Rama: “Basha ka mundësi të bëhet President, aq sa ka Berisha për çmim Oscar”

Me një përgjigje të prerë gjatë një deklarate për shtyp në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së PS Rama ironizoi se Basha mund të zgjidhet president aq sa ish-kryeministri Sali Berisha mund të fitojë çmimin Oscar.

Pyetje: Lulzim Basha president?

Rama tha :

“Basha mund të bëhet president i republikës me votat e kësaj shumice aq sa Berisha mund të fitojë çmimin Oscar.

Ne kemi nisur një proces, ka një skuadër të mandatuar nga PS për të hapur një kanal komunikimi me forca, grupe, individë në parlamentin e Shqipërisë që përfaqësojnë anën tjetër, një anë me copa dhe çika, por sidoqoftë këtë nuk e kemi zgjedhur ne, ne thjesht respektojmë këtë konfiguracion që ata kanë krijuar. Në ndërkohë kemi hapur një proces të brendshëm pasi është hera e parë që PS i ka votat dhe nuk varet nga votat e të tjerëve”, shtoi Rama.

Si të shikoni “Story-t” në Instagram në mënyrë anonime/ Ja opsioni që duhet të aktivizoni….

Nëse dëshironi që të mbeteni anonim në Instagram, veçanërisht kur shikoni ‘story-t’ e të tjerëve, ky tekst është për ju. Opsioni Stories në Instagram është jashtëzakonisht i popullarizuar në platformën sociale sepse përdoruesit mund të postojnë foto dhe video që zhduken pas 24 orësh.

Por si të veproni kur doni të hapni ‘story-n’ e një personi që nuk e ndiqni dhe nuk dëshironi që emri juaj të shfaqet në listën e emrave që e kanë parë postimin? Ka një zgjidhje të thjeshtë për këtë. Hapni Instagramin në mënyrë që aplikacioni të përditësojë story-t më të fundit.

Më pas, shkoni te paneli i njoftimeve dhe aktivizoni “Airplane Mode”. Më pas mund t’i shikoni në mënyrë të sigurt të gjitha storie-t në mënyrë anonime. Vetëm mos harroni se do t’ju duhet të mbyllni aplikacionin përpara se të fikni “Airplane Mode”. Ekziston gjithashtu një opsion që lejon t’i shihni story-t. Ndër më të njohurit janë AnonIGVieëer dhe StoriesDoën. Por, ky truk funksionon vetëm nëse profili është publik.

Kriza e karburanteve/ Greqia gati për eksplorimin e Detin Jon , kompanitë helene licensohen për të nisur shpimet…

Në një kohë që çmimi i naftës është rritur në tregjet ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të Perëndimit të vendosura ndaj Rusisë, Greqia është duke rritur përpjekjet për të nxjerrë naftë dhe gaz në detin Jon. Greqia, e cila ka prodhuar sasi të vogla nafte në të kaluarën dhe është përpjekur të eksplorojë potencialin e saj në fushën e hidrokarbureve, por çmimet e ulëta të naftës së papërpunuar dhe orientimi drejt energjisë së gjelbër kanë bllokuar planet e saj për të kërkuar naftë.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe frika për furnizimet me gaz në Evropë kanë sjellë rritjen e çmimeve duke detyruar Bashkimin Evropian të kërkojë mënyra të reja për të reduktuar varësinë e tij nga gazi rus. Kjo ka rritur nevojën për Greqinë, e cila mbulon rreth 40% të kërkesës vjetore me gaz rus, për të shfrytëzuar burimet e brendshme.

“Në ditët në vijim, Greqia do të bëjë të ditur procesin e eksplorimit në Detin Jon dhe në perëndim të Kretës” i tha Reuters një zyrtar qeveritar, i cili nuk pranoi të identifikohej.

“Mjedisi i ri gjeopolitik dhe energjetik… kërkon që çdo vend të bëjë hapa vendimtarë drejt sigurisë dhe sigurisë së tij energjetike duke kërkuar burime të reja energjie.”

