I iku në mënyrë spektakolare Policisë gjatë aksionit perimetri, arrestohen 2 bashkëpunëtoret e tij…

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit “Perimetri 187”, goditën një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • G. L., 18 vjeçe, banuese në Maliq, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim;
  • K. L., 38 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë (me precedent të mëparshëm penal për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për vjedhje me dhunë), për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi K. Z., 23 vjeç, banues në Bilisht, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se një shtetas do të transportonte me një automjet tip “Rang Rover”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin rrugor Korçë-Maliq bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin K. Z., të cilit i bënë shenjë të ndalonte.

23-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre, por ka ndërruar drejtimin e lëvizjes dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Korçës. Në afërsi të kryqëzimit të fshatit Çiflig, Korçë, për shkak të shpejtësisë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur rrethues, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. Z., pasi ka vënë re se ishte akoma nën ndjekjen e Policisë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet nga vendngjarja. Në automjetin e braktisur u gjetën shtetasja G. L., e cila u arrestua nga Policia, si dhe 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua edhe shtetasi K. L., i cili është afruar në vendin e ngjarjes dhe është konfliktuar me punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së detyrës, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për t’u larguar dhe duke i kundërshtuar me dhunë ata. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. L. dhe shtetasi K. L. janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Po vijon puna për kapjen e shtetasit K. Z. dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Kosova në rrezik/ Stresi: Kam 20 mijë veta mbrapa,të sakrifikojmë jetët tona për të mbrojtur çdo pëllëmbë

Reperi i njohur, Stresi, ka reaguar pas tensioneve të krijuara mes forcave serbe dhe atyre kosovare në veri të Kosovës. Përmes një shkrimi në InstaStory, ai thotë se çdo njeri që e do Kosovën duhet të jetë në mbështetje të popullit të tyre. Ai ka thënë se do jetë i gatshëm, nëse situata tensionohet akoma dhe sipas tij ka edhe 20 mijë persona mbrapa ,ndersa bën thirrje që çdokush të sakrifikojë jetën për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.

Postimi i plotë i Stresit:

“Të dashur bashkombas kudo ku jeni në botë.

Kërcënimi serb po bëhet për popullin shqiptar të Kosovës. Çdo njeri që e do këtë komb duhet të jetë në mbështetje të vëllezërve tanë se jemi të një gjaku.

Unë në këto momente që po ju shkruaj jemi gati 20 mijë veta nga mosha 18 – 35 vjeç të sakrifikojmë jetën tonë për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.

Kosova në rrezik. Kombi në këmbë”.

Ndaluan për të parë defektin e makinës/ Çifti Shqiptar shtypet në sy të fëmijëve

Një aksident tragjik është shënuar ditën e sotme në rrugën për në Janinë, ku po udhëtonte një familje shqiptare. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ionia Odho”, kur burrë e grua dolën nga makina për të parë se çfarë defekti kishte mjeti me të cilin po udhëtonin. Në momentin që çifti doli nga makina një mjet tjetër përplasi makinën e tyre, duke përplasur në këtë mënyrë çiftin shqiptar.E gjithë ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit, të cilët ndodheshin brenda makinë. Për fat të mirë fëmijët 20 dhe 26 vjeç kanë marrë lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas informacioneve, çifti që humbi jetën janë me origjinë shqiptare po ktheheshin në Shqipëri për pushime.

Si ndodhi ngjarja?

Shoferi 58-vjeçar ka parkuar makinën në korsinë e Urgjencës dhe ka fikur motorin në kilometrin e 171, pak para traut të tarifës së Terovës. Më pas ai hapi derën dhe doli në këmbë për të hapur kapakun e makinës dhe për të parë se çfarë po ndodhte me makinën e tij. Edhe gruaja e tij e cila ishte ulur në sediljen e pasme të majtë, zbriti me të për ta ndihmuar.

Dy fëmijët e tyre, përkatësisht 26 dhe 20 vjeç, mbetën në pozicionet e tyre. Ndonëse makina blu ishte e parkuar në një zonë të sigurt, çifti ka gabuar duke qëndruar pas dyerve, të cilat dilnin nga korsia e emergjencës.

Kështu, shoferi i makinës tjetër është përplasur me dyert që shtriheshin përtej vijës së korsisë së emergjencës, duke tërhequr zvarrë çiftin fatkeq. 58-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa gruaja e tij 50-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë pak kohë më vonë, gjatë transportit për në spital.

Ikona e muzikës greke rikthehet në Shqipëri/ Më 4 gusht koncert në Dropull(Video)

Pas koncertit të mbajtur në Tiranë, ikona e muzikës greke, këngëtarja e famshme Glykeria do të rikthehet sërish në vendin tonë. Kësaj radhe koncerti do të mbahet në Dropull si një organizim i bashkisë. Vendi i përzgjedhur është te fusha sportive e fshatit Dervician ndërsa hyrja është e lirë pa qenë nevoja të blini një biletë.

Koncerti do të nisë në orën 20:00.

Tronditet ishulli Grek/ Shqiptari vret me thikë gruan pas sherrit në banesë

Komuniteti i Zakynthos mbetet i tronditur kur një burrë shqiptar 51-vjeçar vrau gruan e tij 41-vjeçare në shtëpinë e tyre në Tsilivi, Zakynthos. Autori i vrasjes mizore do të nxirret në prokurori mëngjesin e së martës. Ndërsa mediat greke raportojnë se shqiptari u ka thënë policëve që e kanë arrestuar se “e vrava se po më mashtronte” dhe tradhtonte. Autori pasi vrau gruan e tij u largua nga shtëpia, ndërsa policia nisi kërkimet për ta gjetur. Ai ishte fshehur në një ullishte aty pranë në zonën e Marathisë, në Keri, ndërsa është gjetur edhe thika e vrasjes.

Policia pasi vendosi ne pranga autorin ,ka marrë në mbrojtje fëmijët e familjes të cilët po trajtohen prej psikologëve. Ishin fqinjët qe dëgjuan britma dhe njoftuan policinë, ndërsa viktima u gjet e zhytur në një pellg gjaku në ballkonin e shtëpisë, me shumë shenja dhune dhe mavijosje në trup.

Çifti ka tre fëmijë, dy prej të cilëve të mitur. Viktima 41 vjeç e kishte denoncuar autorin dy herë më parë dhunë në familje, madje herën e dytë ai ishte liruar me urdhër të prokurorit, por me kusht të mos i afrohej viktimës më shumë se 100 metra.