Turizmi mposht pandeminë/ Shifra më të mira se në 2019-ën, rritet interesi i turistëve

Turizmi arriti të mposhtë efektin e pandemisë në vitin 2021 duke u afruar në shifra me vitin më të mirë historik që ishte 2019. Tur-operatorët dhe njohës të sektorit vlerësojnë se kjo rritje lidhet me politikën e dyerve të hapura, ku për turistët nuk u vendos asnjë kufizim. Tek turizmi i organizuar, ajo që ra në sy ishte rritja e interesit të polakëve, bjellorusëve dhe ukrainasve, ndërkohë që italianët, gjermanët dhe francezët erdhën në mënyrë individuale të pavarur.


Risia e sezonit ishte tregu nga Lindja e Mesme që shfaq potencial në rritje, por Shqipëria nuk ka ende gati shërbimet për këtë segment. Sezoni këtë vit vuajti nga probleme të mungesës së kapaciteteve akomoduese, kaosit të trafikut dhe menaxhimit të mbetjeve. Për vitin e ardhshëm janë mbyllur kontratat dhe pritet që të kemi ndër të tjera, rikthimin e nordikëve.

Shqipëria mirëpriti deri në fund të shtatorit 4.9 milionë shtetas të huaj, ku peshën kryesore e kanë mbajtur muajt e verës. Krahasuar me vitin 2019, i cili është edhe viti më i mirë historik i turizmit, shifra e 9-mujorit 2021 është 10.7% më pak teksa për gushtin kjo diferencë ishte vetëm 1.3% duke treguar qartësisht rikuperim të turizmit në vitin e parë post-pandemik. Tur-operatoët po shpresonin që në 2021 të kishim një vit më të mirë turistik, për shkak të ecurisë së vaksinimit, rënies së numrit të infektimeve, lehtësimit të kufizimeve, por ky vit ka rezultuar edhe më pozitiv sesa pritshmëritë. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se shumica e strukturave akomoduese në vijën bregdetare ishin të rezervuara gjatë tre muajve të verës.

Shqipëria u deklarua si një vend COVID-Free duke mos vënë kufizime për të gjithë ata që donin ta vizitonin. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve gjykon se ky ka qenë një nga faktorët i cili ka ndikuar në bilancin pozitiv.


“Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e numrit të turistëve të huaj, lidhet me faktin që Shqipëria aplikoi një politikë të dyerve të hapura ‘Covid Free’ gjatë vitit 2021 për të gjithë ata që donin ta vizitonin, ndërkohë që bota u mbyll dhe vendet e BE-së vendosën rregulla shtesë për hyrjen apo daljet në vendet e tyre, duke kaluar deri në masa ekstreme si karantinim të detyrueshëm në kthim” shprehet Topuzi.

Turizmi patriotik mbizotëron sërish, Kosova mban 50% të hyrjeve

Turizmi u gjunjëzua në vitin 2020 nga pandemia me një rënie të dukshme të të ardhurave në sektor. Numri i turistëve pësoi tkurrje të dukshme, hotelet ulën çmimet dhe sytë u kthyen tek turizmi patriotik si shpresa e vetme e mbijetesës.

Dhe ashtu ndodhi, turizmi mbarëshqiptar dominoi ku shqiptarët e Kosovës, diaspora si dhe flukset nga Maqedonia e Veriut, përveç turizmit të brendshëm, mbajtën në këmbë sektorin. Në vitin 2021, mbështetja e turizmit patriotik ishte edhe më e madhe.


“Vendin e parë, pa dyshim, e zë turizmi patriotik me shqiptarët e Kosovës së pari dhe ata nga Maqedonia e Veriut së dyti. Duhet thënë që rajoni në tërësi ka shfaqur interes për Shqipërinë dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe serbët, numri i të cilësive ishte me një rritje të dukshme në raport me një vit më parë. Sigurisht dominon pjesa e atyre që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, me autobusë apo avion por pa pasur agjenci që i koordinon” – pohon Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me lëvizjen e shtetasve deri në muajin gusht tregojnë se në periudhën 9-mujore hyrjet nga Kosova përbënë 49% të të gjithë fluksit turistik të vendit, nga 37% në virin 2019. Mbi 2.3 milionë shtetas nga Kosova vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të shtatorit 2021, me një rritje 18% në raport me vitin normal 2019. Kjo rritje ka kompensuar disi rënien nga vende të tjera, kryesisht nga BE që kishin vizituar vendin tonë më 2019. Maqedonia e Veriut ishte vendi i dytë pas Kosovës me prurjet e larta turistike në Shqipëri. Gjatë 9-mujorit 2021, vendin e vizituan 468 mijë shtetas nga Maqedonia kryesisht shqiptarë të trojeve, por numri i tyre ishte me rënie në krahasim me vitin 2019 me rreth 27%.

“Lëvizjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik-gusht me rreth 61% e hyrjeve totale, duke përcaktuar si faktor kryesor turizmin e detit dhe rërës. Shifrat tregojnë se 65% e turistëve të ardhur në Shqipëri, i përkasin turizmit rajonal dhe atij patriotik. Peshën kryesore e ka mbajtur përsëri Kosova, me rreth 50% të numrit të turistëve” – nënvizon Zak Topuzi.


Nordikët mungojnë sërish, polakët me rritje, tregjet e tjera që u bënë aktive

Nordikët, të cilët për disa vite u vendosën në Golem dhe Sarandë, si pjesë e turizmit të organizuar munguan edhe këtë vit në brigjet shqiptare, njësoj si në vitin 2020. Ndërkohë interesi për Shqipërinë i polakëve dhe çekëve është rritur, njëlloj si ukrainasit apo bjellorusët.

“Bie në sy tregu polak që në numra ka qenë mirë. Po kështu edhe tregu çek i cili ka pasur ritme të kënaqshme. Tregu rus ishte i pranishëm në numra të vegjël dhe ky ishte një sinjal i mirë ky në tërësi, ndërkohë që Bjellorusia dhe Ukraina ishin shumë mirë në shifra në vazhdim edhe të vitit të shkuar. Nordikët, sikurse e dini, nuk erdhën edhe këtë vit për shkak të pandemisë”, tha z.Kasa.

Përveç turizmit të organizuar duket se këtë vit në Shqipëri u rikthyen edhe turistë nga vende të tjera që prej disa vitesh po e kthenin në traditë vizitën e tyre në verë. Bëhet fjalë për turistët europianë që vijnë me rezervime individuale dhe të pavarur.

“Turistët gjermanë, polakë, malazezë, italianë dhe nga nga SHBA rigjetën Shqipërinë si destinacion dhe numri i tyre po u afrohet shifrave të vitit 2019 me rreth 15-20% më pak. Rënien më të madhe (rreth 3 herë) e kanë pasur turistët nga Greqia, për shkak të bllokimit të lëvizjeve drejt kufirit shqiptar. Si përfundim, mund të themi se ka qenë një vit i suksesshëm përtej pritshmërive. Turizmi ndihmoi dhe sektorë të tjerë në rimëkëmbjen e tyre në këtë vit të vështirë” – pohoi z.Topuzi.

Linjat direke mes Shqipërisë dhe vendeve nga Lindja e Mesme duket se diktuan një rritje të numrit të turistëve nga këto vende. Numrat i vizitorëve erdhën në rritje, duke u cilësuar nga tur-operatorët si risia e këtij sezoni.


“Risi kanë qenë tregjet nga Lindja e Mesme kryesisht nga Emiratet e Bashkuara, India dhe vende të tjera, për shkak të linjave direkte të fluturimit që nisën të operonin nga këto vende. Nga kjo kategori ka pasur shumë pak turistë të organizuar, pasi pjesa më e madhe ka ardhur meqë kishte linjë direkte dhe kanë bërë rezervimet e tyre individualisht nëpërmjet Booking” – shprehet Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Por edhe pse këto tregje duhet të shihen me interes pasi në përgjithësi kanë një kategori turisti që shpenzon, Shqipëria nuk është ende gati për shkak se nuk ofron kërkesat specifike që ka ky segment që lidhen me ushqimin apo shërbimet.

“Vendi u gjet i papërgatitur për kontingjentin e madh të turistëve të ardhur nga vendet arabe nëpërmjet korridoreve ajrore, Dubai, Arabi Saudite, Egjipt për arsye të kërkesave specifike që kanë këta turistë (në restorante apo shërbime specifike në dhomë, etj.)” nënvizon z. Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve.

Kontratat për 2022 janë nënshkruar, vitin tjetër rikthehen edhe nordikët

Ecuria e mirë e vitit 2021 dhe lehtësimi gradual i situatës së pandemisë dhe kufizimeve kanë bërë që agjencitë partnere të huaja të jenë më optimiste në parashikime në raport me tur-operatorët shqiptarë. Në këtë kontekst edhe më skeptikët, që ishin nordikët, me shumë gjasa do të kthehen vitin e ardhshëm me turizmin e organizuar. Tashmë janë nënshkruar kontratat me këtë grup, ndërkohë që numri i rezervimeve është rritur edhe për polakët.

“Kontratat janë mbyllur gjatë korrikut dhe gushtit për vitin që vjen dhe të parët që i kanë rinovuar janë polakët. Agjencitë tona partnere kanë bërë vërejtjet e tyre për sa i takon sezonit që lamë pas, por më së shumti kanë qenë të kënaqur gjë që ka rritur volumin që përfshijnë kontratat.

Përveç polakëve janë mbyllur edhe kontratat me çekët, ukrainasit, rusët me të cilët jemi në diskutime për rritje të numrit, si dhe izraelitët dhe nordikët që gjithashtu kanë mbyllur kontratat për vitin tjetër. Mendoj se tregu gjerman dhe zviceran do të rikthehen me numra më të lartë gjithashtu” sqaron z.Kasa.

Teksa pritet që të kemi një vit më të mirë turistik vitin e ardhshëm, Zak Topuzi shprehet se Shqipëria duhet të ndërgjegjësohet për të përmirësuar ato aspekte që çalojnë.


“Turizmi është një industri komplekse ku shërbimi, standardet dhe produktet turistike, sot janë vendimtare. Nuk mjafton vetëm deti, rëra apo natyra dhe një hotel me çarçafë të pastër. Plotësimi i një game shërbimesh sot janë domosdoshmëri. Vitet e fundit kemi një numër të madh hotelesh cilësore në bregdet, që janë ndërtuar, rikonstruktuar apo janë në proces.

Plotësimi i produktit turistik me pishina, SPA, kënde lojërash, mini-fusha, Beach Bar, sporte ujore, udhëtime me anije apo skafe, etj., dhanë një rezultat të menjëhershëm. Mungesa e kapaciteteve akomoduese, ishte e dukshme. Shqipëria nuk mundi ta përballojë fluksin e madh të turistëve të ardhur nga e gjithë bota. Kaosi nga bllokimet e rrugëve ishte i dukshëm” – shprehet ai.

Turizmi me rimëkëmbje të shpejtë edhe në Europë

Turizmi njohu rikuperim të shpejtë në vitin 2021 për pjesën më të madhe të vendeve që e kanë atë sektorin kyç të ekonomisë.

Greqia e cila në vitin pandemik (2020) mbajti mbyllur një pjesë të mirë të strukturave dhe destinacionet arriti të kishte të rezervuara mesatarisht 65 për qind të tyre këtë vit.


Të tjerë vende pësuan një rritje edhe më të shpejtë. Kroacia ra në sy për kthimin e saj në një destinacion të populluar që në verën e hershme e deri në fund të shtatorit. Bordi Kombëtar i Turizmit në Kroci i konfirmoi medias Emerging Markets se përgjithësisht sektori ishte i kënaqur me rezultatet e kësaj vere dhe rikthimi në normalitet pritet në vitin 2022.

Por Kroacia deri në shtator 2021 kishte regjistruar 69 milionë net qëndrime apo sa 75 për qind e shifrës së regjistruar në vitin 2019 që ishte viti më i mirë turistik në historinë e vendit.

Byroja Kroate e Statistikave njoftoi se në 8-mujor ishin 9.9 milionë turistë në strukturat komerciale akomoduese që ishte më një rritje prej 60.6 për qind në raport me 2020-ën por krahasuar me 8 muajt e vitit 2019 përbënte 63.8 për qind të ardhjeve dhe 74.4 për qind të net qëndrimeve./ MONITOR