Ndahet nga jeta piktori Korçar Sotiraq Xega, një prej piktorëve më të mirë të peizazhit

Piktori i njohur korçar Sotiraq Xega është shuar në moshën 76-vjeçare. Mësohet se Xega, një prej piktorëve më të mirë të peisazhit, emrin e të cilit e mbajnë më shumë se 35 ekspozita ka mbyllur sytë sot në shtëpinë e tij në Tiranë. Për herë të fundit, Xega mbajti një ekspozitë për manat e Drenovës. Këtë ekspozitë, Sotiraq Xega e ka paraqitur vetëm për miqtë e tij në natyre. Konkretisht ai ishte ndalur në një prej rrugicave të Drenovës.


Vitet e fundit, Xega është spikatur për ekspozitën “Çfarë ka qytetari i Korçës pas shpine”, duke i kujtuar bashkëqytetarëve të tij madhështinë e malit të Moravës. Autori përdori teknikën e tempera-s dhe akuarelit për të sjellë bukuritë e këtij mali, që siç u shpreh edhe vetë ai, “janë sjellë me dimensione të vogla, por me një larmi të madhe ngjyrash”.

Ai njihet, jo vetëm si vëzhgues i kujdesshëm i detajeve, parakusht i domosdoshëm për një piktor. Gjithashtu, dallon për stilin e veçantë të punimeve.

Në 100 punimet e tij, artisti Xega luajti me ngjyrat e malit të Moravës, me një teknikë të rrjedhjes e monotipit, duke realizuar piktura në stilin klasik. Vizitorët i vlerësuan punimet me tematikë natyrën e malit të Moravës.Kujtojme se Xega ka qenë dhe ish-përgjegjës i arkivave në Korçë.


Sotiraq Xega