Ervin Salianji nga Korça: “Të jemi më pranë qytetarëve dhe t’i shkurtojmë ditët këtij regjimi”

Partia Demokratike e degës së Korçës ka zhvilluar një mbledhje ku është diskutuar aksioni politik i kësaj force politike me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Deputeti i PD, Ervin Salianji në një deklaratë për mediat tha se mbledhja ishte për të intensifikuar edhe më shumë takimet me qytetarët, për të bërë të mundur më tepër praninë e deputetëve por edhe strukturave të PD pranë qytetarëve.
Po ashtu, deputeti demokrat u shpreh se do të denoncohet çdo lloj abuzimi nga pushteti. Sipas Salianjit është detyrë e Partisë Demokratike për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të shkurtuar sa më parë ditët e këtij regjimi.


Salianji :“Mbledhja ishte për të intensifikuar edhe më shumë takimet me qytetarët, për të bërë të mundur më tepër praninë e deputetëve por edhe strukturave të PD pranë qytetarëve, për të ngritur sa më shumë problematikat masive të shprehura nga qytetarët gjatë fushatës dhe pas saj, për të qene sa më pranë tyre si partia e vetme që ka interes primar, interesin publik dhe atë të qytetarëve”, është shprehur Salianji.

“Për të denoncuar çdo lloj abuzimi duke nisur nga Niko “tritoli” që si ministër i Bujqësisë helmoi qytetarët, si ministër i Mbrojtjes i shërben kompanive klienteliste për të vazhduar më tej me gjithë keq-qeverisjen dhe gjithë abuzimet që kanë shkaktuar varfëri, braktisje të vendit nga ana e të rinjve dhe mungesë të shpresës. Është detyrë thelbësorë e PD dhe ekipit të saj për të qenë më pranë tyre dhe për të bërë të mundur që luftën me regjimin dhe shkurtimin e tij ta bëjmë të mundur 1 orë e më parë duke qenë më shumë pranë qytetarëve”, u shpreh Ervin Salianji.