Komisioni i Venecias lë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit 2019

Komisioni i Venecias lë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe nuk e këshillon Gjykatën Kushtetuese t’i përsërisë ato. Gazetarja e ABC, Esiona Konomi ka lexuar draft-opinionin që Venecia i ka përgatitur Gjykatës Kushtetuese, dokument i cili zyrtarisht do të miratohet nesër nga vetë komisioni. Në të thuhet se bojkoti i partive (siç bëri PD në 2019) nuk është arsye që zgjedhjet të mos mbahen çdo 4 vjet siç është periodiciteti i tyre.


Mendimi Komisionit të Venecias ju kërkua nga Gjykata Kushtetuese pasi ajo po shqyrton një padi të shoqatave të bashkive të drejtuar nga Voltana Ademi. Padia kërkonte pavlefshmërësinë e zgjedhjeve, me argumentin se Presidenti i Republikës e anuloi dekretin për mbajtjen e tyre, në kushtet kur Opozita bojkotoi, dhe në gjysmën e bashkive nuk kishte garë. Venecia thekson se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshijnë shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore, por sipas saj kjo e nuk e pengon të ushtrojë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni thekson se parlamenti mund të bëjë një vlerësim bazuar në një bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhje dhe në mungesë të një bazë të tillë Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese.

Ajo e cilëson përgjegjësi të të gjithë partive politike për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet shqiptare dhe proceset e zgjedhore përmes dialogut të të gjitha forcave politike dhe si dhe mes institucioneve, siç është KQZ. Kjo siç thuhet në raport, nënkupton mundësinë e zgjedhjes për votuesit.