I dehur dhe me fëmijë në makinë …/ Shoferi me Volkswagen bën “të fortin” nuk i bindet urrdhrit të policisë por…

Policia Rrugore e Tiranës njoftoi mbrëmjen e së martës se gjatë kontrolleve në “Rrugën Bardhyl” ka ndaluar një mjet tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin A. D., pasi është konstatuar që mbante në vendin e parë të mjetit, një fëmijë pa sisteme fiksimi, duke qenë në shkelje të rëndë të Kodit Rrugor.

Sipas policisë, gjatë kontrollit, ai ka shfaqur shenja të përdorimit të alkoolit. Pasi i është kërkuar që të kryejë testin e alkoolit, ai ka refuzuar dhe është larguar menjëherë me shpejtësi me makinën e tij. Punonjësit e policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe në rrugën “4 Dëshmorët” kanë bërë ndalimin e tij. Ai sërish ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe pas këtij kundërshtimi është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Edhe në ambientet e Komisariatit ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit. Policia thotë se gjatë shoqërimit për në Komisariat të drejtuesit të mjetit, janë njoftuar familjarët e fëmijës 5-vjeçar, i cili është marrë më pas nga nëna e tij. Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se A. D. drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.86 mg/l.

Përveç ndëshkimit për shkeljet rrugore, ku i është pezulluar leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe u ndëshkua me 30 mijë lekë të rinj gjobë.Ai arrestua dhe tashmë akuzohet për veprat penale “Drejtim i automjeteve në gjendje të dehur” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Advertisement