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të bëjë të ditur strategjinë e Greqisë për këtë çështje deri në fillim të javës së ardhshme, teksa shteti fqinj ka pasur indikacione për rezerva të konsiderueshme gazi, në masën qindra miliardë metra kub, raporton Reuters.

Një zyrtar i lartë në komisionin e hidrokarbureve të Greqisë tha javën e kaluar se komisioni ka propozuar një plan “ambicioz, por të realizueshëm” të kërkimit të gazit.

Hellenic Petroleum HEPr.AT ka licenca për kërkimin e gazit në detin Jon dhe ka përfunduar së fundmi studimet sizmike në zonë, një hap i rëndësishëm për të sqaruar vendndodhjen dhe madhësinë e çdo rezerve të mundshme.

Një konsorcium i TotalEnergies TTEF.PA, ExxonMobil XOM.N dhe Hellenic Petroleum gjithashtu mban licencat e kërkimit për dy blloqe në det të hapur që shtrihen në perëndim dhe jug-perëndim të Kretës.

Të lësh Shqipërinë për… Vietnamin/ Historia e çuditshme e mësueses së Anglishtes…

Dajana Hoxhaj është një mësuese e anglishtes që la Shqipërinë për Vietnamin. Në një lidhje me Skype për “ABC”, ajo tregoi të gjitha vështirësitë e fillimit, që në momentin që vendosi të shpërngulej deri te jetesa aty.

“Unë kam mbaruar për informatikë-ekonomike në universitetin “Epoka”, kur u diplomova mendova të bëja diçka shtesë.

Nuk doja të filloja një punë në zyrë apo në bankë që do të ishte stresuese për mua. Kështu që isha duke krijuar intership. Fillova të kërkoja dhe zbulova që kërkonin për të dhënë mësim në gjuhën angleze. Fillova të aplikoja për në Vietnam, edhe nuk e dija se çfarë më priste.

Sigurisht që kisha bërë kërkimet e mia, isha informuar për vendin, edhe punëdhënien. Por që konkretisht nuk njihja asnjë njëri që jetonte këtu. Gjithsesi unë aplikova dhe ju them prindërve, që do iki në Vietnam”, tha aj0. Më tej, Dajana theksoi se dashuria e fëmijëve e ka bërë ta dojë edhe më shumë atë vend.

“Ajo ç’ka më ka bërë mua vërtetë të dashurohem me këtë vend janë fëmijët dhe nxënësit e mi. Dashuria që marr prej tyre është shumë e veçantë, shumë e pastër. Nuk e mendoja kurrë që këta fëmijë që unë nuk kisha asnjë lidhje gjaku të më donin kaq shumë.

Ata janë gjithë kohën duke më përqafuar mua, duke më thënë se më duan, duke luajtur me flokët e mi. Këta fëmijë vërtetë ma zbukurojnë ditën këtu në Vietnam dhe ma kanë bërë jetën time dhe mësimin me Vietnamin shumë më të thjeshtë”, tregon ajo.


Rama merr vendimin: “Shkarkon kryetarët e PS në të gjithë vendin”

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të ndërpresë mandatin e kryetarëve aktualë të Partisë socialiste në degët e rretheve. Vendimi pritet të miratohet në kongresin e PS që do të mblidhet në datën 9 prill, ndërsa procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të socialistëve në rrethe do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022. Sipas burimeve, këto ndryshime kanë ardhur si domosdoshmëri e riorganizimit të Partisë pas fitores në zgjedhjet e 25 prillit.
Pr/vendimi:

V E N D O S I:

Të ndërpresë mandatin 4 vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive;

Zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë në bashki të bëhet në përputhje me kërkesat e neneve 26 dhe 27 të Statutit dhe të Librit të Rregullave të Partisë;

Brenda datës 30.04.2022, Asambleja Kombëtare e Partisë të miratojë rregullat, procedurat, kriteret për organizimin e procesit të zgjedhjes për strukturat vendore të partisë si pjesë e Librit të Rregullave me ndryshimet e reja në Statut;

Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022;

Kryetarët aktualë të partisë së bashkive do ushtrojnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj;

Ngarkohet Kryesia e Partisë dhe Sekretariati ekzekutiv për zbatimin e këtij vendimi.

