Çmenduri Shqiptare/ I moshuari grabit vajzën e sëmurë,e le vetëm me rrobat e banjës

Një ngjarje aspak e bukur dhe e dënueshme ligjërisht është regjistruar në vendin tonë. Një veprim i ulët nga një i moshuar…ku nje vajzë e sëmurë me disleksi (vështirësia e të nxënit) është grabitur në një nga plazhet shqiptare. “Kam humbur gjithçka, më ndihmoni të gjej hajdutin”, shkruan vajza në rrjetet sociale. Ajo quhet Marinela Marku së cilës i kanë vjedhur çantën e shpinës me të gjitha sendet me vlerë si edhe pajisjet elektronike Apple që kishte brenda. Ajo ishte duke notuar në det kur hajduti i ka përlarë gjithçka që kishte. Marinela tregon se disa njerëz i kanë dhënë para dhe rroba, duke qenë se hajduti i kishte marrë dhe rrobat e trupit duke e lënë vetëm me ato të plazhit. Ndërkohë, policia përmes kamerave të vëzhgimit ka identifikuar hajdutin. Por ende nuk e kanë gjetur. Videoja e saj mblodhi mbi dy milion shikime në Tiktok.

Meta nga Jala: “T’i japim fund kësaj drame, ditët e para të shtatorit, një pranverë e vërtetë

Kreu i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar sërish mbrëmjen e sotme një bashkëbisedim me të rinjtë në kampin e Jalës. Gjatë fjalës së tij, ish-presidenti Meta tha se beteja për 200 vitet e ardhshme është që “nuk kemi atdhe për të humbur”. Ai i ftoi të rinjtë që të bashkohen për të shporrur qeverinë e cila sipas Metës, punon për një pakicë të pangopur. Ju e dini kush është beteja jonë, është beteja për 200 vitet që vijnë. Nuk kemi atdhe për të humbur.

Fundi i kësaj drame është që rinia dhe mundësitë për integrimin e saj këtu, për mundësitë e reja që jepen këtu, është prioriteti i prioriteteve tona. Unë jam shumë optimist që ditët e para dhe javët e para të shtatorit do të jenë një pranverë e jashtëzakonshme edhe pse shumë e vonuar. Dhe është e vërtetë siç ia kam thënë atij djalit nga Vlora dhe e kam menduar shumë mirë se “pranvera vjen çdo ditë, por rinia veç njëherë”.

Ndaj duhet triumfi i lirisë mbi tiraninë.

Ne do të fitojmë dhe do t’u japim lirinë dhe patronazhistëve dhe ata do ndihen më të mirë dhe do kenë mundësi të shkëlqyera. Dhe mos harroni ‘It’s the Final Countdown’. Iku koha e ndeshjeve të trukuara dhe opozitës në xhepin e Edi Ramës. 90% e shqiptarëve presin ndryshimin dhe e presin tani”, tha Meta.

“Udhëtim 100% i sigurt në Angli ”/ Ja si trafikantët shqiptarë ‘bëjnë namin’ në TikTok dhe joshin të rinjtë

Inteligjenca e Britanisë së Madhe ka publikuar një raport ku thotë se 4 në 10 emigrantë janë shqiptarë. Shumica e trafikantëve i joshin emigrantët përmes rrjetit social TikTok. Ata publikojnë aty edhe çmimet dhe ofertat e tyre duke iu bërë thirrje emigrantëve që mund t’i kalojnë nga Franca për në Britani me gomone. Ata kanë paraqitur edhe një ofertë të çuditshme, ku i bëjnë thirrje shqiptarëve se mund t’i kalojnë falas për në Angli dhe se udhëtimi është 100 për qind i sigurt. Në ofertat që paraqiten në TikTok, trafikantët shkruajnë se kryejnë udhëtime nga Shkodra për në Dunkirk.

“Udhëtime të përditshme Shkodër në Dunkirk. Për më shume info DM (Direct Message).”Një tjetër shkruante: “

Një tjetër shkruante: “Udhëtoni çdo ditë. 100 për qind e sigurt.” Në publikimet e tyre shfaqen foto, video, dhe minibusëve që ofrojnë shërbimin së bashku me një ftesë të hapur për njerëzit që të regjistrohen duke u dërguar mesazhe trafikantëve, shkruajnë mediat britanike.

Një tjetër postim në TikTok tregonte një video të një shoferi minibusi teksa i cili thoshte se: “Djemtë sapo filluan udhëtimin për në Dunkirk. Thanx djema. Zoti ju ndihmoftë. Nxitoni! Informacionet i merrni në DM”.

Burimet e emigracionit në Shqipëri kanë raportuar se refugjatët që hyjnë në tratativa të tilla rrezikojnë të bien pre e bandave të trafikut të drogës.

Aksident i frikshëm në Fier-Lushnje, makina kthehet me rrota përpjetë…

Një aksident me pasojë plagosjen e tre personave ka ndodhur këtë mbrëmjre në autostradën Lushnjë-Fier në vendin e quajtur Bishqem. Një mjet me targa të Kosovës është përplasur me një mjet me targa ‘AA873XN’. Shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonin të dy mjetet në kohën që janë përplasur me njëra-tjetrën në tentativë parakalimi të mjetit Opel me targa të Kosovës ka shkaktuar goditjen dhe me trafikndareset e të dy mjeteve. Nga shpejtësia mjetet kanë përfunduar me qindra metra larg njëri-tjetrit. Policia e qarkullimit rrugor në vendngjarje po disiplinon trafikun dhe po merren me dokumentimin e aksidentit. Te lënduarit janë transportuar me ambulancë në spitalin e Lushnjës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Meta paralajmëron: “Do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, Rama do rrëzohet, siç ndodhi kur la basketbollin

Ilir Meta tha sot se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe këtë opozita do ta bëjë të realizueshme në bashkëpunim me popullin e Shqipërisë.“Do e realizojmë me bashkëpunimin e popullit, Rama do rrëzohet si e meriton, siç ndodhi kur la basketbollin, para një gjigandi me vendosmëri të përditshme për ti rikthyer fuqinë popullit dhe institucioneve”, tha Meta. I pyetur në intervistën për FaxNews sesi do shkohet në zgjedhje, meta u përgjigj: “Jam i bindur që ekziston një vullnet i përbashkët për t’u kthyer fuqinë qytetarëve, primaret, referendumi janë shtylla të forta”.

Rudina Magjistari feston ditlindjen, nuk do ta besoni sot sa vjeç mbush(Foto)

Moderatorja shume e dashur per publikun Rudina Magjistari feston sot ditëlindjen. Ajo u lind në Tiranë më 26 gusht 1975 dhe sot feston 47-vjetorin e lindjes. Karrierën e saj në televizion e ka nisur që në moshën 15-vjeçare, duke realizuar dhjetëra e dhjetëra programe dhe formate televizive. Prej vitesh drejton programin e saj të përditshëm shumë të ndjekur në TV Klan, i cili fillimisht u quajt “Takimi i Pasdites”.

Pas një viti tërheqje nga ekrani, për arsye se lindjes së vajzës së saj Mia, prej shtatorit 2016 ajo është rikthyer me programin e saj të përditshëm, i cili filloi të mbajë emrin e saj, “RUDINA”. Moderatorja shumë e dashur nga publiku, Rudina Magjistari ka folur si rrallëherë për bashkëshortin e saj, Xhavit Bajrami. Çifti kanë më shumë se 10 vjet tashmë që janë bashkë dhe duket se kanë gjetur kiminë e duhur me njëri-tjetrin.

Gjatë një interviste me moderatorin Labinot Gashi, Rudina ka treguar se ata koordinohen me njëri-tjetrin dhe preferojnë që të kalojnë kohë së bashku në shtëpi, pavarësisht punëve të shumta.

