Harta e re gjyqësore/ Kreu i Dhomës së Avokatisë :”Korça kthehet në provincë të humbur, drejtoritë rajonale kanë ikur, gjykatat po ashtu…

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena ka renditur problematikat që sjell harta e re gjyqësore për këtë qark.Ai u shpreh se me hartën e re gjyqësore në Korçë nuk do ketë më një gjykatë që jep vendime të formës së prerë. Ai theksoi se do rriten shpenzimet për qytetarët dhe rastet e vetëgjyqësisë.

Arben Lena tha:

Ka afro një vit që kemi ngritur shqetësimin për hartën e re gjyqësore, e cila mënjanon totalisht qarkun e Korçës duke hequr Gjykatën e Apelit, Administrative të shkallës së parë, dhe Gjykatën e rrethit Pogradec. Nga të gjitha këto do të mbetet vetëm Gjykata e rrethit Gjyqësor Korçë vendimet e së cilës nuk janë vendime të formës së prerë. Avokatët nuk e ngrenë zërin për veten e tyre, sepse një avokat do punojë sërish, por aksesi në drejtësi që është i garantuar nga Kushtetuta jonë për shtresat që janë poshtë nivelit mesatar të të ardhurave, të margjinalizuara, për viktimat e dhunës në familje, të trafikut, të komuniteteve të margjinalizuara do të jetë shumë i vështirë. në rast se deri tani mund t’i drejtoheshe gjykatës me një kërkesë dhe mund të paraqitej me disa shpenzime të vogla, aktualisht shpenzimet do jenë në masë të madhe dhe në fund të ditës do e lërë çështjen e tij pa zgjidhje.

Do kemi rritje të vetëgjyqësive. Nga përvoja ka pasur një tendencë “po ia lëmë në dorë shtetit, drejtësisë”, në rast se do shohin që s’ka gjykata efektive për të adresuar problemin e tyre, atëherë do nxitet kjo gjë. Korça kthehet në provincë të humbur, drejtoritë rajonale kanë ikur, gjykatat po ashtu po ikin dhe shpenzimet do jenë të mëdha. Kemi një burg të sigurisë së lartë, ku nuk do të dërgohen në Korçë me shpenzime të ulta por në Tiranë. Janë një sërë problemesh. Kemi një model të dështuar në ’98, po kalojmë nga dështime në dështime. Nuk po korrigjojmë të metat, por po shkojmë drejt tyre. Komiteti drejtues ka vendosur për bojkot total të të gjitha gjyqeve nga dita e nesërme deri të premten, vijimi do shihet në varësi të reagimit të institucioneve. Deri më parë s’kishim akt zyrtar, vetëm draft nga ana e KLGJ an është premtuar që vërejtjet tona do merren parasysh. Tani kemi akt zyrtar që mund ta kundërshtojmë. Dhoma e Avokatëve është në unison të plotë me masat e marra”.

Advertisement