Reshje dhe rrufe në të gjithe vendin/ Ja çfarë paralajmërojnë sinoptikanët për orët në vijim…

Ashtu siç paralajmëroi edhe Meteoalb të hënën, vendi pritet të përfshihet nga reshje shiu si edhe rrufe gjatë ditës së nesërme.Reshjet pritet të nisin gjatë orëve të para të ditës në veri-perëndim, ndërsa me kalimin e orëve do të shtrihen thuajse në të gjithë territorin.Për t’u theksuar vlen fakti se gjatë ditës së nesërme, reshjet do të shoqërohet edhe me rrufe kryesisht në pjesën e Ultësirës Perëndimore.

Sa i përket temperaturave të ajrit, pritet që gjatë kësaj pjese të javës të jemi me temperatura relativisht të ulëta.

Minimumi në zonat malore do të regjistrojnë vlerën edhe -1 Gradë Celsius ndërsa maksimumet deri në 16 Gradë Celsius.

Pas ditës së enjte kemi një rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit duke bërë që të shkojnë deri në 20 Gradë Celsius.

Përdorimi i tepërt i telefonit/ Çfarë ndodh nëse e fikni të paktën 1 orë telefonin çdo ditë…

Në ditë si këto as që mundemi ta imagjinojmë veten pa telefona nëpër duar. Smartphone-ët janë shumë më tepër sesa pajisje komunikimi. Çdo detaj i tyre reflekton interesat dhe personalitetin tonë. Telefoni sot është një dritare që na lidh me botën, për të mos përmendur opsionet e mundshme të sigurisë që na jep në raste rreziku.

Thënë këtë, janë pjesë shumë e ngushtë e jetës, pavarësisht se fatura që paguajmë për to është e lartë dhe nuk e kemi fjalën për atë monetare. Nomophobia- përshkruan frikën e të qënit pa një telefon në dorë dhe lidhet ngushtë me përdorimin e tepërt të tij. Kontrrolli i shpeshtë i telefonit, fiksimi për të shkruar mesazhe apo për të parë ç’bëhet në rrjetet tuaja sociale jo rrallë herë shkakton ankth dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.

Përdorimi i tepërt i telefonit rezulton në nivele më të larta stresi, ulje të nivelit të kënaqësisë që marrim nga jeta, rritje të ankthit dhe cilësi të keqe gjumi. Edhe nëse orët e gjumit i keni bërë të plota, ndodh që në mëngjes të zgjoheni të lodhur pikërisht si pasojë e përdorimit në masë të smartphone-it.

E keni menduar ndonjëherë ç’mund të ndodhë nëse e fikni për një orë të plotë celularin para se të bini për të fjetur? 

Pas një eksperimenti të tillë të kryer së fundmi, u vu re se ata që e fikën telefonin para se të shtriheshin për të fjetur patën ndryshime të dukshme krahasuar me të tjerët. Cilësia e stilit të jetës u përmirësua dhe pas javës së parë, thanë se ndiheshin më të lumtur. Përse? 


Duke qenë se varësia për ta patur gjithnjë para syve telefonin filloi të binte, këta njerëz nisën të kishin më shumë në kontrroll jetën e tyre. Si rezultat ata nisën të bënin një zgjedhje- një zgjedhje për ta jetuar ndryshe përditshmërinë e tyre. 

Të gjitha ndryshimet që u vunë re pas fikjes së telefonit për të paktën 1 orë, ishin pozitive. Njerëzit e përfshirë në eksperiment nisën të flinin gjumë më shpejt se zakonisht, ishin më prezent në botën reale dhe më të kthjellët në bisedat që ndodhnin rreth e qark tyre. Pra, filluan të jetonin me mjedisin dhe natyrën rreth vetes.

