Mesazhi ndryshe i studentes në Korçë: “Gjermania s’është zgjidhja e vetme, dua të qëndroj në Shqipëri”

Java e infermierit në Korçë ka shërbyer edhe për të dhënë mesazhin se Gjermania dhe vendet e BE-së, nuk janë e vetmja zgjidhje për studentët që diplomohen në këtë degë. Desara Kovaçi, studente në vitin e dytë për infermieri tregon se ndryshe nga disa prej studentëve të tjerë, ajo kërkon të qëndrojë në Shqipëri.

“Ajo çka shoh vitet e fundit se studentët futen në këtë degë për t’u larguar jashtë shtetit në Gjermani e Zvicër. Unë personalisht dua të qëndroj në Shqipëri sepse gjej dhe rastin dhe bëj thirrje studentëve që duan të largohen se mbrapa lënë një familje dhe në momentin që largohen të gjithë, familjarët e miqtë e tyre nuk do mund të marrin dot shërbimin shëndetësor,” – u shpreh Desara.

Infermierja e ardhshme tregon se në gjykimin e saj ka pasur përmirësime në shërbimin shëndetësor, sidoqoftë ajo është e ndërgjegjshme për vështirësitë me të cilat do të haset. Desara ka një mesazh për gjithë kolegët e saj.

“Për gjithë ata të rinj që janë futur degës së infermierisë dhe synojnë Gjermaninë, përveç lehtësirat që mund të gjejnë dhe pagës së kënaqshme të mendojnë se kënaqësi më të madhe për ata që punojnë në vendin e tyre nuk ka,” – tha ajo.

Sipas statistikave të marra nga institucioni i urdhrit të infermierit në juglindje, janë 1 700 infermierë të punësuar në institucionet shtetërore në këtë qark, 370 prej tyre në spitalin rajonal të Korçës. Në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Korçës mbarojnë studimet çdo vit rreth 60 studente, e 20 prej tyre për mami. Vitin e kaluar 10 infermierë të punësuar u larguan nga vendet e punës drejt vendeve të Bashkimit Europian. Euronews Albania