Ishte data 4 shtator 2004/ Shqipëria gjunjëzonte Greqinë kampione të Europës

Ishte data 4 shtator 2004! 18 vite nga suksesi historik të Kombëtares kuqezi! Shqipëria do të startonte fushatën kualifikuese të Botërorit “Gjermani 2006” ku në stadiumin e tejmbushur “Qemal Stafa” do të priste Greqinë, përfaqësuesen e sapo shpallur kampione të Europës në “EURO 2004” në Portugali, duke mposhtur pikërisht këta të fundit.


Kuqezinjtë tanë atë natë korrën një sukses të paharruar, ku gjunjëzuan që në ndeshjen e parë Greqinë, që pasi mori petkun e kampiones së Europës.

Shqipëria e drejtuar asokohe nga Hans Peter Brigel triumfoi me rezultatin 2-1 me golat e Muratit në minutën e tretë dhe me një eurogol të Aliajt nga goditja e dënimit. Goli i helenëve me Janakopulosin vetëm sa ngushtoi diferencat.

Menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë, shqiptarët ishin në dëlir dhe të papëmbajtshëm teksa festimet e tyre i çuan përtej stadiumit, duke mbushur rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Në Shqipëri kjo ndeshje nuk pati incidente, por në vendin grek një shtetas shqiptar me emrin Gramoz Palushi gjeti vdekjen e menjëhershme në ishullin Zakinthos teksa u sulmua nga një greko-amerikan me një thikë.

Kjo ngjarje ndodhi përshkak se tifozi shqiptar po festonte fitoren historike të Kombëtares kuqezi ndaj Greqisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.