Niveli i ankthit nisi të reduktohej dhe krej papritur kuptuan se kishin më shumë kohë për veten, që do të thotë se nisën të bënin gjëra që nuk i bënin më parë. 

Një pjesë e mirë e tyre thanë se kishin kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për ditën tjetër, zgjoheshin herët në mëngjes dhe ndiheshin më produktivë. Një pjesë tjetër, vune re ndryshime edhe në marrëdhëniet e tyre personale, aq sa filluan të inkurajonin  partnerët për të fikur gjithashtu telefonat, edhe pse nuk ishin pjesë e eksperimentit. 

Si rezultat bisedat që bënin mes tyre ishin më të thella, vëmendja më e madhe dhe intimiteti më i plotë. 

Kaq, mjafton për të kuptuar se fikja për të paktën një orë e asaj pajisjeje që na mer kaq kohë, mund të ndryshojë ndjeshëm jetën tonë. Mbi të gjitha, nuk të kushton asgjë, përveçse të bën të kuptosh sërish çdo të thotë të jetosh me realitetin.

Greqia shlyen përfundimisht borxhin ndaj FMN-së / Likujdon këstin e fundit të kredisë ,që rrezikoi ta nxjerrë Athinën nga eurozona..

Greqia ka shlyer përfundimisht borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin hyri gjatë krizës së euros që shpërtheu në vitin 2010 dhe rrezikoi ta nxjerrë Athinën nga eurozona. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se e gjithë kredia është shlyer dy vjet më herët se afati i planifikuar fillimisht. “Është fundi i një epoke, i një kapitulli gri në historinë e vendit”, shkroi Mitsotakis në Twitter.

Kriza e borxhit grek tronditi Evropën për disa vite, duke arritur kulmin e saj në vitin 2015 me mosmarrëveshjen e kryeministrit të atëhershëm Tsipras dhe autoriteteve monetare, referendumin për planin e shpëtimit dhe marrëveshjen e papritur.

Athina i pagoi sot FMN-së këstin e fundit prej 1.9 miliardë euro të një kredie totale prej 32 miliardë eurosh dhe që pritej të shlyhej në muajt e parë të 2024-s. Falë kësaj shlyerjeje të parakohshme, Greqia do të kursejë 230 milionë euro interesa. Llogaritë publike të vendit, megjithatë, mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Fillimi i krizës përkoi me qeverisjen e Jorgo Papandreut dhe do ta çonte Greqinë në prag të falimentit. Pas marrëveshjes për hua ndërkombëtare, qeverisë iu desh të aplikonte një plan shtrëngues të frikshëm që përfshiu privatizime, shkurtime ose ngrirje të pagave dhe pensioneve etj. Papunësia u rrit në 16%, ndërsa efektet e masave shtrënguese nuk po shiheshin.


Greqia u bë simboli i atyre që kontestonin epërsinë e financave mbi vullnetin popullor. Dhe në qershor, Athina nuk e ktheu këstin e kredisë së FMN-së dhe iu desh të përballej me reagimin e ashpër të “skifterëve”, veçanërisht të ministrit gjerman të ekonomisë Wolfgang Schauble, i cili ishte gati të përjashtonte Greqinë nga “klubi” i euros për të garantuar stabilitet financiar.

Tsipras bëri thirrje për një referendum për t’i paraqitur elektoratit planin e shpëtimit të propozuar nga Evropa. Plani u refuzua nga 62% e votuesve, por çuditërisht u pranua nga vetë Tsipras, çka solli dhënien e kredive që do t’i garantonin vendit mbijetesën financiare.

Sot Greqia ka ende një normë papunësie afër 13%, por shumë larg nga 22%-shi dramatik ku arriti në 2017.

34 vjeçari nga Korça i dehur përplaset me Mercedezin në Bulevard Republika/ Fatmirësisht pa të lënduar…

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” të shtetasit D. T., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi në bulevard “Republika” Korçë, ky shtetas duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Lancia”, ka përplasur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. Q., duke i shkaktuar dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Këmbim valutor pa licensë/ Arrestohet 65-vjeçari në Korçë…

Një 65-vjeçar me inicialet S.M., ka rënë në prangat e Policisë së Korçës pasi ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licensë përkatëse. Sipas policisë janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të prerjeve të ndryshme.

Njoftimi i Policisë

Vijon operacioni policor i koduar “Informaliteti”, për goditjen e ushtrimit të veprimtarive financiare pa licencë. Ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse, procedohet penalisht. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash, të prerjeve të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Informaliteti”, për goditjen e ushtrimit të aktiviteteve financiare informale, proceduan penalisht në gjendje të lirë për shtetasin S. M., 65 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 7, Korçë, duke ushtruar veprimtarinë e këmbimit valutor, pa licencë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. M. iu gjetën shuma të konsiderueshme parash, të prerjeve të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Rudina Hajdari : “Jam rikthyer në PD,partia ka qenë gjithmonë pjesë e familjes sime, kam një trashëgimi me të”

Rudina Hajdari ka deklaruar se sot është rianëtërsuar në Partinë Demokratike, duke u rikthyer zyrtarisht në PD. Ajo u shpreh në një intertvistë në “A2 CNN” se nuk është larguar asnjëherë nga PD, duke thënë se u përjashtua, ndërsa shprehu shqetësimin për të ardhmen e partisë. Sot kam bërë rianëtarësimin dhe patjetër që mund të themi që jam rikthyer në PD. Unë nuk jam larguar asnjëherë në fakt, sepse u përjashtova, duke qenë se mbajta mandatin.

PD-ja ka qenë gjithmonë pjesë e familjes sime, kam një trashëgimi me të. Por ndihem e shqetësuar për të ardhmen e saj”, tha Rudina Hajdari.

Sipas saj përgjegjës për situatën në PD është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, edhe pse sot është rikthyer krah tij në parti.

Berisha ka pasur gjithmonë rol në PD. Ndoshta nëse do të kishte bërë presion që të mos merreshin vendimet që u morën, ato nuk do të ishin marrë. Kështu që mendoj se edhe ai është përgjegjës. Ky është momenti më i rëndësishëm që të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të rikthehen nëse duan që PD-ja të rimarrë pushtetin”, u shpreh Hajdari.

Bordi i transparencës merr vendimin : “Të ulet çmimi i naftës me 5 lekë…”

Bordi i Transparencës ka vendosur në mbledhjen e sotme çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Nafta tashmë do të shitet me 228 lekë për litër. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:

  • Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
  • 216 Lekë/litri për gazoilin;
  • 196 Lekë/litri për benzinën;
  • 103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
  • Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
  • 228 Lekë/litri për gazoilin;
  • 208 Lekë/litri për benzinën;
  • 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).


Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 06.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.

Pse njihet Komisioni i Rithemelimit të Berishës,zbardhet vendimi i gjykatës…

Zbardhet vendimi i gjykatës, ja pse njihet Komisioni i Rithemelimit të Berishës.

“Për shkak se në secilin mbi 4200 formularët e kërkesave të depozituara për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, nënshkruesit e identifikonin veten përveçse me gjeneralitetet përkatëse, edhe me funksionin me të cilin mbanin në strukturat e PD. Gjykata verifikoi në radhë të parë secilin nga pozicionet e nënshkruesve, përfshihej në listën e funksioneve që përbëjnë Kuvendin Kombëtar të PD. Gjykata verifikoi edhe nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionareve të PDSH, të cilët në momentin e thirrjes së tij përbënin listën e Kuvendit kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pasi administroi provat shkresore, vrenjti se listat bashkëngjitur këtyre dokumenteve përbëjnë listën e plotë zyrtare të deklaruar të shtetasve, të cilët përbënin Kuvendit Kombëtar të PD në momentin e thërritjes së tij nga anëtarësia.”

Për sa më sipër Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendit Kombëtar i PD-së, është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një anëtarësh/delegatësh, më i madh se ¼ i numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij.