Kërcet çmimi i drurit në 65-75 mijë m3 ,dimri në Korçë pritet të jetë i acartë…

Edhe pak muaj na ndajnë nga stina e dimrit dhe shqiptarët në qytete të ndryshme të vendit kanë nisur të bëjnë përgatitjet për stinën e ftohtë. Dimri në Korçë është tepër i ashpër, me borë, akull, ngrica dhe temperatura nën minus. Qytetarët korçarë kanë nisur të marrin masa që tani por gjatë dy javëve të fundit janë përballur me një rritje të frikshme të çmimit të druve. Çmimi i druve tani është dyfishuar nga sa ka qenë një vit më parë dhe qytetarët, kryesisht pensionistët nuk e përballojnë dot një rritje të tillë pasi për ngrohjen duhet të shpenzojë gati gjysmën e pensionit.

Jetesën jo pensionisti që e ka shumë të vështirë ta përballojë me këto çmime që është lënda drusore, por edhe një mesatar nuk i përballon dot, detyrohet të hyjë në borxh, të shkrijë atë pak dhjame që ka grumbulluar, kështu që e ka të vështirë sepse çmimi i druve ka shkuar shumë lart. Unë i kam marrë para 3 muajsh i kam marrë 50 mije lek te vjetra. Ka që i kanë marrë 60 edhe 70, pra është një tmerr, drurin tonë e marrim me çmim shumë të lartë, është e vështirë shumë.

Vitin e kaluar një metër dru kushtonte 35-40 mijë lekë të vjetra, ndërkohë këtë vit kushton 65-75 mijë lek të vjetra.

Kryetari i Partisë së Lirisë paralajmëron Ramën: “Do njohësh mirë Ilir Metën, punë javësh!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se do ta njohë Ilir Metën e vërtetë përmes ligjeve që ka firmosur vetë. Meta deklaroi në News 24 se personat në kërkim për çështjen e Inceneratorëve ndodhen në Austri nga ku tha se paguajnë edhe shkrime për të dëmtuar figurën e tij. “Do të dalë mbi SPAK mali i fakteve. Letrave, shkresave dhe vendimeve të paligjshme të një regjimi mafioz që mbështetet në falsifikime.

Kjo është një çështje e tyre. Unë kam qenë dhe jam këtu jo vetëm përballë drejtësisë së partisë por mbi të gjitha përballë popullit. Ato firmat fët e fët do e kalojnë katin më të lartë të SPAK shumë shpejt. Edhe në Zimbabve vepron më shpejt drejtësia. Në Austri paguhen shkrime për të shpifur për Ilir Metën. Ilir Meta ka qenë këtu që prej 22 marsit të vitit 92. Tani ka një detyrë të vështirë se duhet të punojë më shumë se në këto 30 vite.

Për këtë guxim të marrë që ata kanë marrë ndaj interesave publike, që i dinë punët e firmave një punë të mbaruar.Kjo do të jetë një çështje shumë e shpejtë. Punë javësh. Do e njohin mirë Ilir Metën. Se kanë njohur mirë në të kaluarën edhe për shkak të përgjegjësisë sime. Në 200 vjet nuk do guxojnë të prekin kushtetutën. Populli është gjykatës dhe prokuror suprem në këtë vend. Askush të mos bëjë më marrëzira të tilla për 200 vitet që vijnë. I harxhuam 10 vjet me këtë aventurier që na e infliltruan të tjerët për të përçarë vendin. Duke zbatuar vetëm ligjet e tij”, tha Meta.

Berisha: “Rama po sjell impiantet nga Bangladeshi në Portin e Vlorës,sjell ndotje sa 100 mijë automjete

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot në konferencën me gazetarët planin e qeverisë për të sjellë në Portin e Vlorës impiantet për prodhimin e energjisë nga Bangladeshi. Berisha u shpreh se këto impiante veprojnë si gjeneratorë duke shpenzuar shumë energji dhe ndosin ambientin duke qenë se sipas tij punojnë me naftë të rëndë të ndaluar për t’u përdorur. “Sot dua të sjell në vëmendjen e mediave dhe publikut një zhvillim anti ekonomik të rëndë. Një shpërdorim në fushën e energjisë.

