Salianji nga Korça: “100% e anëtarëve të këshillit kombëtar të zgjedhur në qarkun e Korçës janë në mbështetje të datës 18 dhjetor”

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji thotë se do të ketë vetëm një Kuvend, ai i datës 18 dhjetor që do t’i japë mundësi bashkimit të PD-së. Pas mbledhjes së kryesisë së degës Korçë, Salianji në një komunikim me gazetarët tha se ajo që është thirrur nga Sali Berisha është miting. Sipas tij, 100% e anëtarëve të këshillit kombëtar të zgjedhur në qarkun e Korçës janë në mbështetje të PD dhe të Kuvendit në datën 18 dhjetor. Ai u shpreh se PD ka vetëm një luftë frontale dhe të fuqishme, atë me qeverinë dhe Edi Ramën, ndërsa deklaroi se nuk do të lejojnë që të prevalojë interesi personal.

Salianji tha:


100% e anëtarëve të kryesisë së Korçës janë në mbështetje të Kuvendit të 18 Dhjetorit. Edhe për degën e Maliqit është e njëjta situatë dhe çdo pretendim tjetër i rremë është diskredituar. Ju i shikoni njerëzit kur hyjnë dhe dalin. Përpjekja përbashkuese që po bën PD po gjen mbështetje për të mos lejuar që interesi personal të prevalojë. PD nuk del dot kundër SHBA-ve sepse partneriteti me ta është i domosdoshëm. Kuvendet nuk janë si dasmat që gjithsecili fton këdo, ka procedurë të caktuar. Kuvendet përcaktohen sipas një procedure të caktuar në zbatim të statutit. Kuvend ka vetëm në datën 18, mitingje kanë të gjitha partitë e tjera politike. Patën një mundësi për depozitimin e firmave nuk u bë dhe kryesia vendosi datën 18. Është e jashtëzakonshme mbështetja e strukturave drejtuese. Diskutimet vetëm mirë i bëjnë PD-së. Kur ka imponim me dhunë, partitë politike nuk kanë pronar”, tha Salianji.

“Lufta është veç ndaj Ramës. Ndaj vjedhjes së qeverisë. Do të ndodhin të gjitha lëvizjet e duhura. Ne jemi në terren, prandaj partia ka diskutime dhe ne nuk mund të tregojmë se kush mbush sallat. Kjo është një përpjekje që me të gjithë që janë të dëshpëruar nga vjedhja e zgjedhjeve të çojmë në një analizë serioze. Analiza duhet të zhvillohet për të nxjerrë edhe përgjegjësit duke nisur nga deputetët.