Normat reale të interesit të kredive/ Shqipëria me nivelin më të lartë në rajon për 2020

Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria është vendi me normat më të larta reale të interesit në kredidhënie në zonën e Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, për vitin 2020, norma reale e interesit të kredive në Shqipëri ishte 6.6%. Norma reale e interesit të kredive shprehet si norma mesatare e interesit të kredive e rregulluar me inflacionin, të matur sipas deflatorit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pas Shqipërisë, vendi me normat më të larta reale të interesit në rajon është Mali i Zi, me 6.1%, i ndjekur nga Kosova me 5.1%, Maqedonia e Veriut me 4% dhe Bosnje-Hercegovina me 2.9%. Sipas Bankës Botërore, krahasimi i këtyre të dhënave duhen marrë me një lloj rezerve, sepse termat dhe mënyra e raportimit të normave të interesit mund të jenë të ndryshme sipas vendeve. Sidoqoftë, me këto të dhëna që disponohen, Shqipëria duket të jetë më e shtrenjtë në raport me fqinjët në terma të normave reale të interesit. Për vendet e Bashkimit Europian, të dhënat e përditësuara janë të pakta, megjithatë për shumicën e vendeve ato janë më të ulëta krahasuar me rajonin tonë. Kjo reflekton primet më të ulëta të rrezikut të ekonomive, por edhe një politikë monetare ultrastimuluese, me norma bazë negative dhe me kosto të konsiderueshme për mbajtjen e fondeve të papërdorura nga bankat.

Për sa i takon normave nominale të interesit, të parregulluara me indikatorët e inflacionit, vendi me normat më të larta të interesit në rajon për vitin 2020 rezultonte Kosova. Norma e interesit të kredive në Kosovë për vitin 2020 rezultonte 6.7%. Shqipëria renditje e dyta me 6.1%, e ndjekur nga Mali i Zi, me 5.9%, Maqedonia e Veriut me 5.2% dhe Bosnje-Hercegovina me 3.1%. Këto të dhëna tregojnë se renditja e Shqipërisë është ndikuar ndjeshëm edhe nga një vlerë deflatori më e lartë krahasuar me vendet fqinje të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e përditësuara të vitit 2021 në Shqipëri treguan një rënie të normave nominale të interesit në segmentin e individëve, që prekën nivelin më të ulët historik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se interesi mesatar i kredive të reja në lekë zbriti në 6.34%, nga 6.52% që kishte qenë një vit më parë. Ndikimin kryesor në uljen e normës mesatare të interesit e dhanë kreditë me qëllim blerjen e banesave, që kanë edhe peshën kryesore në volumin e kredisë bankare për individët. Statistikat tregojnë se interesi mesatar i këtyre kredive në lekë për vitin e kaluar zbriti në 3.43%, nga 3.66% që kishte qenë një vit më parë. Rënia graduale e normave të interesit në lekë dhe ngushtimi i diferencave me euron ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në shtimin e huamarrjes së individëve në monedhën vendase gjatë viteve të fundit. Për sa i takon kredive për individë në monedhën euro, normat e interesit vitin e kaluar shënuan një nivel mesatar prej 3.61%, me një rritje shumë të lehtë nga shifra prej 3.59% e vitit të kaluar. Produkti kryesor i kredisë për individë që jepet në euro, kredia për banesa u dha mesatarisht me një normë interesi prej 3.17%, nga 3.12% që kishte qenë për vitin 2020.

Për sa i takon kredisë së bizneseve, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë shënoi një rritje të lehtë, në nivelin 5.53%, nga 5.48% që kishte qenë një vit më parë. Por, ndërkohë interesi mesatar pësoi një rënie për monedhën euro, duke zbritur në 4.1%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. /Monitor

Bordi cakton çmimet/ Ja sa lekë do shiten vaji, mielli, sheqeri dhe orizi në markete…

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 1 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:

Miell

Vaj luledielli

Sheqer

Oriz kokërrgjatë

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.

Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.

Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.

c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:

104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)

123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)

321 lekë/litër për vajin e lulediellit

90.5 leke/kg për miellin masiv

Ky vendim hyn në fuqi në datë 05.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.