Anija që po sjell impiantet për prodhimin e energjisë në Portin e Vlorës ka hyrë në kanalin e Suezit. 760 milion euro është e llogaritur nga specialistët më të mirë kostoja për dy vite që do punojnë këto impiante përfshirë këtu qiranë e tyre dhe naftën që shpenzojnë. Më poshtë keni të detajuar nga ekspertët koston e këtyre impianteve. Kostoja e tyre ditore është kjo: Për prodhimin e 1 mgv, këto impiante shpenzojnë 220 litra naftë. Prodhojnë 110 mgv në 24 orë. Ato shpenzojnë 580 800 litra naftë në ditë.

Në qoftë se i shumëzojmë jo me 2300 vetëm me 1900 lekë (jo çmimi real i naftës) harxhojnë në ditë mbi 900 mijë euro.


Kjo është vetëm nafta. Prodhimi ditor i energjisë është 2240 mgv. Por përveç kostos së naftës qiraja ditore është 91 117 euro. Në total është 1 049 779 euro. Në rast se llogarisni çmimin e mgv këto para shpenzohen për prodhimin e 2240 mgv. 1 mgv kushton 398 euro, pra rreth 400 euro. Po ta llogarisësh me çmimin e sotëm të naftës del një shifër më e lartë.

Çfarë po bën Edi Rama?

Për të dalë para shqiptarëve me këtë batardi po bën zbrazjen e rrufeshme të kaskadës së Drinit. Kaskada ulet me mbi 50 cm në ditë. Nga Suezi gjer në Vlorë, Kaskada është 274 metër në një kohë kur në rregulloren që përbën ligji, në datë 1 shtator nuk duhet të jetë kurrë nën 284 metër. Edi Rama për të justifikuar këtë krim të shëmtuar. Për t’i thënë shqiptarëve që nuk ka energji në bursë dhe në diga.

Impantet kanë funksionuar për 20 vite me radhë në Bangladesh.

Nga viti 2010 deri më sot ato kanë qenë pa funksion. Problemet e tyre që lidhen me ambientin janë të tmerrshme. Këto janë gjeneratorë gjigantë që funksionojnë me naftë të rëndë që ka në përbërjen e vet 50 mg për litër, squfur. E ndaluar për t’u përdorur. Dhe me këtë toksicitet ajo do krijojë një ndotje në Vlorë sikur të qarkullojnë 100 mijë automjete. Dhe këto të bëjnë nga 100 km rrugë në territorin e qytetit. Kjo është një çmenduri”, tha Berisha.

Mos na e mbyll at der’, o Toni Bler’!

Nga Edi Oga :

Britanikët duket se e kanë marrë seriozisht problemin e dyndjes ilegale të shqiptarëve në ishull. Ata po bëjnë çdo përpjeke për të dekurajuar mbipopullimin e mbretërisë me njerëz të cilët, sipas tyre, më së shumti merren me trafiqe dhe punë të rrezikshme. Me këtë rast, ata po na njohin. Po njohin pasardhësit e pellazgëve të cilët ndërmjet të tjerave gëzojnë këto edhe këtu virtyte:

Shqiptarët jetojnë sipas parimit ‘All or nothing’! Ata rrezikojnë ta humbasin jetën mbi gomone më mirë sesa të jetojnë gjithë jetën duke parë çfarë makine solli nga Anglia fqinji i tyre në fshat.

Shqiptarët punojnë derisa ‘të kapin veten’, pastaj duan të shohin të tjerët duke punuar për ta. Po të ishte për të punuar vetë gjithë jetën, punonin në vendin e tyre ata. Nuk kishte pse emigronin.

