Degradon sherri në Maliq/ 35-vjeçari plagos 40-vjeçarin dhe…

Një përplasje e ashpër ka ndodhur në Bregas,Maliq mes dy personave. Mësohet se sherri ka ardhur pas një konlfikti të çastit dhe gjatë përleshjes fizike janë përdorur edhe thikat. Si pasojë, ka mbetur i plagosur shtetasi B.P, 40 vjeç i cili po merr ndihmën mjekësore në spital.Policia ka shoqëruar në komisariat shtetasin G.M, 35 vjeç i cili po ashtu ka mbetur i plagosur nga konflikti por ka dëmtime më të lehta.

Maliq/Informacion paraprak

Më datë 28.06.2022, rreth orës 17:10, jemi njoftuar se në fshatin Bregas, Maliq, në një lokal, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se janë dëmtuar me mjet prerës me njëri-tjetrin, shtetasit G. M., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Bregas dhe B. P., 40 vjeç, i cili u transportua në Spitalin e Korçës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Shtetasi G. M., me dëmtime më të lehta trupore, aktualisht ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.


Kishte mbushur Benzin me mallra pa doganë/ Policia procedon 56-vjeçarin nga Elbasani: “Iu kapën edhe 40 litra naftë….

Policia kufitare në Qafë Thanë ka vënë në pranga një 56-vjeçar nga Elbasani. Ky i fundit është kapur duke kaluar në kufi produkte ushqimore dhe 40 litra naftë të kontrabanduara. Gjithashtu, gjatë këqyrjes së mjetit u konstatua ndryshim në vëllimin e serbratorit të tij. Qytetari nga Elbasani kishte shkuar të merrte ushqime dhe naftë në Maqedoninë e Veriut duke qenë se janë më lirë se në Shqipëri.

Njoftimi i policisë :

Qafë Thanë, Pogradec ,Policia Kufitare godet një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra. Sekuestrohen mallra ushqimore dhe sasi nafte, të dyshuara të kontrabanduara. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit që tentoi t’i fuste në vendin tonë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Elbasan.

Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara (pije, produkte ushqimore dhe 40 litra naftë). Gjithashtu, gjatë këqyrjes së mjetit u konstatua ndryshim në vëllimin e serbratorit të tij.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.


Bordi i transparencës ve dorën në zemër, ul me 3 lekë naftën(Çmimet)

Bordi i Transparencës ka ulur çmimin e naftës me tre lekë duke e zbritur nga 258 lekë/litër në 255 lekë/litër. Sa i përket benzinës, duke filluar nga sot në orën 18:00, një litër prej këtij karburanti nuk do të mund të shitet me më shumë se 242 lekë/ litër nga 239 lekë/ litri që ishte më parë ,ndërsa gazi do të vijojë të shitet me 83 lekë/litri. Bordi i Transparencës në datë 28 Qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 255 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 243 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 242 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 230 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 83 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 71 lekë/litër për automjetet.

( Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 28 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.


⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë

Arrestohet inspektori i AZHBR dhe një blegtor në Korçë/ Policia jep detaje për operacionin dhe akuzat…

Uniformat blu bëjnë me dije se pas një hetimi tremujor për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kryer kundër veprimtarisë shtetërore nga personat që ushtrojnë funksione publike, në kuadër të operacionit “Subvencioni”, u arrestuan në flagrancë inspektori i AZHBR-së Arbri Pajo dhe blegtori Shaban Zaçe. Arbri Pajo me detyrë inspektor i Angjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural në Korçë, ka pranuar ryfshetin e ofruar nga Zaçe për të përfituar në mënyrë të parregullt një sasi më të madhe parash nga subvencionet me vlerë 1.000.000 lekë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Subvencioni”. Operacioni, nga Seksioni për Krimin Ekonomiko-Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, pas një hetimi tremujor për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kryer kundër veprimtarisë shtetërore nga personat që ushtrojnë funksione publike. Pranoi ryshfet për të favorizuar një blegtor, që të përfitonte në mënyrë të parregullt një sasi më të madhe parash nga subvencionet, vihet në pranga inspektori i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural në Korçë. Vihet në pranga edhe blegtori që ofroi ryshfet.

Sekuestrohet një shumë parash që u pranua si ryshfet.

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike kundër veprimtarisë shtetërore, pas një hetimi tremujor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Subvencioni”. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:


  • Sh. Z., 38 vjeç, banues në Ersekë;
  • A. P., 35 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, me detyrë inspektor terreni pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Nga informacionet e grumbulluara gjatë hetimeve, si edhe falë mirorganizimit të punës nga ana e shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtyre shtetasve, në lagjen nr. 8, Korçë, në momentin kur shtetasi Sh. Z., përfitues i subvencionit për bagëtitë, po i ofronte ryshfet (90.000 lekë), inspektorit të AZHBR-së, me qëllim që Sh. Z. të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se inspektori A. P., duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë.


Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. P., shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale 90.000 lekë, që dyshohet se i ka pranuar si ryshfet nga 38-vjeçari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 129, çdo rast të korrupsionit, duke iu siguruar atyre anonimatin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit.