Sherri për një vend parkimi, kamarieri masakron me thikë klientin

Një konflikt i çastit ka përfunduar me një viktimë në Sarandë. Policia bën me dije se pasditen e sotme, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i dëmtuar me mjete prerëse një shtetas, i cili pasi është transportuar në spitalin e Sarandës, si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.Viktima është identifikuar si Klodian Bakiaj, 41-vjeç, banues në Tepelenë.

Sherri ka ndodhur pasi Bakiaj ka parkuar makinën para lokalit ku punonte si kamarier Tarja, i cili më pas e ka qëlluar me thikë. Kamarieri Xhanelo Tarja u arrestua nga policia në mbrëmjen e sotme, ndersa mësohet se 24-vjeçari nga Laçi ishte fshehur dy pallate larg vendit në ngjarjes në një garazh

Xhanelo Tarja

“Nis “Korça Beer Fest” 2022/ Qyteti në pritje të 5 netëve të zjarrta…

Në qytetin e Korçës nisi sot e shumëpritura “Korça Beer Fest”, e cila për 5 netë me radhë, në 3 skena, do të sjellë 50 artistë vendas e të huaj në 12 koncerte që sipas Bashkisë do të ndiqen nga një audiencë e pritshme rreth 10 000 pjesëmarrës çdo natë. Për herë të parë, në dy nga ditët e festës, të premte 19 gusht dhe të shtunë 20 gusht, festa do të vazhdojë deri në orën 5:00 të mëngjesit ,brenda Markatës së Shijes, ku organizatorët do të sjellin pas mesnate dy festa rinore me muzike elektronike dhe DJ të njohur.

Festa do të kulmojë me performancën e këngëtarit të mirënjohur grek Kostandinos Argjiros, tek Terminali i Autobusëve natën e së shtunës, 20 gusht, dhe vetëm koncerti i tij do të jetë me biletë.

Emra të njohur të muzikës shqiptare si Anxhela Peristeri ,Aurela Gaçe, Capital T, Eranda Libohova, West Side Family kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë event. Ajo që bie në sy është mungesa e emrit ikonik “Birra Korça” si dhe e artisteve te njohur Korçare si ….Endri & Stefi Prifti, Eli Fara, Devis Xherahu ,Gena ,Mihallaq Andrea etj….

Ishte në pritje të ëmbël/ Me urgjencë nga Saranda drejt Tiranës,mjekët shqiptarë i shpëtojnë jetën turistes italiane

Në një intervistë për Euronews Albania, gazetarja Ortensa Budlla solli rastin e një turisteje e cila ishte dërguar me urgjencë drejt maternitetit të Tiranës.Sabrina, 23 vjeç kishte ardhur me pushime bashkë me të fejuarin 27-vjeçar në Sarandë. Ajo nuk ishte ndjerë mirë dhe kishte shkuar në urgjencën e Sarandës. Gazetarja tregoi se pas një qetësuesi, vajza ishte larguar, por dhimbjet kishin nisur përsëri.

Në këto kushte, mjekët e Sarandës thanë se vajza ka nevojë për një ndërhyrje që nuk mund të kryhej në qendrën shëndetësore atje, ndaj u transportua menjëherë në maternitetin e Tiranës. Menjëherë gjendja e saj shëndetësore u stabilizua, ndërsa mjekët pohuan se një vonesë e vogël mund t’i kishte kushtuar jetën.

Dikur çmendi fansat me fotot e zjarrta nga stadiumet/ Çfare po ndodh me Rike Roçin ?

Rike Roçi ndonëse nuk nuk ka ndjekur rrugën e artit, është një personazh shumë i njohur në showbizin shqiptar. Roçi u bë e njohur në Shqipëri pas pjesëmarrjes në “Big Brother Albania 6”. Pas kësaj periudhe ajo është përfolur shpesh për format e saj trupore. Për këto të fundmit, Rike u bë “e famshme” edhe në Itali. Nuk iu desh shumë kohë që Roçi të pushtonte faqet e para të gazetave italiane. Ajo mori një vëmendje të madhe gjatë Kampionatit Europian të Futbollit në 2016, ku u cilësua si tifozja më seksi.

Format e saj të bollshme, tërhiqnin edhe vëmendjen e kamerave duke e fokusuar shpesh në ekrane gjatë ndeshjeve sportive. Së fundmi, tifozja seksi është më e tërhequr nga mediat rozë, ndonëse nuk mungojnë fotot provokuese në Instagramin e saj.

Gazeta spanjolle promovon Shqipërinë: “Kroacia e re, rivalja e Greqisë, zbulimi i ri për turistët…

Kroacia e re, rivalja e Greqisë apo sekreti i fundit i Europës janë disa nga epitetet me të cilat përshkruhet Shqipëria në një prej gazetave më të njohura spanjolle “El Debate”. Sipas Irene Martel, Shqipëria po bëhet zbulimi i ri për turistët nga e gjithë bota për shkak të kulturës, plazheve dhe çmimeve, që janë shumë më të lira se në vendet fqinje dhe destinacione të tjera të ngjashme. Por, çfarë ka Shqipëria, sipas gazetës spanjolle që i bën ata që e vizitojnë të dashurohen pas saj?

Në artikull përmendet vija bregdetare mes Vlorës dhe Sarandës, e përshkruar si një nga zonat më të bukura në Europën Jugore dhe si xhevahir i detit Jon.

Ksamili apo Parku Kombëtar i Butrinit janë dy destinacione të tjera që sugjerohen më së shumti për tu vizituar. Dhe sigurisht, Syri i Kaltër i cili konsiderohet një nga atraksionet turistike më të famshme në Shqipëri.

Porto Palermo përshkruhet si një ndalesë e detyrueshme dhe që tregon shumë për historinë e vendit. Po ashtu sugjerohen edhe Himara, plazhi i Gjipes dhe Qeparo. Sa i përket çmimeve, Shqipëria konsiderohet si një vend i përballueshëm si për hoteleri ashtu dhe për restorante.

Video:

E rëndë në Sarandë/ Kishte konsumuar shumë alkol, ndërron jetë turisti 33-vjeçar

Një 33-vjeçar italian ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak në qytetin e Sarandës. I riu ka shkuar për ndihmë në spitalin e qytetit bregdetar, por nuk ka mundur t’i shpëtojë sulmit në zemër. Në spital ai ka shkuar direkt nga plazhi pas shfaqjes së problemeve me zemrën. Mesohet se 33-vjeçari kishte konsumuar shumë alkool dhe kur është futur në det nuk është ndjerë mirë. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës ku edhe pse iu dha ndihma e parë mjekësore nuk mundi dot të mbijetonte.

Sarandë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 16:30, në spitalin e Sarandës, ka mbërritur për ndihmë mjekësore shtetasi italian D. N., 33 vjeç, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

I nxehti afrikan mbërrin në Shqipëri, ja sa pritet të shkojnë nesër temperaturat…

Duke filluar nga dita e nesërme vendi ynë do të ndikohet nga një tjetër valë e të nxehtit me masa ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga Afrika e Veriut. Në këtë mënyrë moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në relievet e larta malore të vendit. Gjithashtu për nesër parashikohet edhe rritje e ndjeshme e temperaturave në vlerat e mesditës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 1 – 6m/s. Sipas SHMU në orët e drekes dhe me pas, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 10 – 12m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

në zona malore 15 deri 36°C

në zona e ulëta 15 deri 38°C

në zona bregdetare 19 deri 35°C

Nis nesër pelegrinazhi në malin e shenjtë të Tomorrit, ja plani i masave që duhet të dini…

Në datat 18 – 25 Gusht 2022 do të mbahet pelegrinazhi në Malin e Tomorrit në Berat. Nisur nga kjo ngjarje, policia ka marrë masat për qarkullimin normal të automjeteve dhe të këmbësorëve. Konkretisht, në terren do të jenë 185 efektivë me rreth 42 mjete, të cilat do të mbështeten nga shërbimet e Repartit të FNSH-Fier, si dhe nga Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, të cilat do të mbikëqyrin 24 orë dhe do të menaxhojnë çdo situatë të krijuar në akset rrugore, si dhe në ambientet rreth teqesë në Kulmak, ku dhe do të kryhen ritet fetare.

