Mish pule me kok*inë nga Brazili/ Kapet sasi e madhe droge në Durrës e ambalazhuar me “Gokun” (Foto)

Një sasi droge, e llojit kokainë është kapur këtë mbrëmje në portin e Durrësit, në brendësi të një kontenieri me mish pule.Droga është gjetur në kontenierin që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut. Nuk dihet nëse sasia e kokainës është vendosur që në vendin e origjinës apo më vonë mes mishit.

NJOFTIMI

Si rezultat i kontrolleve bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Advertisement