Çmimi i naftës në bursë arrin në nivelet e para-luftës/ Në Shqipëri Bordi vjen me shënim të veçantë : “Jemi në monitorim….

Bordi i Tranparencës rriti një ditë më parë çmimin e hidrokarbureve me 9 lekë për litër, ku nafta po shitet aktualisht me 252 lekë për litër, nga 243 lekë që ishte, ndërsa benzina po shitet me 241 lekë litri, kurse gazi me 81 lekë. Ndërkohë që duhet theksuar se Bordi i Transparencës, gjithnjë pas njoftimit për ndryshimin e çmimeve vendos edhe një shënim të veçantë ku shkruan: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”.

Por mesa duket këtu vlen të përdoret ajo shprehja: “Tjetër themi e tjetër bëjmë”, pasi nafta në bursë ka rënë, ndërkohë në Shqipëri çmimi i naftës është rritur me 9 lekë.

Sot në bursë prej orës 18:40 të mbrëmjes, çmimi i një fuçie naftë ka shkuar 96.03 dollarë, çmim i cili është më i lirë se ai që shitej para luftës në Ukrainë, ndërkohë që në Shqipëri 1 litër naftë shitej afërsisht me 200 lekë litri.

Jo më larg se një muaj më parë, pikërisht në 17 qershor kur nafta në bursë tregohej me 116.81 dollarë, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 265 lekë litri, që i bie të jetë shitur 13 lekë më shumë se çmimi aktual.


Ndërsa në bursë çmimi i naftës është duke rënë në Shqipëri vijon dhe ngrihet. Kujtojmë që 96 dollarë fuçia e naftës në bursë ka qenë në datë 23 Shkurt, një ditë para nisjes së luftës në Ukrainë, pikërisht kur në Shqipëri ishte me 200 lekë litri i naftës.

Mesa duket ngritja e Bordit të transparencës nuk po reflekton çmimet e bursës, dhe pyetja që me të drejtë çdokush mund të ngrejë, është se kur Bordi thotë: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, kujt burse i referohet?/ ABC

Protesta e 7 korrikut/ PD kërkon leje në polici, ja sa do të zgjasë tubimi i opozitës…

Partia Demokratike ka kërkuar leje në policinë e Tiranës nga ora 19:00 deri në 21:00 për zhvillimin e protestës së nesërme para godinës së Kryeministrisë. Mësohet se për mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen në terren 1200 forca policie dhe se mënyra e organizimit të tyre do të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit të kryeministrisë do të jenë punonjësit e rendit dhe efektivët e repartit “Shqiponja” ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme.


Pogradec/ Zjarri përfshin banesën, ja çfarë raportohet…

Një banesë është përfshirë nga flakët këtë pasdite në fshatin Rëmenj të Pogradecit. Sipas policisë, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., rreth 38 vjeç, fatmirësisht raportohet vetëm për dëme materiale.

Njoftimi i policisë:

Pogradec/Informacion paraprak

Më datë 06.07.2022, rreth orës 16:00, jemi njoftuar se në fshatin Rëmenj, Pogradec, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., rreth 38 vjeç. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, ku falë ndërhyrjes së tyre zjarri u vu nën kontroll. Nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.


Dje nafta u rrit 9 lekë ,sot ulet po me 9 lekë/ Bordi i Transparencës luan me çmimet…

Ende pa u mbushur 24 orë nga mbledhja e fundit, Bordi i Transparencës, ka vendosur që të ndryshojë sërish çmimin e karburanteve në vendin tone. Nafta i është rikthyer vlerës prej 243 lekë për litër, nga 252 që u vendos një ditë më parë. Benzina do të shitet me 229 Lekë për litër nga 241 lekë për litër, ndërsa gazi me 81 lekë për litër. Këto çmime do të hyjnë në fuqi pasditen e sotme në orën 18:00.

Njoftimi:

Bordi i Transparencës në datë 6 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 243 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 231 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 229 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 217 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me pakicë 69 Lekë /litri.

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 6 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.


🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë

Pak orë gjumë dhe pa ngrënë/ Tayna zbulon përditshmërinë dhe angazhimet e saj…

Reperja e njohur shqiptare, Tayna është kthyer në një nga emrat më të njohur dhe më të suksesshme te momentit. Tani që ka filluar sezoni veror, kur artistët janë edhe më të angazhuar me koncerte, Doruntina Shala (emri i plotë) ka zbuluar përditshmërinë e saj përmes një video të shkurtër. Teksa tregon për tre koncertet e radhës në tre vende të ndryshme, Tayna thotë se nuk arrin të pushoj mjaftueshëm e as të ushqehet me kohë. Në video reperja shihet ndersa udhëton me ekipin e saj për në koncerte, përgatitjet para tyre të cilat finalizohen me ngjitjen në skenë. Tiranë-Jalë-Zurich me vetëm disa orë gjumë dhe pa kohë për të ngrënë. Mirë se vini në përditshmërinë time”, ka shkruar Tayna në mbishkrimin e videos.


Ministrja Balluku: Nëse qytetarët nuk duan bordin, do ishte e thjeshtë shpërndarja e tij…

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se nëse qytetarët nuk do ta dëshironin Bordin e Transparencës, do të ishte gjëja më e thjeshtë që ky bord të shpërndahej.Deklaratën, Balluku e dha në një intervistë për Euronews Albania, ku shtoi se qeveria u detyrua për të mbajtur bordin, për të ruajtur çmimet.

“Ne jemi detyruar që të kemi këtë bord, vetëm për të ruajtur tavanin e çmimit dhe për të mos lejuar që ky çmim të shkojë më lart.

Nëse qytetarët nuk do ta dëshironin këtë bord, padyshim do ishte veprimi më i thjeshtë, të mblidheshim në mbledhjen e fundit dhe ta shpërndanim këtë bord pasi e ka kryer detyrën dhe ka mbajtur këtë çmim aq sa ka mundur”, tha ajo.

Sipas Ballukut, askush nuk e ka kënaqësinë që të jetë në këtë bord dhe të prekë tregun e lirë, por theksoi se po jetojmë jemi në kohë krizash.