Makina inteligjente vendoset në autostradën Tiranë-Durrës dhe Elbsan -Tiranë / Pezullohen mbi 100 leje drejtimi, qindra gjoba për shkelësit

Makina inteligjente përgjatë fundjavës ka monitoruar qarkullimin rrugor, në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë–Durrës-Tiranë dhe Tiranë-Elbasan–Tiranë, ku janë ndëshkuar drejtues të mjeteve që thyejnë rregullat e qarkullimit. Përgjatë fundjavës janë konstatuar shpejtësi gati trefishi i normës së lejuar në rrugët e kryeqytetit, dhe deri në dyfishin e normës së lejuar në rrugët interurbane.

Po ashtu mësohet se janë pezulluar 104 leje drejtimi dhe janë vendosur 159 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë mbi normën e lejuar, por pa sanksionin plotësues. Nga përpunimi i fotove dhe video-ve të realizuara nga makina inteligjente, është konstatuar se 57 drejtues mjetesh përdornin edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa 61 drejtues nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

“Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, janë konstatuar shumë parakalime të gabuara, gara shpejtësie e shkelje semafori. Drejtuesit e mjeteve, që kanë kryer këto manovra të rrezikshme në rrugë, janë ndëshkuar me masa administratave që varionin nga 30.000 lekë të rinj deri në 90.000 lekë të rinj.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të mos shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, pasi do të skanohen nga mjetet bashkëkohore që tashmë Policia Rrugore ka në dispozicion dhe do të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Rrugor. Kthehu i sigurtë në shtëpi, respekto rregullat e qarkullimit rrugor! ”, thuhet në komunikatën e policisë.

Advertisement