Festoi 40 vjetorin/ Eneda Tarifa flet për një martesë të dytë:” Do ta marr jetën si të më vij,humba kohë me të..

“Cep më cep” është kënga e sapo publikuar nga Eneda Tarifa dhe Renis Gjoka. Këngëtarja gjatë intervistës në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin tha se kjo është një nga këngët, të tjera pritet që t’i realizojë. Eneda ka vetëm pak muaj që ka mbushur 40 vjeç, ndaj Ermali e pyet nëse ky moment ishte reflektues dhe një etapë rilindjeje për të.

Ndër të tjera tha se gjatë këtij reflektimi, i ka kushtuar kohë edhe personave që nuk duhej apo që i është kushtuar diçkaje që nuk i ka dalë ashtu siç duhet. Megjithatë ajo nënvizoi se përpjekja gjithmonë ia vlen.

“Ndodhi një reflektim i madh me veten time patjetër dhe refleksionet ishin të tipit; që ta shijoj pak më shumë atë që bëj, pak më pak vrull se çdo gjë bëhet. Pak më shumë vlerësim për veten. Kam humbur kohe me ata që s’duhej.”

A do të ketë një martesë të dytë nga Eneda?

“Mendoj që të flasësh për martesa, fejesa, bashkëjetesa është e kaluar për mua. Po të jap një përgjigje shumë konçize; do ta marr jetën si të më vij. Po erdhi le të vij. Bujrum, derë e hapur.”


Gjatë rubrikës “5 minuta”, Ermali e pyet nëse do të dëshironte një fëmijë të dytë dhe këngëtarja pohoi duke thënë “Po”, e po ashtu teksa i bën pyetjen se me kë i ka telefonatat më të gjata, u mendua e tha duke qeshur “Mami”.

Pezullohen nga puna 5 policë të rrugores në Tiranë: “Vendosnin gjoba padrejtësisht dhe falsifikonin të dhënat në radar”

Pesë punonjës të policisë pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë janë pezulluar nga puna. Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre.”

U pezulluan nga detyra:

– Inspektor Albi Meta, 33 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Euklid Meci, 31 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Ilirjan Kalemi, 40 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Gerald Shabani, 26 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;


– Inspektor Jurgen Muha, 27 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë

Hetimet:

Në vijim të hetimeve për procedimin penal nr. 5333/2021, pas arrestimit në flagrancë të 2 punonjësve të Policisë Rrugore në datë 03.03.2022 dhe analizimi i të dhënave/fotografive të realizuara nga radari i sekuestruar, u administruan prova dhe fakte se punonjësit e mësipërm të policisë, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale si agjent verifikues pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me masa administrative në mënyrë arbitrare, si dhe duke falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari në kundërshtim me ligjin.

Si pasojë kanë sjellë dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe cenimin e interesave të ligjshëm të shtetit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë vazhdojnë hetimet për përfshirjen e punonjësve të tjerë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

Çmenduri në Selanik/ Persona të maskuar sulmojnë me thikë Shqiptarin ndërsa ishte duke punuar në restorant…

Dy persona të maskuar kanë sulmuar me thikë një shqiptar në Selanik. Sipas medieve greke 44-vjeçari me origjinë shqiptare ishte duke punuar në një restorant në Selanik të Greqisë, momentin që autorët e sulmuan me thikë. Shqiptari është plagosur në këmbë, ndërsa mësohet se është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Për fat të mirë gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut jetën. Policia helene është vënë në kërkim të dy autorëve.


Në klasë të parë që 5 vjeç/ Ja propozimi i Ministrisë së Arsimit…

Edhe një 5-vjeçar mund të futet në klasën e parë, me kushtin që të mbushë 6 vjeç brenda 31 dhjetorit të atij viti. Këtë propozon Ministria e Arsimit dhe Sportit në projektligjin e ri të arsimit i nxjerrë në konsultim publik. Për ekspertët e arsimit, që kjo të ndodhë nevojiten disa kushte.

“Ka studime në mbarë botën që mosha e pjekurisë së fëmijës për të vazhduar shkollën është mosha 6- vjeçare. Nëse do e fusim këtë, fëmija detyrimisht duhet të ndjekë një vit parashkollorin dhe të ketë një referencë të posaçme nga mësuesi”, thotë Fatmit Vejsiu, ekspert arsimi.

Ky propozim sipas Ministrisë së Arsimit, është bërë duke u mbështetur në ndryshimet e zhvillimit aktual të fëmijëve .Një nga ndryshimet e reja që propozon ministria është se nuk do lejohet në arsimin parauniversitar asnjë mësues apo punonjës i dënuar më parë për vepra penale që lidhen me të miturit.

Të tilla propozime vijnë pas rasteve të përdhunimeve dhe ngacmimeve seksuale që mësuesit kanë kryer me të mitur.


Sipas Ministrisë së Arsimit ky propozim bëhet për të mbrojtur fëmijët nga individë me potencial rreziku. Ky parashikim shihet si një mundësi më shumë për parandalimin e përsëritjes së veprës penale ndaj të miturive. Projektligji me të tilla ndryshime është në fazë konsultimi publik.

Mashtronin të huajt për të investuar në bursa fiktive, arrestohet pronari i Call Center-it dhe 2 punonjës në Tiranë…

Pronari dhe dy punonjësit (operatorë) të një Call Center-i në Tiranë janë arrestuar, pasi mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive (Forex). Gjithashtu janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt. Policia njofton se ka sekuestruar 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Snare”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Enrik Shehi, 29 vjeç (administrator i subjektit call center), Armend Haxhiu,., 26 vjeç dhe Igli Isufaj, 20 vjeç (operatorë në call center), të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. S., 25 vjeç, G. R., 22 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Enrik Shehi, administronte, në bulevardin “Gjergj Fishta”, një subjekt privat call center, të paregjistruar në organet kompetente.


Në vijim të veprimeve ka rezultuar se shtetasit A. H., I. I., E. S., G. R., dhe A. H., të punësuar si operatorë në subjektin call center, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursë fiktive (Forex).

Si rezultat i operacionit, u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të, si dhe konfiskimin e aseteve që kanë burim këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licensë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Falet Kurban Bajrami në Korçë, qindra besimtarë lutje e mesazhe dashurie

Qindra besimtarë myslimanë në Korçë kanë falur në orët e para të mëngjesit namazin e Kurban Bajramit. Besimtarët i janë drejtuar xhamisë së qytetit ku kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje. Ashtu si dhe vitet e tjera, shkallët dhe xhamia janë mbushur plot me besimtarë të të gjitha moshave. Vlen të theksohet se përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë. Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet.