Rriten gjobat, pakësohen aksidentet/ Publikohen statistikat për 6-mujorin e parë…

Nga Eduard Zaloshnja

Nga të dhënat zyrtare të Policisë Rrugore për 6-mujorin e parë rezulton se është rritur me 62% numri i gjobave të vëna për shkelje të Kodit Rrugor dhe me 110% vlera mesatare e një gjobe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Kështu, nga 219 mijë gjoba vjet, këtë vit janë vënë 356 mijë gjoba për shkelje të Kodit Rrugor. Ndërsa vlera mesatare e një gjobe është rritur nga 1600 lekë (të reja) në 3360 lekë (të reja).

Ndërkohë në 6-mujorin e parë të këtij viti, aksidentet janë pakësuar 14%, të vrarët 15% dhe të plagosurit rëndë 7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Kështu, nga 675 aksidente vjet, këtë vit kanë ndodhur vetëm 581 aksidente; nga 105 të vrarë në aksidente vjet, këtë vit kanë vdekur nga aksidentet vetëm 89 shtetas; dhe nga 105 plagosje të rënda vjet, këtë vit janë plagosur rëndë vetëm 98 shtetas.

Nga këto të dhëna të 6-mujorit të parë, duket se ka një korelacion të fortë mes rritjes së gjobave dhe pakësimit të aksidenteve (dhe pasojave të tyre tek qytetarët). Siç është raportuar më parë në media, në 6-mujorin e parë është shtuar si numri i automjeteve të regjistruara në vend, ashtu edhe numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri (krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar).


Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: