Banka e Shqipërisë paralajmëron: “Çmimet do të vijojnë të rriten”

Shqiptarët do vijojnë të paguajnë edhe më shtrenjtë për energjinë elektrike, naftën dhe produkteve ushqimore, së paku deri në mesin e vitit të ardhshëm, ndonëse rreziku që efektet të zgjaten edhe më tej nuk përjashtohet.Është ky parashikimi që Banka e Shqipërisë bën teksa vlerëson të mbajte të pandryshuar politikën monetare si dhe normën bazë të interesit në 0.5 për qind.


“Çmimet e naftës, energjisë dhe produktet ushqimore pritet te stabilizohen dhe me pas reduktohen gjatë vitit 2022, gjë që do te zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit ne vend”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Për Bankën e Shqipërisë, rimëkëmbja ekonomike nuk po shoqërohet me efekte të ndjeshme në uljen e normës së papunësisë, tregues i cili mbetet larg niveleve të para pandemisë.

Banka Qendrore raporton se inflacioni, ndonëse në nivele jo shqetësuese, pësoi rritje në 3-mujorin e shkuar duke qëndruar mesatarisht në nivelin e 2.4 për qind.

Vuçiç publikon fotot nga darka me Ramën: “Miqësia jonë për të ardhmen e rajonit”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet ditën e sotme në kryeqytetin serb, Beograd ku të enjten do të mbahet takimi i radhës i nismës Ballkani i Hapur. Duket se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nga ana e tij ka organizuar një mikpritje të ngrohtë për Ramën, teksa ka organizuar një darkë ku ka qenë edhe Rama i pranishëm. Së bashku me të në darkë janë të pranishëm edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç. Fotoja është bërë publike në rrjetin social Instagram, ku presidenti Vuçiç shkruan me krenari për verën që u ka ofruar miqve nga Ballkani.

Vuçiç: Një mbrëmje e mrekullueshme në restorant “Salon 1905” me miq nga rajoni, Edi Rama, Zdravko Krivokapic dhe Nikola Dimitrov. Unë dhe Ana Brnabić u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t’i krahasonim me verërat shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit.


Monitoronte aktivitetin/ Kapet “mat” 41vjeçari shqiptar i rrjetit të prostitucionit në Itali

Një 41-vjeçar shqiptar në Itali u arrestua pasi dyshohet se është i përfshirë në një skemë prostitucioni. Teksa policia ka shtuar kontrollet në zonën e Bolsanos, ku dyshohet se ushtrohet ky aktivitet kriminal, aty ka evidentuar shqiptarin i cili qarkullonte në të gjithë zonën.41-vjeçari dyshohet se ishte roja që spiunonte mbarëvajtjen e aktivitetit si dhe bënte transportin e vajzave që dyshohet se ishin pjesë e këtij rrjeti. Gjatë kontrollit policia i gjeti 7000 euro cash që dyshohet vijnë nga aktiviteti kriminal. Në fund policia sekuestroi paratë e gjetura si dhe makinën që përdorte shqiptari.


Kriza e shkollës dhe e paedukatës gjëmë e madhe për shoqërinë shqiptare

Aleksandër Çipa

Fundjavën e saposhkuar u ndodha në gjashtë qytetet jugore të vendit: Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet. Nuk ka nevojë të them sa bukur u ndieva dhe sa më shumë i shijova. Mendoj se romantizmi prej peizazhit, (atij të natyrës dhe kryesisht veçanësive urbane) është i nënkuptueshëm. Por dua të mbetem tek dy episode që rrëfejnë jo vetëm mjaftueshmërinë për ulërimë dhe alarm së bashku, por tmerrin e një të ardhmeje të afërt, pa perspektivë në fushën e edukimit dhe të funksionimit të shkollës dhe edukimit aktual të brezit të ri.
Në Sarandë, apartamenti im modest gjendet në një pallat me mbi 45 familje. Ndërsa po hyja në hyrjen e pallatit, një grup fëmijësh më dhanë kënaqësinë e prindit. Loznin në mënyrën e tyre. Por papritur, ndala hapin sepse një grumbull bidonash të vegjël plastikë, të shtypur, ishin shpërndarë së bashku me një grumbull plehrash shtëpiakësh.