Për zbatimin e këtij plani masash do të bashkëpunohet me organet e pushtetit vendor, P.M.N.Z.SH.–në, Spitalin Rajonal Berat, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane etj.Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Malit Tomorr (drejt teqesë) do të jetë:

Hyrje e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi Uznovë – Kryqëzimi Plirëz – Teqeja e Kulmakut. Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali Tomorr (Teqeja) do të jenë:

Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) – Rrethrrotullimi i Kombinatit;

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohet të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja Kulmak” dhe kthim.

Sa i përket kufizimeve për automjetet, në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë”, ”Çorovodë – Gjerbës – Mali Tomorrit”, nuk do të lejohet të qarkullojnë mjete të tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, për periudhën 18 – 25 Gusht 2022.

Kufizime do të ketë edhe për autobusët, të cilët nuk do lejohet të qarkullojnë në aksin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

Me anë të këtij komunikimi për shtyp sjellim në vëmendje të drejtuesve të mjeteve që do të marrin pjesë në pelegrinazh, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, të evitojnë përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të përdorin rripat e sigurimit.

Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.Gjithashtu, është i ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në aksin e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve të zbatojnë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku do të lejohet pushimi dhe parkimi i mjeteve.

Sot starton Festa e Birrës në Korçë/ Policia njofton masat…

Më datë 17.08.2022 deri më 21.08.2022, në qytetin e Korçës, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave”, në lagjen nr. 17, si dhe në ambientet e Pazarit të Vjetër, Korçë, nga ora 20:00 deri në orën 01:00, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në vartësi të saj, kanë marrë një sërë masash në drejtim të garantimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin dhe manifestimin sa më të qetë dhe festiv të këtij aktiviteti.

Këto masa konsistojnë në përforcimin e parametrave të sigurisë rrugore, disiplinimin e lëvizjes dhe menaxhimin e trafikut, parandalimin e aksidenteve automobilistike, parandalimin e veprimeve të kundërligjshme në drejtim të krimeve kundër personit, pronës, krimeve financiare, në fushën e narkotikëve, si dhe mbajtjen nën kontroll të personave me precedent kriminal. Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti do të kryen patrullime dhe kontrolle të përbashkëta, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.

Nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore do të merren masa për menaxhimin e trafikut gjatë lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në rrugët: “Midhi Kostani”, “Kiço Greço”, “Marigo Pozio”, në pikat e hyrjes në Terminalin e Autobusave, tek Pazari i Vjetër, si edhe në zonat e tjera përreth ku zhvillohen aktivitetet.


Orientimi i lëvizjes së automjeteve për në vendet e përcaktuara, për parkim, nga Bashkia Korçë, kryesisht përreth Terminalit të Autobusave dhe tek Pazari i Vjetër, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake.

Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe në akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, grupeve të FNSH-së, Forcës Speciale “Shqiponjat”, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë për zgjidhjen e problematikave dhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin pije alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore, ose të zgjedhin përdorimin e shërbimeve të transportit publik për lëvizjet e tyre.

Shërbimet e Rendit do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si nënstacionet elektrike dhe Ujësjellësin, për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.

Të gjithë qytetarët të cilët do të ndeshen me problematika apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë në numrin pa pagesë 129 të Policisë së Shtetit ose të dërgojnë ankesën e tyre tek Komisariati Dixhital, duke ju siguruar një reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Ju faleminderit!

Nuk zgjat shumë ,Bordi rrit përsëri çmimin e naftës

Bordi i Transparencës ka rritur çmimin e karburanteve në vend. Kështu, në mbledhjen e sotme ka vendosur që nafta të rritet nga 221 Lekë për litër në 227 Lekë për litër.Benzina do të shitet me 201 Lekë për litër, kurse gazi do të tregtohet me 78 Lekë për litër. Bordi i Transparencës në datë 17 Gusht 2022, në mbledhjen e radhës vendosi: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.

( Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 Gusht ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Festa e Birrës në Korçë /Rama promovon eventin: “5 netë të zjarrta, pritet të thyejë rekordet e vizitorëve !

Nga Edi Rama:

Festa e Birrës, festa më e madhe dhe më popullore e stinës së verës në Shqipëri nis sot në Korçë, për të vijuar deri më 21 gusht. I konfirmuar si një nga eventet më të mëdha në Shqipëri, me impakt të madh në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, festa edhe këtë vit pritet të thyejë rekordet e vizitorëve nga brenda dhe jashtë Shqipërisë që zgjedhin Korçën si destinacion.

Emra të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj të huaj do të jenë pjesë e spektakleve muzikore që do të mbahen për 5 ditë me radhë”, shkruan Rama.

Sonila Meço revoltohet nga koncerti i Noizy-t në Tiranë: Këngë me tekste banale!

Nga Sonila Meço:

“Në klasën time e dëgjojnë të gjithë”,-thotë ime bijë gati 11 vjeçare teksa sheh rrëmujë në rrugët e Tiranës për koncertin e një repisti, një festival i muzikës rap dhe hip-hop. “Ia kuptoni tekstet?”,- e ngas më tej. “Patjetër, ngjan cool, është i pasur, gocat për të lënë kokën dhe…(këtu ul zërin)…thotë fjalë të ndyra plot. Me atë rast këndojmë këngët e tij dhe ju nuk na bërtisni dot”,- dhe qesh, me një lloj revanshi të ëmbël që nënkupton “hidhu përpjetë sa të duash, më ndalo e ndëshko si të të vijë për mbarë, por ja që kshu…”.

“Ja që kshu çfarë?”, -mendoj me zë të lartë dhe e vogla trembet fillimisht e mandej thotë: “Po ç’të bëj moj, të mbyll veshët kur e këndojnë në klasë, apo kur e vënë në festa ditëlindjeje? Apo kur e dëgjoj në lokale e restorante kur ulemi bashkë? Apo ta bllokoj në Youtube? Po edhe Doja Cat kështu i ka tekstet, edhe Cardi B, Drake…

Madje ma jep pak celularin…”, -dhe zgjat duart teksa ndesh shikimin tim të zgurdulluar nga tekste në anglisht këngësh që nis t’i shoqërojë me një ritmikë të përsosur. Fjalë nga më të ndyrat, fabula nga më ordineret dhe për të më bindur më tregon se kush kryeson chart-et muzikore në botë e në fund më këput në mes me një këngë adoleshentësh ku akti seksual shpjegohet me një tekst bastard dhe kjo qe një ndër më të klikuara në botë dhe “s’ka nxënës në shkollë e lagje mos ta dijë”.

Nuk kam asnjë dëshirë të relativizoj rap-in e hip-hopin shqiptar në mesazhe të ngjashme me atë botëror (këto ndodhin edhe në Amerikë do thoshin mjeshtrat e propagandës). Aq më pak të rikontekstualizoj një koncert, që shumë syresh e ndoqën live, të tjerë e mbështetën në distancë e ca të tjerë edhe ranë telef të justifikoheshin pse kishin qënë aty, për t’u ndjerë në rregull si me shijet e tyre, por edhe me presionin e gjindjes që nuk gjen as muzikë e as art në atë festival.

E pranoj, u ndjeva keq kur shihja atë vajzë të brishtë, delikate, disi të mbyllur në vete, me shije të rralla estetike e mbi të gjitha ime bijë, të më këndonte pasazhe këngësh me tekste nga më banalet, të ashpra, të ndyra me një melodi e ritëm standard, marinuar me gegnishte për me justifiku rimën dhe trendin.

Si ta ndaloja t’i dëgjonte, kur bri nesh buçiste një këngë e ngjashme në një lokal plot me klientë të moshës së tretë. Ku ta izoloj Amarisin, në ç’inkubator? Po shokët e vet? Po lokalet? Restorantet? Po plazhet? Aty do jete ajo lloj muzike, e atij zhanri, e atij teksti, e atij trendi…Se si do merrem unë me time bijë mos traumatizohet nga tekste e pamje është personale dhe çdo prind e ka këtë merak.

Por çfarë më shqetëson përtej “dhunës” së banalitetit (dhe nuk e kam thjesht me sharjet e fjalët e pista, që në muzikën metal që dëgjoja adoleshente kish plot, ama mesazhet, fryma rebele, kundërshtia ndaj sistemeve standardizuese i bënte edhe një strehim të mirë për periudhën kondrapedale që karakterizon adoleshencen)…pra përtej kësaj është investimi reklamues i bashkisë dhe ndonjë institucioni tjetër, zyrtarëve të saj, përfshirja me gjithë stafe, komentet, postimet edhe në faqet publike të drejtuesve i këtyre ngjarjeve muzikore me një tendencë për të përkufizuar e hierarkizuar artistët, këngëtarët, tregtarët, biznesmenët, duke i llokoçitur pa asnjë skrupull në një thes të madh e duke dalë të gjithë prej aty “super artista” që kriter madhor kanë sa njerëz mbledhin në shesh.

Ndoshta bashkia i sheh si kontigjent votuesish për veten dhe çuditërisht ata që bëjnë PR fushatash në më të shumtën e rasteve janë ata që marrin edhe më shumë reklamë për “artin” e “koncertet” e tyre.

Por që bashkia të bjerë telef për ditë me radhë për një koncert që s’paska nevojë as për promovim se i mblidhka me mijëra në shesh (me gjasë edhe time bijë po të kishte insistuar), të vijojë edhe ditë më pas me “ngjarjen” e papërsëritshme më ngjan më shumë hall votash. Me çdo çmim. Pa kushte.

Tani ata 18.000 që ishin në shesh firmosën diku për votën në 2023? Apo ishin minorenë pjesa më e madhe? Që të bjerë rehat bashkia me gjithë staf se s’po i del koha me promovu as Sunny Hill, që për dreq ia mori Prishtina, se e kishte mbyll me atë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Se me koncertin e Rita Orës do mbyllen vrimat e artikullit të fundit të The Guardian.

“Ja pak tekst nga Doja Cat që është idhull i adoleshentëve”,-më çon mesazh ime bijë nga Ipad-i i saj.

“Doing too muchrelax a bit

Acting like that cause your dad’s a bitch

Must be the way that the planets is

Must be your face cause it’s not your dick

I’m a freak, not a masochist

Should’ve known you had the baddest bitch

Left on read and can’t give head

Really, you ain’t shit, need a laxative”

U dënua një javë për këtë, megjithëse më tha se po i zbrazem kot asaj, por në mendje më vinte veç një pyetje, në fushatën elektorale të kujt do këndojë kjo Doja? Të demokratëve a republikanëve në SHBA?

Zv.kryeministrja këshillon shqiptarët për kursim energjie: “Fikni dritat kur dilni nga shtëpia !

Në kushtet e një krize globale energjitike, zvkryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku udhëzon qytetarët shqiptarë që të kursejnë energji. Përmes një postimi në Facebook, Balluku shkruan se kursimi i energjisë është detyrë për çdo qytetar.“Kursimi i energjisë elektrike në ditët e sotme, në kushtet e një krize botërore, është detyrë për çdo qytetar.

Përpara se të dilni nga shtëpia sigurohuni që të gjitha dritat të jenë të fikura. Shmangni ndriçimin e panevojshëm, gjatë kohës që jeni në shtëpi”, shkruan Balluku.

Ligji i çuditshëm/ Çiklistët do pajisen me targa dhe të respektojnë shpejtësinë e lejuar

Çiklistët mund të detyrohen të pajisen me targa nëse hyn në fuqi një ligj i ri në Britaninë e Madhe. Projektligji gjithashtu parashikon që çiklistët të trajtohen njësoj si mjetet e tjera rrugore, duke respektuar edhe shpejtësinë e lejuar në çdo aks. Sipas ligjeve aktuale, vetëm mjeteve motorike u kërkohet të paguajnë siguracione dhe detyrime të tjera në mënyrë që të dalin në rrugë, ndërsa çiklistët janë të përjashtuar nga çdo lloj detyrimi.

