Rrëfehet i riu nga Tirana:“Bindja gjermanët të investonin në kriptomonedhë…”

Prej disa ditësh 13 kompani Call Center në Shqipëri janë duke u hetuar nga autoritetet shqiptare, pasi dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash duke përdorur skemat e mashtrimit, ku ‘viktima’ kanë rënë shtetas të huaj nga vendet e BE-së. Operatorët e këtyre “Call Center-ave“ kanë bindur shtetas të ndryshëm që të investojnë kapitalet e tyre në bursë me qëllim që ato të konvertohen në kriptomonedha dhe më pas të bëhen milionerë. Së fundmi një i ri që punon në Call Center ka rrëfyer se si i bindte klientët e huaj për t’i investuar paratë e tyre në kriptomonedhë.

Në një intervistë me gazetaren Anila Hoxha, i riu i quajtur Enea tregon se e mësoi gjermanishten me qëllim për të emigruar, por pandemia ja bëri thuajse të pamundur procedurat për t’u larguar nga Shqipëria, duke e detyruar atë të niste punë në një Call Center në kryeqytet. Ai tregon se si funksionon puna në këto Call Center, duke shpjeguar se në një ditë pune mund të kryejë 250-300 telefonata, ndërsa thekson se për një muaj arriti të bindte 15 klientë të huaj. Kujtojmë këtu që letërporositë e ardhur nga Gjermania kanë detyruar SPAK të nisi hetimet ndaj këtyre skemave të mashtrimit financiar

Pjesë nga intervista:

Enea: Çdo mëngjes supervizori im më jep klientët që duhet të kontaktoj, bëhet fjalë për shtetas të huaj gjermanë. Ata regjistrohen nëpërmjet publiciteteve të ndryshme që shikojnë në internet, kryesisht në FB dhe Instagram.

Hoxha: Çfarë u ofrohet qytetarëve në këto publicitete?

Enea: U ofrohet një mundësi për të fituar lekë dhe për të ndryshuar të ardhmen e tyre. Muaji më me fat ka qenë muaji kur bitcoin ka pasur një lëvizje të madhe dhe klientët ishin pothuajse të bindur dhe arrita të bindja 15 klienta atë muaj.

Hoxha: Si shitet bitcoin, çfarë vlere ka?

Enea: Bitcoin aktualisht kushton rreth 60 mijë dollarë, nëse ti investon dhe nesër shkon 70 mijë ti ke fituar.

Hoxha: Ndodh që fitojnë këta qytetarë?

Enea: Ndodh që fitojnë por interesi i kompanisë është që ata të mos fitojnë. Personalisht kryej 200-250 telefonata në ditë. 1 maksimumi 2 nga 2 arrij ti bind. Në telefonatën time kryesisht investimi i parë shkon 250 euro.