Mbushin me kanabis ambulancën e spitalit drejt Greqisë / Policia sekuestron 320 kg marijuanë (VIDEO)

Kapen 320 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë në kufirin greko-shqiptar. Operacioni është zhvilluar mëngjesin e sotëm, kur është ndaluar një autoambulance që vinte nga kufiri i gjelbër. Autoambulanca është ndaluar nga policia në qytetin e Igumenicës. Brenda saj janë gjetur dhe sekuestruar 13 çanta me 129 pako që përmbanin 319 kg 200 gram marijuanë. Policia helene ka arrestuar shoferin e autoambulancës, një shtetas grek, të cilit i janë gjetur nga kontrolli personal një sasi e vogël kokaine, 900 euro dhe 3 celularë.

Kujtojmë që nga Shqipëria në Greqi grupet kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike kanë përdorur metoda nga më të çuditshmet. Përveç ngarkesave që fshihen në automjete dhe çanta krahu, e zakonshme ka qenë edhe përdorimi i mushkave për transportimin e kanabisit. Grupet kriminale po tentojnë të sofistikojnë veprimtarinë e trafikut për të mos rënë në sy, siç edhe përdorimi i mjeteve të urgjencave shëndetësore.