Shehi: “Nëse protesta përdoret për treguar se kush e ka “çetën” më të madhe gabojmë”

I ftuar në “Radari Informativ” në Abc, të gazetares Juli Xhokaxhi, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka folur për aksionet opozitare që pritet të nisin, ku i pari pritet javën e ardhshme tek inceneratori i Tiranës. Shehi tha se protesta duhet përdorur si një qëllim për të përmirësuar gjendjen, dhe jo si pikë për të treguar se kush e ka më të madhe “çetën” apo se kush do të dominojë politikën. Ai theksoi se opozita duhet të jetë e qartë në qëndrimet e saj lidhur me këto çështje.

“Këtu ka dëshirë për tu bërë protesta, dhe njerëzit janë të gatshëm për të bërë protesta. Shpeshherë niveli i protestave nuk varet nga tema që ke dalë për të protestuar, varet nga akumulimi që është krijuar.

Kështu që protesta dhe revolucione të lajmëruar me datë dhe me orë është çikë e zorshme. Por dalja në protestë është një gjë e mirë. Por edhe këtu është tema e protestës, që do dalim për të luftuar korrupsionin, apo për të treguar se sa e madhe është çeta ime, unë kam frikë se njëherë për njëherë na mund Rama me çetën e tij. Nëse e përdorim protestën për të treguar se fjalimin e mbaj, unë besoj se e zhvlerësojmë protestën. Unë kam shkuar tek të gjitha protestat do të shkoj prapë, për sa kohë ka tema të qëndrueshme politike”, u shpreh Shehi.


Advertisement

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.