Berisha nuk lëviz nga 11 Dhjetori për Kuvendin: “Bashës ia caktoi Rama datën 18 Dhjetor”

Konferenca e paralajmëruar me urgjencë nga lideri historik demokrat, Sali Berisha, u mbyll sërish me një paralajmërim për Edi Ramën, të cilin Berisha e cilëson si përgjegjës për situatën e krijuar jo vetëm në vend, por edhe në PD. Berisha përsëriti disa herë se Rama nuk duhet të luajë me pluralizmin në vend. Sa i përket Bashës, Berisha nuk e përmendi shpesh, duke theksuar vetëm se ai është peng i Ramës dhe zbaton urdhrat që i jep ky i fundit.Duke folur për mbledhjen e Kryesisë së PD, Berisha la të nënkuptohet se nuk e njeh atë, pasi është një Kryesi false. Berisha tha se Kuvendi Kombëtar i PD do mblidhet më 11 dhjetor dhe do të vazhdojë sipas rendit të ditës që kanë firmosur 4200 delegatët.

Berisha tha:


“Njoftoi datën që i dha pengut të tij Edi Rama 18 Dhjetor. Me këtë rast, dua të garantoj firmëtarët e misionit historik,firmat e të cilëve do të gdhenden në muralen e pluralizmit dhe të PD që nuk do të ketë forcë që do t’i mbledhë firmat e tyre dhe ai kuvend do të mblidhet në datën e shpallur prej tyre dhe ai kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës të pengkryetarit, por atë që kanë firmosur ata. Ta harrojë kush se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri është më paqësori, por mjerë ata që kërkojnë të përballen me të” u shpreh Berisha.