Ndalem dhe u them: Të gjithë ne këtu dhe këto plehra në këmbët tona?! Ne duhet t’i heqim së bashku. Askush nuk përgjigjet nga fëmijët. Ndiqnin lojën në telefon prej më të voglit ndër ta. Mes tyre edhe një vajzë minorene. U drejtohem sërish:-Ne duhet t’i heqim sa më parë këto mbeturina! Askush nuk lëviz. I drejtohem me ton djalit që vijonte pa prishur terezinë në telefon. -Mbylle telefonin dhe bëhu pjesë e këtij shërbimi për pastërtinë! I imponuar më përgjigjet:-Le të vijë t’i heqë ai që i gjuajti me shkelm se e ka babain dhe me makinë të fundit!

Më kot u përpoqa t’i vija në përgjegjësi dhe duke dhënë shembullin tim, t’i prekja në sedër dhe të hiqnim së bashku mbeturinat nga hyrja e pallatit. Fëmijët ishin të patundur nga vendosmëria e tyre për t’i lënë të paprekura ato mbeturina të flakura e shpërndara në mjedisin hyrës të pallatit, prej shkelqimimit të vërsnikut të tyre të pasur në pallatin fqinj. Dikush nga banorët e rritur kalimtar u thotë: Dëgjojeni zotërinë se është i medias! Askush nuk lëvizi. I mblodha vetë dhe i hoqa. Tek grupi prej shtatë fëmijësh të moshës nga 7 deri në 11 vjeçarë, pashë të plotë solidaritetin e paedukatës fëminore.(!)

Ishin të së njëjtës shkollë në qytet. Padëgjueshmëria e tyre më trishtoi, por bashkëndenjia e tyre me mbeturinat aq pranë, më helmoi si prind dhe banor i përkohshëm i pallatit të përbashkët.


Episodi i dytë më ndodhi në Gjirokastër. Ndërsa po kaloja orët e bukura me miqtë e mi në qytetin ku jam rritur, në një moment pyes zonjën e shokut tim të afërt:
. Si është gjendja e arsimit në qytet?!
-Mos më pyet, ishte përgjigjia e menjëhershme. Pedagogjikja jote, është sa për sy e faqe si godinë. I ka humbur degët me të cilat krenohej; mësuesinë dhe gjuhët e huaja. Nuk ka më nxënës. Dhe kur nuk ka nxënës në Pedagogjike, nuk ka as mësuesi në Universitetin “Eqrem Çabej”. Për pak vite në qark do kemi krizë të madhe për mësues. Po humbasin mësuesit e ciklit të ulët, 9-vjeçares dhe sidomos edhe ata të lëndëve shkencore dhe gjuhës dhe letërsisë shqipe nëpër gjimnaze. Kjo është krizë kombëtare, por në qytetin e traditës së madhe të arsimit kombëtar, kjo është krizë që meriton kuje: Sepse nuk do kemi shkolla shqipe në shumicën e jugut!
Ky episod nuk është shqetësim kalimtar për një pakujdesi administrative në fushën e arsimit. Kjo nuk është çështje për një shkollë apo për një cikël arsimor.
Kjo është krizë e madhe kombëtare me risk të rëndë e alarmant për ardhmërinë e arsimit shqiptar, e shkollës kombëtare. Kjo kuje bie mbi godinat e reja, mbi mjediset dhe komplekset e rregulluara dhe investuara aq mrekullisht. Por kjo kuje dhe ky alarm, lidhet me paradoksin tonë: Kur kemi nxënës e mësues me shumicë, nuk kemi shkolla e godina në gjendje. Tani që i kemi ato, na kanë ikur nxënësit dhe po na humbasin mësuesit.(!!)
Ky episod të cilin e ndesha në qytetin tim Gjirokastër, si realitet i tillë alarmant është për të gjitha zonat e thella dhe bashkitë e vogla të vendit nga jugu në veri. Si i tillë, duhet të bëhet urgjentisht çështje në Parlament. Nuk është fjala për një interpelancë, por për një projekt të ri, program emergjence dhe strategji ndërhyrjeje.
Shqipëria ka nevojë për një strategji të re me vlerë ndërhyrëse për të sotmen, të nesërmen dhe pasnesërmen e shkollës sonë dhe arsimimit. Këtë politika imponueshëm duhet ta rikonceptojë dhe ndërtojë urgjentisht për shpëtimin e arsimit, dijes dhe mësimdhënies kombëtare. Ky alarm nuk ka nevojë vetëm të dëgjohet, por mbi këtë gjëmë duhet të ndërhyret një orë e më parë(!).

