Shtirej si fizioterapist për t’i shpëtuar drejtësisë/Arrestohet në Pogradec Turku, i dënuar me 21 vite burg për mashtrimin përmes bankave…

42-vjeçari turk, Salih Akkurt, banues në Konya, Turqi ka rënë në prangat e policisë së Pogradecit pasi është i dënuar në Turqi me 21 vite burg për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”. Akkurt ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe fshihej në Pogradec, për t’u maskuar, ai mashtronte qytetarët duke u hequr si fizioterapist.

Salih Akkurt u arrestua në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, me qëllim ekstradimi drejt Turqisë, aty ku duhet të vuaj pjesën e mbetur të dënimit.

42-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë person, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.

Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Turqisë.

Advertisement