Shqiptarët duan të pasurohen të gjithë, shumë dhe shpejt. Hashashi është mundësi e shkëlqyer. Nëse ju o anglezë e tymosni kaq shumë, përse të mos e blini nga ne shqiptarët?!

Shqiptarët janë popull vital.

Nëse nuk do të ishit ju të ligj, do të na lejonit ta ndërtonim këtu jetën tonë. Por ju nuk na keni dashur kurrë. Ju na keni ndarë 100 vite më parë dhe na këshilloni keq sot. Po, edhe për Tony Blair po flas. Ish-kryeministrin tuaj. Ai që na mashtroi dhe na griu nga lekët. Edhe ai ka kontribuar që sot t’ju vijmë të paftuar në derë!

Mos na e mbyll at der’, o Toni Bler’!

Ti që ikën e braktis vendin s’je shqiptar, “Je kopil turku”

Nga Edison Ypi:

Ti që ikën…

Shqipëria është plot me shenjtëri manastiresh, magji’ kishash, legjenda shenjtorësh, shpella heremitësh. Ti që ikën dhe s’ke frikë se mallkimi i tyre do të ndjeki në fund të botës, s’je shqiptar. Je kopil turku. Nëpër katundet shqiptare ka njerëz të urtë që kanë zgjedhur të bëjnë jetët e tyre modeste në qetësi. Mbjellin, korrin, mbarsin gratë, rritin çiliminjtë, falen në Kishë, në Xhami. Ti që ikën dhe jetën e përkorë të shqiptarëve shembullorë e përbuz, me siguri je nip greku.

Nëpër krahinat tona jetojnë dijetarë të veçuar që të mahnisin duke ta rrëfyer historinë fijepërpe.

Jo si e tregojnë historianët burokratë, por si ka ardhur gojë më gojë nga lashtësia. Ti që ikën me të drejtë nuk beson se në Shqipëri ka dijetarë të heshtur. Sepse je lëngstërlëng serbi. Shqipëria ka peisazhe të magjishme që ja kanë ndezur shpirtin dhe trurin Bogdanit, Naimit, Nolit, Fishtës, Lasgushit, Kadaresë. Ti që ikën, atje ku vete, dridhesh e strukesh 24 orë me makthin e mbijetesës. Dhe nuk e di, e as kurrë nuk do ta dish, ku bie shpirti që merr zjarr, aq më pak cilët janë Ata që ndizen e digjen si qiriu.

Shqipëria ka Relieve danteske, dushknaja shekspiriane ku në muzg dalin magjistrica, zabele si ai ku bëri duel Pushkini, që kur i sheh të mbushen sytë me lotë. Por ti që ikën, nga Bukuria e lotëve dhe lotët e Bukurisë s’ke asnjë haber.

Ti që ikën me siguri ke dëgjuar, për shembull, për piramidën e Keopsit që ka këto e ato të fshehta gjeometrike, matematike, inxhinierike, mahnitëse që kanë lidhje me pozicionet dhe këndet ndaj Diellit, hënës, yjve, yllësive. Ti që ikën, ikën, mes tjerash, edhe sepse nuk e di se Kishën e katundit tënd, apo Manastirin diku aty rrotull, nuk e kanë bërë budallenjtë si ty që ikin, por inxhinierë, matematicienë, astronomë, piktorë, nga më të mëdhenjtë e botës përmes kalkulimesh mahnitëse gjeometrike, historike, artistike, edhe më të sofistikuara se piramidat e Egjiptit.

Ka ca vjet në fshatrat tona mbajnë dhi’.

Kopetë e dhive zënë rrugën duke kaluar tërthor. I them çobanit: Hej, mos u ngut, leri të ikin, me rregull, Ladies first. Kopeja e dhive e kuptojnë çfarë i them çobanit, dhe hap rrugën. Kopeja jote dhe e shokëve të tu që ikni drejt territ, s’keni tru as sa një dhi’.

Ka ca lugina dhe ca pllaja nëpër Shqipëri, ku aromën e mollëve, dardhave, kumbullave, rrushit, qershive, manaferrave, i nakatos era dhe bën parfumin më marramendës që se bën dot asnjë laborator, asnjë kimi, asnjë industri. Ti rrënjëshkuluri i pandjeshëm me shqisa të mangëta që ikën, nuk ke asnjë ide mbi atë parfum, ku ndodhen ato lugina e ato pllaja.


Të huajt që vinë prejnga ti ikën, shkallojnë nga trutë e kokës për ushqimet tona bio. Ti që ikën, s’bën asnjë dallim bio e stërbio. Ti që ikën do vetëm të ngopesh me produkte sa më të lira supermarketesh me mish si kashtë, kos si llastik, fruta të pjekura nëpër magazina.

Ti që ikën edhe pa pasur asnjë difekt karakterial apo ndonjë problem tjetër, vetëm pse ikën, atje ku do shkosh do jesh një qytetar i dorës së dytë, një puthador, një hyzmeqar, prej të cilit, disa vjet rrjesht, askush nuk do presi ndonjë gjë tjetër përveç larjes së pjatave dhe pastrimit të haleve. Ti që ikën, meqëse e konstaton shpejt sa e vështirë është të zësh rrënjë, nga inati, atje ku shkon, bën gjënë më të ligë mbi dhe’, shan Shqipërinë. Kësisoj je më i zi se serbi, më dinak se greku, më halldup se turku, je çun oficeri.

Ti që ikën dhe atje ku shkon, me kokën këndej, llap për politikë me gjuhën e Zërit të Popullit.

Domethënë je një klysh kurvi që duhet me ta zhyt kokën te kazani i vajit të valuar ku lan pjatat e zbrazura për hesap të dikujt që të shfrytëzon si qënie e ulët, si bastard.

Ti që ikën, dhe atje ku shkon bërtet e çirresh se nuk duhet të presim afganë, je një zemërgur dhe shpirtkatran që s’e ke shokun në dynja. Ti që ikën me idenë të kthehesh kur Shqipërinë ta kenë ndrequr ata që nuk ikin, je një lapsus i Natyrës, një skarcitet biologjik. Ti që ikën, dhe nga pasiguria se ku do shkosh e çfarë do bësh, ikjen e lidh me dërrdëllitje jopo kjo qeveri jopoajo qeveri, je thjesht dhe vetëm një ndyrësirë, një pisllëk i paevitueshëm, një ekskrement shoqëror.

Ti që ikën sot, në Diktaturë do ishe një spiun që do spiunoje ata që donin të iknin. Ti që ikën je një budalla që thua me vete: Iku Naimi, iku Noli, iku Kadarea, pse të mos iki dhe unë. Çka do të thotë se nuk ke ikur nga Puka, nga Mirdita, Përmeti, Shkodra, Myzeqeja etj. por ke ikur nga ment’ e kokës.

E rëndë/ Djali i merr jetën babait…

Një krim i rëndë në familje është raportuar mbrëmjen e sotme në Greshnicë të Mallakastrës. Në një zënkë me të atin në banesën ku jetonin, 37-vjeçari nuk arriti të përmbahej dhe e goditi 73-vjeçarin me një pllakë betoni në kokë. Si pasojë e dëmeve të marra Qemal Muhametaj ndërroi jetë. Neser bëhet përcjellja e tij për në banesën e fundit, ndërsa i biri është ndaluar nga policia . Rreth orës 21:30, në fshatin Greshicë, Mallakastër, shtetasi M. M., 30 vjeç (i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor), ka vrarë me sende të forta babain e tij, shtetasin Q. M., 73 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e 30-vjeçarit, i cili është larguar nga vendngjarja” – thuhet në njoftimin e policisë.

Ky është Marigleni që i mori jetën babait