Me “Air Albania”,Edi Rama mbërrin në Beograd

Rrugët e Beogradit duket se janë mbushur me flamuj shqiptarë. Në pamjet duket se në shtylla janë varur flamuj shqiptarë në kuadër të “Open Balkan” që do të mbledhë ditën e nesërme 3 nga 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Beograd. Përveç flamujve shqiptarë, duken se valëviten dhe flamuj të Maqedonisë së Veriut e të Serbisë. Ky samit ndryshe nga ata të shkuarit, nuk do ta gjejë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në krah të homologut shqiptar Edi Rama dhe presidentit Serb Alexandar Vuçiç. Vendin e Zoran Zaev të dorëhequr disa ditë më parë do ta zërë zv.kryeministri Nikolla Dimitrov . Sikurse edhe në takimet e shkuara të këtij formati, Vuçiç, Rama dhe Dimitror në ditën e parë të samitit do të zhvillojnë një ecje në qendër të Beogradit. Dita e dytë e takimit do të nisë me një takim me përfaqësuesit e biznesit e më pas me ata të Këshillit Atlantik për t’ja lënë vënë vendit takimit trepalësh.


E rëndë/ Covid i merr jetën 16-vjeçares

Një 16-vjeçare nga Tetova ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup si pasojë e komplikimeve nga Covid-19, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni. Vajza ishte transferuar në Klinikën e Shkupit nga Spitali i Tetovës, ku kishte qëndruar nga data 21.10.2021 deri me datë 23.10.2021. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se 16-vjeçarja nga fshati Siriniç i Tetovës nuk ka qenë e vaksinuar, ndërkaq 9 ditë para pranimit në Spitalin e Tetovës, është mjekuar në kushte shtëpiake.

Sipas raportit bëhet fjalë për rast të rëndë, varësi nga terapia me oksigjen me pneumoni të rëndë nga Covid-19. Gjatë analizave pas hospitalizimit është diagnostikuar me tromboemboli”, theksojnë mes tjerash nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë ditës së djeshme i janë keqësuar parametrat vitale, pas çka ka ardhur deri tek dobësimi i zemrës dhe mushkërive” deklaron Ministria e Shëndetësisë.


Kupa e Republikës/ Skenderbeu bën paqe në Ballsh,Dinamo fiton derbin e parë me Tiranën

Bylis dhe Skënderbeu kanë barazuar 1-1 në Ballsh mes polemikave. Golit të Hadrojt në startin e sfidës iu përgjigj Moraesh pak minuta para fundit, por ajo që acaroi ballshiotët ishte një episod në fund të sfidës ku pretendonin për penallti në favor të Qardakut, me presidentin Kapllanaj i cili ka hyrë në fushë për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj gjyqtarit.


Ndersa Tirana ka pësuar humbjen e parë sezonale në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Pas 7 ndeshjeve në kampionat dhe 2 në turin e parë të kupës, bardheblutë mposhten. Është Dinamo që e mund 2-0 në derbin e parë dhe Blutë kanë shansin të avancojnë. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë. Në 25’ ka penallti për Dinamon. Behiratçe nuk ndal dot Skukën dhe Bekaj del për të ndalur sulmuesin duke gjetur këmbët e sulmuesit. Gjuan Ibraimi nga pika e bardhë dhe nuk gabon, 1-0 për Dinamon. Në 39’ vjen supergoli i Skukës.

