Kandidatja e Lsi-së, publikon mesazhet si Bardhi urdhëronte bazën:”Asnjë votë për LSI, më mirë votoni PS-në”

Përçahet akoma më shumë PD-LSI. E ndërsa pas zgjedhjeve raportet mes dy forcave politike ishin shumë të ftohta, në 24 orët e fundit që pas deklaratës së Gazment Bardhit ka një shpërthim të fortë në akuza. Ish-kandidatja për deputete e LSI në qarkun e Elbasanit, Miranda Rira ditën e sotme ka postuar një status të gjatë në Facebook duke akuzuar Gazment Bardhin dhe Partinë Demokratike për fushatën e zgjedhjeve të 25 Prillit. Rira thotë se Bardhi kishte urdhëruar para 25 Prillit që të mos shkojë “Asnjë votë për LSI-së! Nëse nuk votoni PD-në, më mirë votoni PS-në sesa LSI-në”. Pikërisht për këtë, thotë me tej ish-kandidatja e LSI-së, “i kam shkruar një mesazh Lulzim Bashës dhe kandidatit asokohe për deputet të PD, Z. Lefter Gështenja, ku i kam kërkuar të respektojnë “koalicionin” dhe normat politike të para vendosura, nga të 2 kryetarët e partive respektive”.


“Gazmend Bardhi, duke u gjëndur përballë një uragani të bazës demokrate që ka dalë hapur në mbështetje të Berishës dhe që kërkon largimin një orë e më parë të Lul Bashës, mundohet të mbrojë me thonj Bashën, duke ia hedhur fajin LSI-së, për humbjen e zgjedhjeve te Prillit. Si ish-kandidate për deputete e qarkut të Elbasanit, nuk mund të rri pa i kthyer një përgjigje.

E para, Gazmend(a), erdhi nga Kavaja në Elbasan, me poture e potere të madhe, me aheng e me gjullurdi, me kulisa e me banda guerrile të armatosura, se gjoja do t’i bënte zap elbasanllinjtë dhe se fitoren do ta sillte pikërisht ky, bash aty në kërthizë të Shqipërisë! Në një situatë anormale për zgjedhje të lira e të ndershme, LSI nuk ndenji në hije, përkundrazi unë jam përballur vetë me bandat dhe me një fushë të minuar, si nga PS ashtu edhe nga PD, si nga bandat e njërës palë, ashtu edhe nga bandat e palës tjetër, duke rrezikuar edhe jetën time. Një tufë burrash e hijenash, që m’u vunë nga të katër anët!

Gazmend, në atë qark, ndodhi një vrasje, dhe ti mban mbi shpatulla hijen e rëndë të asaj humbjeje të panevojshme! Një humbje e madhe! Askush nuk duhet dhe nuk mund të vritet për vota, në asnjë parti, për asnjë arsye, në asnjë krah politik,në asnjë kohë, kjo është e patolerueshme dhe e papranueshme! Prandaj, sidomos ti, kur ia hedh fajin LSI në qarkun e Elbasanit, është mirë t’i vësh fre gojës dhe të mendohesh pak!! Pak fare, do t’i bënte mirë ndërgjegjes tënde të turbullt. Hesht Gazmend, e mos fol broçkulla, pazaret e tua i dinë elbasanllinjtë dhe bashkitë e tjera të qarkut.

Lul Bashën nuk e shpëton dot, duke hedhur tym e blozë mbi LSI. LSI ka kusuret e veta, që vuri në listë njerëz çiliminj dhe pa kontribut në Lsi, ka gabimet e veta që i kushtuan shtrenjtë, por ti mos jep mend e mos bëj analizën e kandidatëve të atij qarku se nuk je i kulluar. Shumë shpejt do të ikë edhe lulushi e do mbetesh vetëm, fillikat, nën zemërimin e demokratëve të ndershëm” shkruan Rira.