Urë e varur që lidh Majën e Kryqit në Moravë me…./Ja projekti që e kthen Korçën në magnet turistik (Video)

Nga Ardit Konomi:

PROJEKTI DEABOLIS synon t’i japë Korçës një peshë të ndjeshme në tregun turistik botëror. Ai konsiston në krijimin e një atraksioni unik për këtë treg nëpërmjet restaurimit të Kalasë së Mborjes dhe ndërtimit të një ure të varur këmbësore që lidh Majën e Kryqit në Moravë me majën në krah të saj ku gjenden rrënojat e Kalasë.
Ura është një kryevepër inxhinierike me gjatësi 800m dhe lartësi 230m, përmasa që e bëjnë më të madhen në botë në llojin e saj si në gjatësi ashtu edhe në lartësi dhe njëkohësisht një magnet të fuqishëm turistik.

Kalaja e Mborjes është një objekt shumë i rëndësishëm historik i Shekullit VI, referencë e njohur historike gjatë Perandorisë Bizantine dhe më pas deri në fundin e Shekullit XVIII kur familja e fundit e mbetur atje u zhvendos në Korçë.
Studiues dhe historianë të njohur, përfshirë këtu edhe François Pouqueville dhe Ligor Mile, e vendosin pikërisht këtu dhe në kodrat e sotme të Kenes, qytetin e Deabolis dhe Kalanë me të njëjtin emër. Të dyja e marrin emrin nga vargmali i Moravës (sot) i cili deri në antikitetin e vonë, përpara pushtimeve bullgare, është quajtur Malet Deabolis.

Ura e propozuar lidh këtë kala deri më tani të paeksploruar dhe të paaksesueshme për shkak të mungesës së rrugëve që çojnë atje, me zonën turistike të Moravës, përkatësisht me Malin e Kryqit. Në këtë të fundit propozohet edhe ndërtimi i një kompleksi që përfshin një skipiste të vogël prej afër 600m atje ku gjendej skipista e vjetër e Moravës. Ajo do të jetë një skipistë thuajse urbane, e shtruar me snowflex, një material risi që po revolucionarizon aplikimin e këtij lloj sporti sidomos në kushtet e mungesës së borës dhe aplikimin në kushte urbane ose suburbane.
Projekti gjithashtu mundëson edhe aksesin e një brezi fosilor detar sipërfaqësor të Paleocenit që gjendet i vendosur prapa të dyja majave në fjalë, në kuotën 1200-1300m/mnd dhe Parkun Natyror të Bredhit të Drenovës dhe Sinicës, së bashku me atraksionet e atjeshme dhe gjithë rrjetin e shtigjeve dhe destinacioneve turistike ekzistente ose në zhvillim e sipër.


Ura është e projektuar me çelik të galvanizuar, e mbështetur vetëm në dy pikat e varjes së saj, me elementë kundër erërave të forta dhe çdo lloji intensiteti rreshjesh. Gjerësia e saj në dysheme është 1.20m ndërsa në parmakë shkon deri në 1.60m. Qoftë dyshemeja po ashtu edhe faqet anësore të saj ndërtohen me elementë zgarë dhe rrjetë çeliku që lejojnë pamje të lirë në të gjitha drejtimet. Kapaciteti mbajtës i urës është 400 persona njëherësh dhe përdorimi i saj mund të ndalohet vetëm në kushte erërash shumë të forta të shkallës Beaufort mbi 8 ose shpejtësi ere mbi 60km/h.

Eksperienca e deritanishme e vendeve që kanë ndërtuar vepra të tilla (së fundmi Zvicra, Portugalia dhe Çekia) tregon për rritje dyshifrore në përqindje së turistëve të huaj që kanë për destinacion kryesor frekuentimin e tyre.


Në rastin tonë, jo vetëm fakti që Ura Deabolis bëhet më e madhja në botë, por edhe vendvendosja e saj me fushëpamje të papenguar nga e gjithë fusha e Korçës dhe vargmali i Moravës, afërsia dhe lidhja unike midis zonës urbane dhe parkut natyror, kombinimi me aktivitetet dhe shërbimet e tjera turistike atje, prezenca e monumenteve kulturore dhe historike dhe aksesi në një zonë fosilore, garantojnë që edhe kur të vijë dita që diku në botë të ndërtohet një vepër tjetër më e madhe se kjo, Deabolis përsëri do të mbetet magnet turistik dhe pasuri për Korçën dhe Shqipërinë.

Për pjesën teknike të projektimit, studimin e gjeologjisë, erërave dhe gjithë përbërësve të tjerë, u bashkëpunua me një kompani zviceriano-gjermane të specializuar në ndërtimin e veprave të tilla.
Kohëzgjatja e pritshme e ndërtimit të urës shtrihet midis 4-7 muajsh dhe po aq edhe restaurimi bazik i kalasë i cili në varësi të gjetjeve të atjeshme mund të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar.
Përgatitja e dizajnit të projektit, fotogrametrisë së zonës dhe modelimit 3D, u mundësuan nga ekipi i MEET dhe Pirro Gjata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: