“Shqiptarët nuk meritojnë as të shkojnë në plazh, as të shkelin në park dhe as të shohin diellin me sy”…

NGA MENTOR KIKIA:

Ju nuk meritoni as plazh publik, as park, as diell…! Unë kam qenë gjithnjë një zë agresiv kundër bashkive dhe qeverisë për dhënien e plazheve me qera, dhe ngushtimin e vit pas viti të hapësirës publike.

Por, po ndërroj mendje…. Në plazhet publike, kudo ku shkojmë të punojmë me anëtarët e Korpusit të Vullnetarëve, shikojmë këtë gjendje.

Thuajse të gjithë ata që frekuentojnë plazhet publike i lënë në rërë të gjitha mbeturinat. Shkojnë në parqe, kalojnë drekat në hije, ndezin zgarat për të pjekur mish, dhe lënë aty pirgje me mbeturina.

Çfarë ju kushton ti fusni në qese, ti merrni në makinë, siç i sollet plot, e ti hidhni në kazanë? Nuk është koha kur iknim në plazh me tren, e me shalsi me vete o njerëz të paedukatë.

Mos më thoni se s’ka kazanë. Nuk mund të ketë kazan në çdo ferrë, e në çdo breg. Jeni të gjithë me makina kur ikni në plazhe apo në parqe.

Ju nuk meritoni plazh publik! Nuk meritoni as të shkelni në park! Ju meritoni taksë edhe për rërën, edhe për pyllin, edhe për Diellin, edhe për Hënën. Derisa të bëheni njerëz.

Advertisement