Hapim sezonin turistik me zjarre/ Deputetja demokrate Ina Zhupa: “Flakët vihen për të hapur toka të reja për investitorët strategjikë”

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka denoncuar keqmenaxhimin e situatës së zjarreve në ishullin e Sazanit, ku prej tri ditësh, flakët po djegin pisha shekullore dhe pemë të tjera. Sipas deputetes, këto zjarre janë të qëllimshme:

“E hapim sezonin turistik me zjarre strategjike, që jo rastësisht bien aty ku duhet të fshehin gjurmë krimi ose të ndërtojnë toka të reja për investitorët tuaj strategjik”. Në fjalën e saj në kuvend, Zhupa tha se Ministria e Mbrojtjes nuk po menaxhon si duhet situatën.Në dështim të plotë të menaxhimin, Ministria e Mbrojtjes, nga katër helikopterë, dy i ka në Poloni, një e ka në Itali dhe një në Farkë se ka rrjedhje vaji. Kjo është eficenca e një shteti që ka dështuar në mënyrë ulëritëse”. Vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit vijojnë të jenë aktive, edhe pas tre ditësh, ndërkohë nga qyteti i Vlorës duket qartë reja e tymit që vjen nga ishulli. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha i ndihmuar edhe nga era që fryn nga veriu. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen. FA gjatë mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur. Një rrezik evident në ishull janë dhe municionet e mbetura të cilat mund të shpërthejnë nga zjarri.

Advertisement