Arrestohet 47-vjeçari/ Hapi lokal pa nipt dhe kasë fiskale në Korçë….

Policia e Korçës e ka nisur mbarë me goditjen e krimit të organizuar. Në kuadër të luftës së ashpër që ka shpallur qeveria kundër informalitetit, është arrestuar një qytetar i Korçës .47-vjeçari me inicialet A.A është vënë në pranga pasi hapi lokal në Korçë pa NIPT dhe kasë fiskale.

Njoftimi i Policisë :

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra dhe informalitetit, kanë goditur një rast të këtyre veprimtarive të paligjshme.

Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë ushtruar kontroll në lokalin në përdorim nga ky shtetas, në lagjen nr. 6, Korçë, ku kanë konstatuar se 47-vjeçari ushtronte aktivitetin në këtë lokal, pa dokumentacionin përkatës dhe pa kasën fiskale.

Gjithashtu, në një nga ambientet e lokalit u gjetën produkte kozmetike, me mbishkrime në gjuhën greke, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: