Shqipëria po zbrazet, s’ka më as punëtorë/ Në pesë vitet e fundit janë larguar nga vendi 221 mijë persona…

Në Shqipëri ka nisur të ndjehet mungesa e fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e bujqësisë për shkak të emigracionit dhe rënies së numrit të lindjeve. Punët e bujqësisë tani janë në pikun e tyre, por në ara shihen gjithnjë e më pak njerëz që punojnë. Këtë vit bujqësia në Shqipëri po përballet me mungesën e fuqisë punëtore si dhe me çmimin e lartë të naftës dhe imputeve të nevojshme bujqësore.

“Punëtorët po ikin të gjithë jashtë. Ne nuk kemi punëtorë për të korrurat, nuk kemi punëtorë për punët në fabrikë. Çmimi i punëtorëve rritet përditë, fuqi punëtorë nuk ka dhe rritja e çmimit të naftës ndikon tek fermerët, ndikon edhe tek eksportuesit pasi, nga 2500 dollar që ka kushtu me dërgu 20 ton në Amerikë, ka shku në 15 mijë dollar. Prandej ne nuk dimë se si ta përcaktojmë çmimin”, thotë Dedë Sterkaj nga kompania LNL.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Shtetëror të Statistikave, INSTAT, nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 nga Shqipëria kanë emigruar rreth 221 mijë e 48 persona me një mesatare vjetore prej 38 mijë e 841 persona. Vetëm vitin e kaluar nga Shqipëria emigruan 42 mijë e 48 persona, pjesa më e madhe të rinj të moshës 18 deri në 40 vjeç, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e fuqisë punëtore edhe në bujqësi.


“Jemi një grup pensionistësh që e mbajmë bujqësinë. Edhe bujqësia, po t’i vemë një metaforë, bujqësia është pensioniste. Nuk ka të rinj më (që merren me bujqësi)”, thotë fermeri Prekë Game.

Por, mungesën e fuqisë punëtore po ndikon edhe sektorë të tjerë si turizmi, ndërtimi, industria fasone si dhe biznesi i vogël. Në dyert e shumë prej bizneseve të vogla, tani lexohen shënime me kërkesën për punëtorë. Mjeshtri i punimit të drurit, Zija Karini, tashmë punon i vetëm në zdrukthëtarinë e tij. Zotërues i 13 teknikave të punimit të drurit, mjeshtri Karini thotë se deri para disa viteve, në punishte vinin mjaft të rinj, të interesuar për të marrë zanatin, po kohët ndryshuan me shpejtësi, një pjesë kanë emigruar dhe të tjerë mendojnë të emigrojnë.

Zvogëlimi nga viti në vit i fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit, por edhe rënies së numrit të lindjeve, pritet të ndikojnë në ritmet e ekonomisë shqiptare gjatë viteve në vazhdim. Kjo ka shtyrë tani disa biznese të fillojnë të kërkojnë dhe punësojnë punëtorë të huaj./ VOA

Jo vetëm makina inteligjente/ Kjo është pajisja që pritet të bëjë namin për shoferët rebelë (VIDEO)

Një pajisje e re inteligjente është vënë në dispozicion të Policisë Rrugore në Tiranë. Behet fjalë për një “dron edukues”, që konstaton veçanërisht lëvizjet në korsinë e gabuar. “Droni edukues”, pajisja më e re inteligjente në përdorim të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, dedikuar veçanërisht për konstatimin e shkeljeve rrugore të pozicionimit të mjeteve në korsinë apo karrexhatën e duhur, sipas drejtimit dhe qëllimit të lëvizjes.

Kujdes! Ndryshimi i drejtimit apo i korsisë duhet të kryhet në përputhje me parashikimet e nenit 152 të Kodit Rrugor, ndërsa pozicionimi i mjetit në karrexhatë duhet të kryhet sipas nenit 141 të këtij ligji.

Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, shpëto jetë!”, njofton policia.

Aksident në aksin Korçë-Pogradec/ “Audi” humb kontrrollin dhe del nga rruga…ndërhyrja zjarrfikësve…

Një makinë tip Audi ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën në afërsi të fshatit Pirg në aksin rrugor Pogradec-Korçë. Sipas policisë, Ilirjan Çeçi, 65 vjeç së bashku me Shpëtim Beqirin kanë qënë duke udhëtuar nga Pogradeci në drejtim të Korçës kur mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me trafikndarësen metalike .Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë drejtuesin nga makina. Mësohet se gjendja e tij paraqitet e rëndë, ndersa u dërgua drejt spitalit të Korçës për mjekim.

Maliq/Informacion paraprak:

Më datë 25.06.2022, rreth orës 13:50, jemi njoftuar se në aksin rrugor Maliq-Pogradec, në afërsi të fshatit Gurishtë, Maliq, shtetasi I. C., duke drejtuar mjetin tip “Audi”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë kanë marrë dëmtime drejtuesi I. C. dhe pasagjeri shtetasi Sh. C., të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.