeti drejtuesit e Skënderbeut, por ata nuk preferuan të prononcohen rreth zhvillimeve të fundit. Tani mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës e tyre për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare./PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: