Shqiptarët “gjelbërojnë” malet greke me “bar”,transferojnë edhe puntorët besnikë,u japin nga 30 mijë €

Mediat greke shkruajnë se duke iu referuar hetimeve të deritanishme të Administratës së Drogës, pjesëtarët e grupeve kriminale nga Shqipëria kanë transferuar kultivimin e kërpit indian në malet greke. Kufizimet e qarkullimit dhe mbyllja e kufijve për shkak të koronavirusit – sipas vlerësimeve të Prokurorisë – ishin ato që sollën fillimisht kultivimin mjaft fitimprurës të hashashit në Greqi, në vend të importit të tij nga Shqipëria. Por megjithëse masat kufizuese të lëvizjes së pandemisë janë hequr, kultivimi i drogës vazhdon ende në malet greke nga grupet kriminale shqiptare.

Për nevojat e kultivimit nga Shqipëria janë shpërngulur edhe punëtorët që paguhen me ar për të jetuar në mal gjatë sezonit të mbjelljes. Nga gjykimi i rasteve të mëparshme bëhet e ditur se të arrestuarit në Larisa kanë marrë një shpërblim në të holla prej 30 mijë eurosh, ndërsa me të korrat në formë bonusi do të merrnin edhe 10 kilogramë hashash, të cilin mund ta shisnin ose shfrytëzonin si të dëshironin.

Punonjësit shqiptarë të hashashit e njohin kultivimin, por më së shumti e njohin jetën në male, pasi kampin në mal e bëjnë nga prilli, duke kultivuar varietete “tremuajshe” deri në tetor.


Në rastet e Larisës dhe veçanërisht në Mavrovouni Agia, kultivuesit kur vihen re nga Policia “ngjiten” në zona më të larta ose kur nuk bien në sy, pastrojnë sipërfaqet pyjore për sezonin e ri të rritjes.

Sipas informacioneve, “E”, 30-vjeçari i arrestuar dhe “koka e grupit” të kultivimit, siç e cilëson policia greke, i cili u identifikua pardje nga efektivët Larisës në Sklithro, dyshohet se është përfshirë edhe në një parcelë që u zbulua në tetor 2020 në Rakopotamos.

Me plantacionin e djeshëm, me fjalë të tjera, brenda një periudhe dyvjeçare, në të njëjtin mal (Mavrovouni) të Agisë u zbuluan tre plantacione të mëdha në tre zona të ndryshme, malore dhe të paarritshme (Elafos, Rakopotamos, Sklithro).

Ashtu siç u konfirmua edhe në plantacionin e djeshëm, autorët po organizojnë jetesën e tyre, pasi do t’u duhet të qëndrojnë me muaj në mal. Kështu, ata ndërtojnë rezervuarë të improvizuar për ujitjen e plantacioneve, blejnë mallra bujqësore (plehra, tubacione ujitje me pika, etj.), si dhe sigurojnë ushqim afatgjatë, ndërsa të veçanta janë masat paraprake, kryesisht me anë të vëzhgimit nga ajri, pasi zonat e mbjella, për shkak të pozicionit të pakalueshëm, është e pamundur t’u afrohesh në këmbë.

Në plantacionin e djeshëm të hashashit në Sklithros, në zonën “Elafokerato” (në lartësinë 600 metra nga niveli i detit) përveç 2193 bimëve (plantacioni më i madh që është zbuluar deri më sot në prefekturën e Larisas) që policia sekuestroi, u gjetën edhe 22 kilogramë hashash, pa llogaritur sasinë e korrur në periudhën e mëparshme.


Policia greke vlerëson se nga numri i bimëve të konfiskuara, autorët do të kishin korrur rreth 5 ton hashash, me vlerë 10 milionë euro, përmasa që nga njëra anë konfirmon fitimet e mëdha nga tregtia e substancave të varësisë dhe nga ana tjetër lejon pagat e punëtorëve në mal.

Vlen të theksohet se në banesën e 30-vjeçarit të arrestuar, në një fshat të komunës së Kilelerit, u gjetën dhe u konfiskuan tre pasaporta të shtetasve shqiptarë.

Policia ka identifikuar detajet e tre bashkatdhetarëve të tij, ndërsa kërkon edhe një tjetër si bashkëpunëtor. Kujtohet se, sipas informacioneve 30-vjeçari “E” mohoi akuzën.

Advertisement

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.