Qeset plastike/ Mirela Kumbaro paralajmëron :”Grupet inspektuese nisin monitorimin e rreptë për gjoba prej 1 korrikut…

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro në takimin e organizuar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me përfaqësues të prodhuesve të qeseve plastike tha se pas fazës së informimit dhe të këshillimit, më 1 korrik grupet inspektuese nisin monitorimin e rreptë për zbatimin e ligjit që ndalon prodhimin, importimin dhe tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimshe. Kumbaro shtoi se qytetarët nuk detyrohen të blejnë qeset me parametrat e rinj, madje kjo duhet të shërbejë si një nxitje për t’i orientuar drejt çantave shumëpërdorimshe dhe trajsave.

Kumbaro tha:

Ligji është miratuar në datën 17 mars në parlament dhe qëllimisht hyri në fuqi në 1 qershor për t’u lënë kohë subjekteve që të informohen dhe të marrin masat. Gjatë gjithë kësaj periudhe grupet tona kanë qenë në terren për të informuar dyqanet, supermarketet, tregjet për këtë nismë ligjore. Në këto ditë të para nuk ka qenë qëllim gjobitja, por informimi dhe sensibilizimi.Prej 1 korrikut, grupet inspektuese nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importuesit, nga Inspektorati i Tregjeve për tregtuesit dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për prodhuesit, do të jenë të rreptë duke aplikuar kontrolle dhe gjobat sipas parashikimeve ligjore për këdo që shkel ligjin. Qeset sipas standardit të ri janë shumëpërdorimshe, por përtej kësaj qytetarët nuk janë të detyruar aspak t’i blejnë.

Advertisement