Eurostat: “51% e shqiptarëve janë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social, më e larta në Europë”

Në vitin 2019, gati 51% e shqiptarëve (50.8%) ishin në rrezik varfërie, ose përjashtimi social, një përqindje që është më e larta në Europë. Të dhënat janë publikuar nga instituti europian i statistikave, Eurostat. Shteti i dytë në renditje pas Shqipërisë është Mali i Zi, me 36.6%, (ose 14.4 pikë përqindje më pak se Shqipëria).


Maqedonia e Veriut renditjet e katërta me 34.2%, dhe Serbia me 31.1%. (të dhënat për Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën mungojnë). Eurostat raporton se faktorët që ndikojnë varfërinë ose përjashtimin social ndikohen nga tregues të tillë si intensiteti në punë, niveli i edukimit, lloji i familjarit (sa fëmijë ka në varësi), kushtet e jetesës dhe migracionit.

Përqindja e shqiptarëve që ishin në rrezik varfërie, ose përjashtimi social në 2019-n ishte mëse dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian (BE) prej 21.1%. Këtë tregues, më të ulëtin në Europë e kanë Sllovenia dhe Çekia, me përkatësisht 13.7 dhe 12.1%. Sipas grupmoshave, në rrezik varfërie dhe përjashtimi social janë 53.9% e fëmijëve nën 18 vjeç, sërish më e larta në Europë. I dyti pas nesh është Mali i Zi me 43.9%, ndërsa mesatarja e BE-së është 22.8%.

Përqindja e varfërisë dhe përjashtimit social ulet lehtë për grupmoshën 18-64 vjeç, në 49% (nga 21.1% që është mesatarja e BE-së dhe 35% e dyta pas Shqipërisë që është sërish Mali i Zi.
Për grupmoshat mbi 65 vjeç treguesi rritet sërish për Shqipërinë, në 54%, nga 19.4% që është mesatarja europiane dhe 47% i dyti pas nesh, që është Bullgaria.

Të dhënat për Europën në 2020-n


Për shtetet e Bashkimit Europian, të dhënat janë publikuar edhe për vitin 2020. Për mesataren e BE, në vitin pandemik, përqindja e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social është rritur në 21.9%, nga 21.1% që ishte në 2019-n. Faktorët që ndikojnë në rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social në BE në vitin 2020 përfshinin:

– intensiteti i punës: 71.9% e popullsisë së moshës më pak se 60 vjeç që jeton në familje me intensitet shumë të ulët të punës, me fëmijë në ngarkim, ishin në rrezik të varfërisë;
– niveli i arsimimit: 50,5% e fëmijëve, niveli i arsimimit të prindërve të të cilëve ishte i ulët, ishin në rrezik të varfërisë, krahasuar me 7,7% të fëmijëve, niveli i arsimimit të prindërve të të cilëve ishte i lartë;
– lloji i familjes: familjet e përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në ngarkim (42.1%), familjet me një person (33.2%) dhe familjet e përbëra nga dy të rritur me tre ose më shumë fëmijë në ngarkim (29.6 %) kishin rrezikun më të lartë të varfërisë ose perjashtim social;
– prejardhje migrante: fëmijët me të paktën një prind me prejardhje migrante ishin në rrezik më të madh të varfërisë sesa fëmijët prindërit e të cilëve ishin të dy të lindur në vend (32.9% krahasuar me 15.3%);
– Kushtet e jetesës: 14.1% e familjeve të përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në ngarkim ishin të privuar rëndë materialisht dhe socialisht krahasuar me 7.5% të të gjitha familjeve me fëmijë në ngarkim./Monitor