Në këtë vend të gjithë ulërijnë, asnjë nuk shpjegon!

Nga Dalina Buzi!

Sa rrëmujë jemi ne si vend. Rrëmujë në tokë, e rrëmujë në det. Rrëmujë kur nisim projekte të mëdha, rrëmujë midis e rrëmujë në fund. Edhe kur diskutojmë pas një tragjedie të madhe, diskutojmë rrëmunjë. “E ka fajin media”, “E ka fajin opozita”, “ E kanë fajin këta me zinxhira floriri”, “Bllokojmë gjithë skafet”, “Bllokojmë gjithë makinat e shtrenjta”.

S’dalin njerëz që të shpjegojnë me qetësi që çfarë problemesh ka dhe si mund të shmangim tragjedi të tjera në det, po merren me kush ja bleu skafin kujt. A thua se këta që ankohen, kur ulen në skafe për xhiro, pyesin se me ça lekësh është blerë, “Është blerë me lekë droge, tenderash të vjedhura, inavsion fiskal?”

E gjithë kjo rrëmujë vjen sepse ky është një vend, që ende se di nëse ka ujë depozite apo ujë të rrjedhshëm, nëse telat elektrike i ka instaluar tamam apo vazhdon i merr nga lidhjet e vjetra, këtu s’dinë pse ikin jashtë e s’dinë pse qëndrojnë, s’dinë ç’bukë po hanë, këtu zbrazet Shqipëria e shtohen pallatet, këtu reklamohet shëndetësia falas, e prapë paguhet, këtu të gjithë thonë s’kanë e prap gjejnë për makina e çanta.


Këtu shtrëngohet ligji në një vend dhe krijohen shërbime për ta thyer atë ligj diku tjetër, këtu vazhdojnë i japin policëve 2000 lek për t’i shpëtuar një gjobe me të njëjtën shifër, këtu ngrihen sisteme të automatizuara për të lehtësuar shërbimet ndaj qytetarëve e prapë zgjidhen hallet me telefona e të njohur, këtu shtrydhin trutë për arsimimin e në finish janë me të tjerë që kanë dhënë lekë, këtu pastrohen rrugë, ndërtohen parqe e vendosen kosha plehrash dhe çdo ditë prap qelben po ato rrugë e parqe, mu afër koshit të plehrave.

Ky është një vend ku e reja, inovacioni, dëshira për t’iu afruar perëndimit, përplaset çdo ditë me rezistencën e të vjetrës, ku riciklojnë fytyra të daëa boje me parti të reja, ku ushqehen me lekë droge e prostitucioni e ulërasin “kurvë” nëpër komente, ku meidat që shesin lajme për llaç e tulla, të flasin për korrupsion e krim.


Ne presim për drama, presim për tragjedi, presin të na çirret gurmazi duke fajësuar këdo përreth, largojmë veten nga çdo përgjegjësi dhe ja kalojmë atë tërësisht shtetit apo njeriut të përfshirë në krim. Asnjë nuk pyet veten” Nëse do të isha në gomone, do t’i thoja drejtuesit që mos u afro aq shumë me bregun?” Dyshoj.

Dyshoj sepse ndoshta as unë s’do ta thoja. Sepse s’do ta mendoja. Sepse në këtë rrëmujën tonë të një vendi shumë të vogël, në këtë mungesë të theksuar ndërgjegje qytetare që barazpeshohet me rrëmujën në zbatimin e ligjeve, secili në në fund të ditës, bën siç i thotë truri. E bën se nuk ka frikë. Se çdo gjë rregullohet. Askush s’merr mësim dhe vazhdojmë.

Advertisement