REZULTATET

BYLIS 1-1 SKËNDERBEU

Hadroj 1′ / Moraesh 84′

DINAMO-TIRANA 2-0
26′ (p) Ibraimi, 38′ Skuka

KORABI 0-1 TEUTA

L. Vila 43′


BESËLIDHJA 0-1 PARTIZANI

S. Zhunior 8′ (p)

POGRADECI 0-2 VLLAZNIA

Hoxhaj 2’, Mustedanagiç 73′

EGNATIA 3-1 KUKËSI

Imeri 3′, Pedro Kabral 37′, 65′ / Puntus 67′

FLAMURTARI 0-0 KASTRIOTI

TOMORI 0-1 LAÇI

Ademi 32′

Filmuan kampin ushtarak/ Greqia arreston për spiunazh dy shqiptarë

Dy shqiptarë shqiptare u arrestuan në Greqi pasi akuzohen se kanë fotografuar dhe kanë kapur në video objektet e kampit në malin . Sipas informacioneve kjo ngjarje ka ndodhur pasditen e 28 tetorit. Dy burrat hynë në kampin e artilerisë “Major Stefanakis” në malin Egaleo dhe më pas bënë video dhe foto nga instalimet ushtarake, siç zbulon sot protothema.gr. Një toger në detyrë pasdite i pa dhe u kërkoi të ndalonin. Njëkohësisht ai ka njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka dalë me shpejtësi në vendngjarje dhe ka vënë në pranga dy personat.


“Kjo është e vërtetë. Ne po përpiqeshim të gjenim një rrugëdalje nga vendi. Menduam se ishte një vend që ishte braktisur sepse telat kishin rënë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga një ushtar. Fotot ia treguam policisë. “Kemi humbur dhe nuk kemi ditur të largohemi nga vendi i ngjarjes”, ka thënë sipas informacioneve njëri nga dy të pandehurit.

“Ne jemi nisur nga Kopshti Botanik në Haidar bashkë me katër persona të tjerë dhe në një moment kemi humbur”, tha ai në dëshminë e tij. Sipas dëshmisë së zyrtarit policor i cili ishte në vendin e ngjarjes, në videon e mbajtur nga i akuzuari, ai kishte incizuar pajisje ushtarake.

Avokatët mbrojtës të dy të pandehurve, Mariolis Panagiotis dhe Nakou Theano, theksuan se ishte “një shëtitje e rastësishme në një vend ku nuk ka rrethim apo shënjim të hapësirës ushtarake” që “rezultoi në arrestimin e dy të rinjve dhe i solli ata përballë përballen me një aktakuzë të rëndë. Mezi presim lirimin e tyre sapo të dalin në dritë faktet vendimtare të ditës së arrestimit të tyre”.

Foltorja mbërrin në Pogradec/ Spaho njofton vendin dhe orën e takimit me Sali Berishën

Deputeti i PD Edmond Spaho ka njoftuar se në datë 9 nëntor, do zhvillohet në Pogradec ‘foltorja’ me ish-kryeministrin Sali Berisha. ‘Në pallatin e kulturës Pogradec do të mbahet foltorja e Z. Berisha me ju. Jeni të ftuar të merrni pjesë dhe të kontribuoni në të për të garantuar një PD më të madhe, më të hapur dhe më të bashkuar’, shkruan Spaho në Facebook.

Postimi i Edmond Spahos:


Te nderuar anetare, simpatizante te PD dhe qytetare te Bashkise Pogradec,

Diten e Marte, date 9.11.2021, ora 17.00, ne pallatin e kultures Pogradec do te mbahet foltorja e Z. Berisha me ju.

Jeni te ftuar te merrni pjese dhe te kontribuoni ne te per te garantuar nje PD me te madhe, me te hapur dhe me te bashkuar e cila te munde te heqe Ramen dhe patericat e tij nga pushteti.

Ndryshime në qeveri/ Albana Tole emërohet zv.ministrja e re e Arsimit

Oltion Rrumbullaku është liruar nga detyra e zv.ministrit të Arsimit dhe Sportit. Në vend të tij është emëruar Albana Tole. Ky vendim është marrë ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave.

VENDIMI PËR EMËRIM NË DETYRË:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Albana Tole emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.