Mes politikanëve që mbështesin idenë për kufizimin e shpejtësisë së çiklistëve është edhe deputeti konservator Grant Shapps. Sekretari i Transportit i tha Daily Mail se ai mbështet ndryshimet e ligjeve për t’i bërë çiklistët më të përgjegjshëm.

Shtrenjtohet me 14% çmimi i vezës nga mungesa e prodhimit. Dasmat dhe turizmi rrisin kërkesën

Prej disa ditësh çmimi i vezës është rritur me rreth 14%. Në dyqanet e pakicës veza e hapur nga 22 lekë për kokërr që ishte po tregtohet 25 lekë për kokërr. Çmimi i vezës ka tejkaluar pikun më të shtrenjtë që është shënuar në fund të muajit mars, ku për shkak të ngordhjes së pulave nga influenca aviare një kokërr vezë në dyqanet e pakicës arriti 24 lekë. Dyqanet ushqimore thonë se janë paralajmëruar nga furnitorët e tyre se çmimi i vezës pritet të arrijë në 40 lekë për kokërr, për shkak të mungesës së prodhimit.

Arsyet e rritjes së çmimit sipas ekspertëve të tregut janë mungesa e prodhimit për shkak të ngordhjes së pulave nga influenca aviare e muajit mars dhe pamundësisë financiare të operatorëve për të zëvendësuar pulat, si dhe të rritjes së çmimit të vezës së importit.

Edi Fero ekspert i menaxhimit blegtoral tha për “Monitor” se nga influenca aviare ngordhën 50% e shpendëve. “Dëmi i shkaktuar nga influenca është i dyfishtë në para edhe në kohë. Që të zëvendësohen krerët e ngordhur duhet një cikël 6 mujor. Kompanitë që pësuan dëmin ende nuk kanë dalë në treg me zogj të rinj. Për të përballuar kërkesën në këtë periudhë ka pasur import të lartë të vezëve kryesisht nga Serbia. Por edhe çmimi i vezës së importit është rritur. Për këto arsye çmimi i vezës ka shënuar sërish rritje në treg”, pohoi ai.

Për periudhën janar-qershor 2022 importet e vezëve arritën në shifra rekord.

Rritja nisi në muajin mars ku shpendët u prekën nga influenca aviare, duke arritur pikun për muajt maj dhe qershor. Sipas të dhënave të doganave për periudhën janar-qershor importet e vezëve janë rreth 25 herë më të larta se e njëjta periudhë e 2021.

Në total në këtë periudhë janë importuar 380,7 mijë kg vezë nga 15,4 mijë kg vezë që u importuan vjet. Tendenca e lartë e importeve të vezëve është shënuar edhe në 2015. Në raport me këtë periudhë importet e janar-qershor 2022 janë rreth 2,5 herë më të larta.

Në këtë periudhë ka një boom kërkesash për këtë produkt ushqimor. Sipas ekspertit të menaxhimit blegtoral Edi Fero kërkesa është nxitur nga numri i lartë i dasmave të muajit gusht dhe nga fluksi i turizmit. “Deri në fund të muajit gusht kërkesa për vezë pritet të jetë e lartë”.

Sakaq operatorët pohuan se në muajin korrik nga fermat blegtorale çmimi i vezës me shumicë u ul 5%. Para valës së rritjes së çmimit të drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë ishte 13 lekë për kokërr.

Në mesin e muajit mars veza me shumicë nga fermat u shit me 18 lekë për kokërr (rritja 38%) nga 15 lekë për kokërr që ishte më parë, ndërsa në dyqanet e produkteve ushqimore çmimi i vezës arriti 19 lekë nga 17 lekë për kokërr që shitej më parë. Në fund të muajit mars çmimi i shitjes së vezës nga dyqanet e pakicës arriti në 24 lekë për kokërr. Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve ishte mungesa e prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare. /Monitor