Trupi i pajetë në malin Gramozit/ Policia: “Dyshohet se Sherif Mukaj është ekzekutuar me armë zjarri “

Policia ka nisur hetimet për vrasje per trupin e pajetë të gjetur në Kreshovë të Ersekës, qe dyshohet se te jete i 28-vjeçarit Sherif Mukaj. Ai ishte zhdukur që nga nëntori i kaluar dhe trupi i tij u gjet i dekompozuar nga disa barinj të zonës. Pranë trupit të të riut u gjet çelësi i shtëpisë së tij dhe një celular Nokia i vjetër. Këtë të hënë policia njofton se nga këqyrja e viktimës në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese qe dyshohet te jete shkaktuar nga arma e zjarrit. Hetuesit dyshojne për vrasje, megjithatë përgjigjen përfundimtare do ta japë ekspertiza mjeko-ligjore. Lidhur me këtë ngjarje policia po heton për veprën penale të vrasjes me paramendim.Në denoncimin që bënë disa muaj më parë, xhaxhai dhe babai nuk folën për konflikte të të riut apo ndonjë punë të dyshimtë të tij. Ndërkohë, që para se të humbiste ai ka pasur një vlerë rreth 5 milionë lekë të vjetra që ia kishte dërguar i ati nga SHBA.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.

Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Advertisement