Plasin vjedhjet në Korçë/ Policia arreston 2 persona, një shpallet në kërkim…

Policia e Korçës ka dokumentuar disa vjedhje, ndërsa janë vënë në pranga dy persona, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar. Sipas bluve është arrestuar E. S., 19 vjeç, shpallën në kërkim shtetasin S. S., 21 vjeç, të dy banues në Pogradec dhe filluan procedimin penal ndaj një 14-vjeçari, banues në Korçë.

Njoftimi i Policisë:


Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e tri vjedhjeve në biznese private, të ndodhura javën e fundit në qytetin e Korçës, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 19 vjeç, shpallën në kërkim shtetasin S. S., 21 vjeç, të dy banues në Pogradec dhe filluan procedimin penal ndaj një 14-vjeçari, banues në Korçë.

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të dyshuar të ngjarjeve të ndodhura konkretisht më datë 07.01.2022, në lagjen nr. 9, Korçë, ku në dyqanin e shtetasit D. B., janë vjedhur një sasi lekësh dhe 10 shishe me pije alkoolike; më datë 12.01.2022, në lagjen nr. 1, Korçë, ku në dyqanin e shtetases Xh. K., janë vjedhur veshje të ndryshme, si edhe më datë 13.01.2022, në lagjen nr. 18, Korçë, ku në dyqanin e shtetasit M. M., janë vjedhur një sasi lekësh dhe rreth 20 kg fruta të thata. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.