“Kanë mbetur vetëm të moshuarit/ Fshati po shuhet”, banorët e Nartës rrëfejnë dramën e emigracionit që nuk ndalet

Lëvizjet masive të shqiptarëve që përsërisin vetveten, kanë mbjellë zbrazëtinë anë e mbanë vendit. Popullsia në qarqet kryesore është përgjysmuar gjatë viteve të fundit. Në qytete si Gjirokastra e Vlora, 60 për qind e banorëve tanimë figurojnë vetëm në regjistrat e gjendjes civile, pasi kush nuk ka gjetur mundësinë për t’u larguar në një tjetër shtet, ka provuar emigrimin e brendshëm. E ngjashme, sipas të dhënave të INSTAT, është situata edhe në qytete të tjera si Berati, Lezha, Fieri e Shkodra.


E megjithatë, periferia është ajo që ka marrë plagët më të mëdha prej emigrimit. Në shumicën e fshatrave shqiptarë, nuk ndihen më gumëzhitjet e fëmijëve. Hapat e të rinjve thyejnë heshtjen rrugicave veç gjatë vizitave në shtëpitë ku janë rritur, për t’u çmallur me prindër e gjyshër të moshuar, që kanë rënë pre e vetmisë. Sa më i largët fshati, aq më i braktisur e i mënjanuar mbetet nga zhvillimet urbane. Por, kurthi i zbrazjes, prek edhe të tjera zona afër qyteteve, siç është Narta, vetëm 5 km larg Vlorës.

Kështu, në muajin gusht, që siç thonë banorët fshati është më i gjallëruar, “Vetting” udhëtoi drejt tij. Rrugët janë të boshatisura, e shumica e dyerve të kyçura. Disa edhe të dëmtuara, jo vetëm nga mungesa e njerëzve, por edhe prej hajdutëve që i kanë sulmuar disa herë shtëpitë, e madje edhe vetë të moshuarit. Në qendër të Nartës, gjejmë vetëm dy zotërinj të moshuar, Vasilin dhe Kozmain, emigrantë në Greqi prej vitit 1991. Ata janë kthyer në vendlindje e dëshirojnë t’i kalojnë aty vitet e pleqërisë.

Narta, e konsideruar si “shtëpia e flamingove”, para ‘90-ës ka qenë pikë referimi për luginën, peshkun e freskët, burimet e naftës, ullinjtë e verën e rrallë. Ndërsa, në vitet e demokracisë, kur më në fund banorët e Nartës, luteshin e bënin kryqin pa u fshehur, jo vetëm që nuk i’u dha dorë këtij fshati, por u shkatërrua çdo bazë ekonomie.


Kushtet e vështira në Shqipëri e pasiguria kanë bërë që të moshuarit e Nartës, të pranojnë faktin se fëmijët e tyre nuk do të kthehen më për të jetuar në vendlindje. Edhe pse ekraneve të televizorit dëgjojnë histori të bashkëmoshatarëve me fëmijë në emigracion, që gjenden të ndarë nga jeta në shtëpitë e tyre, ata, me dhimbje janë pajtuar me vetminë e brengën e ditëve të fundit, pa të dashurit e zemrës pranë.

Sakrificat e punës në emigrim i kanë provuar në lëkurë, por siç thonë përpjekjet në vendin tonë bëhen më të mëdha, dhe përsëri shqiptarët dalin të lodhur e të humbur.Dashurinë për Nartën e kanë trashëguar edhe te fëmijët e tyre, të cilët nuk i reshtin investimet në shtëpizat e vjetra, pavarësisht se ato mbeten të kyçura. Ndërsa frika e të moshuarve është se do të jenë të fundit banorë e fshati mund të shuhet.(ABC News)