Tokat me “7501”, 3 dokumentet që duhen për të marrë tapinë! Ja lehtësirat që parashikon ligji i ri

Familjet që janë të pajisura me Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim (AMTP) për tokën bujqësore të ndarë me ligjin 7501, duhet që për të marrë tapinë të dorëzojnë veç kopjes së AMTPsë edhe certifikatë familjare të datës 1.8.1991 me ndryshimet e bëra në 1.10.1992 si edhe plan rilevimi për pasuritë sipas ngastrave të AMTP-së.

Agjencia Rajonale e Kadastrës Tirana Rurale ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se aplikimet për të përmbyllur procedurën e regjistrimit mund të bëhen online përmes portalit qeveritar e-albania.

KRITERET


Sipas të dhënave të bëra publike më herët nga Kadastra, pjesa më e madhe e familjeve që janë të pajisura me AMTP, nuk e kanë ende në duar tapinë apo dokumentin e pronësisë. Kjo, pasi nuk ka përfunduar praktika e regjistrimit. Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” përcakton qartë se regjistrimi i Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi do të bëhet vetëm nëse përmbushen 3 kritere. Kështu, duhet që përfituesi i AMTP-së të ketë qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të kooperativës apo ndërmarrjes bujqësore. Së dyti, përfituesi i AMTP ka marrë tokë në territorin e vetëm një kooperative ose ndërmarrje bujqësore dhe së fundmi toka, për të cilën është lëshuar AMTP-ja, nuk ka qenë “truall”, përveç rastit të truallit të banesës së ndërtuar para datës 10.08.1991, në pronësi të përfituesit të AMTP-së, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh”, ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit.

LEHTËSIRAT

Kujtojmë që me ndryshimet e bëra në ligj, qytetarët mund të përfitojnë tokë më tepër deri në 20 për qind të sipërfaqes, ndërsa me ligjin e mëparshëm nuk mund të përfitojë në asnjë rast më shumë se sipërfaqja e përcaktuar në AMTP. Kështu, nëse gjatë saktësimit dhe pozicionimit në hartën kadastrale, rezulton të ketë familje që kanë në përdorim sipërfaqe shtetërore shtesë, mbi atë të përcaktuar në AMTP, ata kanë të drejtë të kërkojnë kalimin e pronësisë për këto sipërfaqe, deri në 20 për qind të sasisë së sipërfaqes të AMTP-së.


Çmimi i kalimit të pronësisë për sipërfaqen shtesë është i përcaktuar në hartën e vlerës së pronës për tokën bujqësore. Por kjo nuk vlen për sipërfaqet e përfituara abuzivisht, të cilat do të kthehen. Kjo sipërfaqe do të përdoret më tej për kompensimin e pronarëve. Ligji parashikon po ashtu që në rastet kur prona është shitur, atëherë ajo familje do të duhet ta paguajë me çmimin e tregut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: