Histori e shkurtër shqiptare në qendër të Romës

Nga Ermal Telha:

E hënë, ora 13:30 diku tek Piazza Venezia. Shkoi koha e drekës dhe u kthyem në një restorant të thjeshtë por të hijshëm, në një qoshe rruge. Ndërkohë që po i hidhnim një sy menusë dhe çmimeve (ndjesë për ndonjë që mund të ofendohet, por e bëj thuajse gjithmonë), mikpritësi rreth 50 vjeçar dhe i qeshur, na pyeti në anglisht prej nga ishim. Pasi i thamë nga Shqipëria, menjëherë tha: mirë se vini ju lutem, urdhëroni! Ishte italian, jo shqiptar dhe kishte mësuar disa fjalë shqip.

Pas tij erdhi kamarieri, italian edhe ai që kishte mësuar disa fjalë më tepër shqip dhe nuk na i kurseu mirësjelljen me fjalët tona. Porositëm, ushqimi erdhi shpejt dhe shumë cilësor, ndërkohë menaxheri na buzëqeshi në largësi dhe na ofroi diçka shtesë nëpërmjet stafit. E kapa menjëherë që ishte shqiptar dhe pasi e falenderova, u ulëm për një bisedë të shkurtës sa na lejoi koha.

Landi është nga Fieri, baba i dy fëmijëve dhe ka ardhur në Itali në 2006. Ai nuk ishte thjesht menaxheri, por bashkë-pronari, madje jo vetëm i këtij restoranti por edhe i katër të tjerëve në Romë, me rreth 100 të punësuar.
Mes vështirësive, ja kishte dalë të ngjitej aty ku u takon njerëzve të punës. Tashmë janë të shumtë – më tha, shqiptarët që kanë hapur restorantet e tyre kudo në Itali dhe ecin shumë mirë.


Mu bë zemra mal! E përgëzova dhe e lamë të takohemi sërisht shumë shpejt, në Romë a në Tiranë, kudo qoftë, me respekt të ndërsjellë. Historitë si e Landit në fakt duhet të zenë vendin kryesor në portale e kronika, se u helmuam çdo ditë nga vrasjet, sherret, aksidentet, dhuna e helmi.

Advertisement