Qeveria rrit edhe çmimim e druve të zjarrit/ Gjoba për ata që i ngarkojnë me gomar dhe kalë…

Teksa çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve në vend vijojnë të rriten, duket se të njëjtin fat do të kenë dhe çmimet për lëndët drusore . Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë çmimet e druve për përdorim për qytetarët dhe industrinë. Në projektvendimin e nxjerrë për konsultim publik nga qeveria për miratimin e çmimeve dhe tarifave për veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar vërehet një rritje e çmimit të të gjitha llojeve të lëndës drusore. Sipas këtij projektvendimi do të ndryshojë dhe rritet me gati 50 për qind çmimi i ahut, dushkut, pishës dhe bredhit si lëndë kryesore që shërbejnë për dru zjarri. Deri më sot një m3 ah i madhësisë me gjeri deri në 22 cm kushton 1300 lekë dhe mbi 22 cm kushton 2400 lekë.

Por ky projektvendim e rrit çmimin për kategorinë e parë në 2000 lekë dhe 3500 për të dytën, duke i rritur përkatësisht me 700 dhe 1100 lekë. Një rritje të konsiderueshme do pësojë edhe dushku. Sot një m3 me gjerësi deri në 22 cm kushton 1500 lekë dhe 2700 lekë mbi 22 cm gjerësi.

Çmimi i një m3 dushk i gjerësisë deri në 22 cm do jetë 2500 lekë dhe mbi 22 cm do rritet në 4000. Në treg do të ndryshojë edhe çmimi i drurit të pishës dhe një rritje akoma më të madhe do të pësojë edhe bredhi. Po ashtu do të pësojë rritje të konsiderueshme edhe lënda drusore për përdorim të gjerë në industri. Sipas projektvendimit të qeverisë rritje do pësojnë të gjithë lëndët që rendit në kategorinë e parë.


Një m3 arrë, gështenjë, panjë dhe vidh, nga katër mijë e pesëqind lekë që kushton sot, do të rritet në shtatë mijë lekë. Po ashtu, ndryshime do pësojë plepi, rrapi dhe shelgu, ku nga një mijë e shtatë qind lekë sa kushton sot m3, do të shkojë në tre mijë lekë. Për sa i përket kategorisë së tretë, ku bëjnë pjesë bliri, frashëri, gështenja e egër, mështekna dhe vërri, nga tre mijë e treqind lekë m3 sa është sot, do të rritet në pesë mijë lekë.

Kush zë ose përdor pa leje fondin pyjor pa i dëmtuar ato, do të gjobitet me 2 milionë e 5 qind mijë për një hektar. Gjoba të majme do të ketë edhe për fshatarët që do të përvetësojnë lëndë drusore të ndryshme nga fondi pyjor. Kushdo që merr një barrë me dru në krah, ngarkon gomarin apo kalin, do të gjobitet nga administratorët e njësive vendore dhe inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve. Kështu, përvetësim dhe shitja pa leje do të llogaritet në m3, barrë në krah, ngarkesë e kafshës dhe copë.

Gjithashtu kush fshatar vetëngarkohet me dru për përdorim vetjak, do të gjobitet me 3 mijë e 5 qind lekë. Kushdo që do ngarkojë kalin e tij me një barrë për dru zjarri, do gjobitet me 9 mijë lekë dhe kush ngarkon gomarin me dru zjarri, do gjobitet me 6 mijë lekë për një barrë.

Advertisement