Feston sot 25-vjetorin /“Rexhepi mban në këmbë Skënderbeun: “Bëjmë kthesën në Laç”

Bekim Rexhepi është i bindur se nëse Skënderbeu vijon të luajë kështu, herët a vonë rezultatet do të vijnë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, gardiani bardhekuq thekson se faktorët e tjerë ndikuan në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, ndërsa në Laç do të përpiqen të bëjnë surprizën.

Rexhepi, Skënderbeut vijon t’i mungojë fitorja. Ju shqetëson ky fakt?


Normal na rëndon në çdo aspekt që nuk arritëm të marrim tri pikët, por nga ana tjetër ndaj një Dinamoje me një grup cilësor lojtarësh treguam se dimë të luajmë mirë dhe zhvilluam një ndeshje që nuk meritonte të kishte humbjen si rezultat final. Në një ndeshje të tillë, ku shumë faktorë shkuan kundër, edhe fati nuk ishte me ne. Prandaj, tani lind detyrimi që të reagojmë javën e ardhshme.

Ky Skënderbe, a ka ende mundësi të përmirësohet?

Skënderbeu në çdo ndeshje e ka për detyrë të jetë në 100% të mundësive të veta në fushën e lojës, pavarësisht rrethanave. Ne do të mundohemi çdo ndeshje për të dhënë maksimumin për më tepër tani që nuk kemi rezultatet tona të pritshme deri në këtë moment. Këtë e kemi thënë edhe në dhomat e zhveshjes. Duhet që të bëjmë më të mirën e mundshme për të përmbysur këtë nisje jo fort të mirë të sezonit.

A ndiheni në presion pas këtyre 6 javëve ku mbani vendin e fundit?

Jo, nuk ndihemi në presion dhe këtë e them me sinqeritet. Kampionati është ende shumë i gjatë dhe gjithçka mbetet në dorën tonë. Prandaj, jemi të bindur se fatet e sezonit i luajmë ne dhe mund të bëjmë më të mirën. Do të mundohemi të reagojmë nga ndeshja e radhës. E kemi thënë shpesh këtë, por njëfarë reagimi u ndie edhe ndaj Dinamos, pavarësisht se faktorët që ndikuan nuk na lanë të kompletonim arritjen tonë në masën 100%.


Tani luani në Laç, një “malore” e vështirë?

Çdo ndeshje që kemi përpara këtë sezon është e vështirë. Jo vetëm Laçi, edhe Dinamo ashtu ishte. Të gjitha ekipet janë të vështira. Ne duhet të japim maksimumin dhe me çdo kusht të fitojmë këtë javë për të mos rrezikuar distancimin nga të tjerët.

Skënderbeu nuk ka shënuar dot në javët e fundit. Çfarë po ndodh?

Golat jam i bindur që do të vijnë për sa kohë ne krijojmë lojë dhe volum rastesh. Çdo lojtar mund të ketë kriza dhe shterpësi, sidomos sulmuesit, por me ndihmën e ekipit gjithçka kalon./PanoramaSport/