“Bëri të fortin me Benz“ duke mos i qëndruar postobllokut/ Momenti kur arrestohet nga policia

Qarku Korçë ,Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”, finalizohet episodi i 190-të i tij, vihet në pranga 1 shtetas. Ndalohet edhe 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Perimetri 187”, finalizuar tre javë më parë. Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

  • B. M., 46 vjeç, banues në fshatin Trestenik, Devoll, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Trestenik, Devoll, automjetin tip “Benz”, me të cilin kishte dyshime se transportoheshin emigrantë të paligjshëm dhe i kanë bërë me shenjë drejtuesit të tij, shtetasit B. M., të ndalonte. Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por më pas, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, 46-vjeçari u kap dhe u neutralizua.

Në brendësi të automjetit të tij u gjet një emigrant i paligjshëm, të cilin kundrejt shpërblimit, shtetasi B. M., dyshohet se do ta transportonte në drejtim të Greqisë.

Nga ana e Policisë po punohet për vënien para përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal njofton policia.


Advertisement

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.