Dëshmia e adoleshentes që u arratis me kushëririn: “Kam jetën time dhe shkoj me kë të më dojë qejfi”

Një adoleshente e zhdukur rreth një muaj më parë në Durrës është gjetur nga Policia, ndërsa në pranga ka përfunduar djali i hallës së saj. Denoncimi për humbjen u bë nga familjarët e vajzës disa javë më parë. Mësohet se 17- vjeçarja kishte krijuar një lidhje dashurie me kushëririn e saj (djalin e hallës) 7 vite më të madh, me të cilin ka qëndruar gjatë kohës që ishte larguar nga shtëpia.

ZBULIMI


Pas largimit nga shtëpitë e tyre, dy të rinjtë kishin marrë një apartament me qira në lagjen 13 të qytetit bregdetar, ndërsa vajza kishte shkëputur kontaktet telefonike me familjarët e saj.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe të kërkimeve për gjetjen e një 17-vjeçareje që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, është bërë e mundur lokalizimi i vendndodhjes së saj. Gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e plazhit, në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Sh. F., 24 vjeç, banues në Durrës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të strehuar 17-vjeçaren që ishte larguar nga banesa”, deklaroi Policia.

SEKUESTRIMI I DROGËS

Përveç vajzës që ishte larguar nga banesa, forcat e rendit kanë gjetur në shtëpinë e të rinjve edhe lëndë narkotike, të cilën 24-vjeçari i arrestuar e shpërndante me doza të vogla në zonën e Plazhit.


Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 400 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, të cilën ky shtetas e shiste për klientët.

DËSHMIA E VAJZËS

Kushërinjtë nuk ishin larguar pa qëllim nga banesat e tyre për të jetuar të veçuar. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 17- vjeçaren.Vetë vajza ka rrëfyer para hetuesve se ka ikur me dëshirën e saj te kushëriri dhe ka kryer marrëdhënie pa e detyruar ky i fundit.

“Nga shtëpia jam larguar me dëshirën time, nuk më ka detyruar askush. Nuk kam dashur ta lajmëroj familjen, pasi nuk doja që të bëheshin merak. Gjatë kësaj kohe qëndrova te shtëpia e kushëririt tim. Jetonim të dy te një shtëpi që ai kishte marrë më qira në zonën e plazhit. Më ka trajtuar shumë mirë. Nuk më ka detyruar fare që të qëndroja kundër dëshirës sime. Kisha dëshirë të rrija më të. Asgjë nuk ka ndodhur kundra vullnetit tim. Kam jetën time dhe bëj çfarë të dua me të”, ka deklaruar ndër të tjera 17- vjeçarja, e cila iu nënshtrua edhe vizitave mjekoligjore.


Mjekësia ligjore ka dalë në përfundimin se vajza ishte e defloruar, por përpara se të largohej nga shtëpia. Por, ajo nuk e ka mohuar që të ketë kryer marrëdhënie seksuale me kushëririn e saj.

“Po kam kryer marrëdhënie me të. Kam jetën time dhe bej ashtu si e ndjej. Për trupin tim përgjigjem vetëm unë dhe shkoj me kë të më dojë qejfi dhe nuk i jap llogari askujt”, ka pohuar 17-vjeçarja.