Zgjedhjet në Itali/ Qendra e djathtë siguron fitore bindëse me 43.2% të votave

Duket se Italia në 4 vitet e ardhshëm do të qeveriset nga qendra e djathtë. Projeksioni i tretë i përpunuar nga Konsorciumi Opinio Italia për Rai shpall sërish fitues për senatin koalicionin e qendrës së djathtë me 43.2% të votave. Qendra e majtë raportohet të ketë siguruar 26.5% të votave. Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d’Italia duket se do të jetë kryeministrja e parë femër e vendit duke udhëhequr atë që konsiderohet se do të jetë qeveria më e anuar drejt ekstremit të djathtë nga koha e Benito Musolinit. Përpara simpatizantëve të saj që festonin mes brohorimash, Meloni u zotua të bashkojë njerëzit, e të punojë njësoj për të gjithë italianët.

Giorga Meloni tha:

Nga ajo çfarë pamë prej rezultateve paraprake, italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në favor të qeverisë së qendrës së djathtë të drejtuar nga Fratelli d`Italia. Nëse na besohet udhëheqja e këtij vendi, ne do ta bëjmë për të gjithë italianët. Do ta bëjmë këtë gjë me qëllimin të bashkojmë njerëzit, të forcojmë atë që na bashkon në vend të asaj që na përcan.

Më shumë se 50 milionë italianë votuan të djelën për parlamentin e ri. Që në sondazhet para zgjedhore aleanca e djathtë dilte kryesuese, ndërsa exit pollet konfirmojnë se Fratelli d’Italia ka mundur të marrë më shumë vota se Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit së bashku. Partia e Melonit numëron 26% të votave, Lega 9% dhe Forza Italia 8%; koalicioni i tyre mbërrin kështu 44% të votave.


Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.