Shqiptarët braktisin Greqinë për punët sezonale/ Pronarët rrisin pagesat për të afruar krahun e punës…

Sipas statistikave të fundit të Ministrisë greke për Emigracionin dhe Azilin numri i emigranëtve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Greqi vijon të ulet. Të dhënat zyrtare të publikuara nga qeveria greke për shtatorin e këtij viti tregojnë se në Greqi ndodhen 291 mijë e 868 emigrantë shqiptarë me leje të vlefshme qëndrimi, të cilët përbëjnë rreth 61.4 për qind të të huajve të ligjshëm.

Të dhënat e shtatorit të këtij viti mbi numrin e shqiptarëve me leje qëndrimi tregojnë një numër dukshëm më të ulët krahasuar me shtatorin e një viti më parë, kur 425 mijë e 740 shtetas të Shqipërisë ndodheshin në Greqi me leje qëndrimi të vlefshme, të cilët përbënin rreth 63 për qind të të huajve në këtë vend. Në muajin gusht të këtij viti 291 mijë e 868 shtetas shqiptarë ishin me leje të vlefshme qëndrimi në Greqi.

Të dhënat e Ministrisë greke të Emigracionit përditësohen vazhdimisht dhe ndonëse emigrantët nga Shqipëria përbëjnë pjesën dërrmuese të të huajve të pajisur me leje qëndrimi, numri i tyre është në rënie të vazhdueshme.

Kjo lidhet jo vetëm me procesin e lëshimit të lejeve të qëndrimit që përkojnë me kërkesat e bëra nga emigrantët shqiptarë gjatë viteve 2020-2021, por edhe me prirjen e shumë familjeve shqiptare për të emigruar nga Greqia drejt vendeve të tjera evropiane.

Ulja e numrit të emigrantëve shqiptarë ndikon edhe në përfshirjen e tyre në punët sezonale në Greqi, sidomos në bujqësi. Tregu grek aktualisht ka nevojë për fuqi punëtore për vjeljen e ullirit dhe agrumeve dhe shoqatat e fermerëve në disa zona, kryesisht në kufi me Shqipërinë, kanë nxitur tërheqjen e punëtorëve sezonalë nga Shqipëria.

Shoqatat greke kanë synuar krijimin e kushteve të akomodimit për punëtorët sezonalë si dhe rritjen e pagesave për një ditë pune për të joshur fuqinë punëtore nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Në disa zona, nga shoqatat greke të fermerëve është vendosur që punëtorët të paguhen 45-50 dollarë në ditë, nga 40 dollarë sa ishte pagesa ditore për vitin e kaluar për vjeljen e ullinjve.

Ndërkohë, Ministria e Emigracionit dhe Azilit në Greqi zgjati deri më 31 mars të vitit 2023 afatin e aplikimit nga fermerët grek për punëtorë sezonalë të vendeve të treta, i cili kishte përfunduar më 30 shtator të vitit 2022.

Sipas legjislacionit grek, proocedura e ndjekur për hyrjen në Greqi të shtetasve të vendeve të treta për pune sezonale parashikon që periudha e përgjithshme vjetore e qendrimit nuk mund të jetë më pak se dy muaj dhe më e madhe se 6 muaj.

Oferta e tregut grek për punëtorë sezonalë nga Shqipëria pritet të sjell vështirësi në vjeljen e ullinjve dhe agrumeve në disa nga zonat kufitare shqiptare, ku po ndihet mungesa e punëtoreve.

Largimi i të rinjve në emigrim dhe joshja e fuqisë punëtore nga tregu grek është sfiduese, veçanërisht për Qarkun e Vlorës dhe Fierit, ku ka nisur vjelja e agrumeve dhe ullirit./VOA

Rama thirrje të rinjve: “Punoni online, rroga më e lartë se imja dhe se e kryetarit të Bashkisë

Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme është ndalur në qytetin e Burrelit në një takim me të rinjtë. Rama ka folur me ta për mundësitë e punësimit online, duke u dhënë shembuj të rinjve se shumë bashkëmoshatar të tyre e bëjnë këtë punë dhe paguhen shumë mirë. Sipas Ramës nëse arrin të japësh shërbime online për kompani të ndryshme jashtë vendit mund të sigurohen pagesa më të larta se e vetë kryeministrit apo kryetarit të bashkisë. Ai u shpreh se ka gati 16 milion vende të lira pune në tregun e shërbimeve online në kompani të ndryshme në mbar botën.

“Për të marrë paga shumë herë më të larta se kryetarit të Bashkisë apo kryeministrit. Ndodh sot edhe në Shqipëri. Kemi djem dhe vajza, që janë të punësuar në tregun global online, dhe marrin paga shumë të mira. Janë por janë pak. Ne kemi të gjithë programin për këtë punë, për të stimuluar edukimi, për të hyrë në këto kurse

“Mund të punësoheni kudo, nuk keni nevojë të ikni nga shtëpia. Mjafton një kompjuter dhe një lidhje interneti. Jeni në tregun online global. E krijon teknologjia këtë mundësi.” u shpreh kryeministri.

Megaoperacioni antidrogë/ Këta janë 23 të arrestuarit për shpërndarje droge në Korçë (Foto)

Një Megaoperacion antidrogë është finalizuar nga Policia e Korçës, ku ka çuar në pranga 23 persona. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Gjovalin Loka, tha se në operacionin Knock Down 2, janë lëshuar 32 urdhër arreste nga gjykata, janë arrestuar 23 persona dhe 9 te shpallur ne kërkim. Në të dy fazat e operacionit janë sekuestruar: 700 gramë kokainë e ndarë në doza, 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza, 100 gramë heroinë e ndarë në doza, një sasi metadoni dhe prekusori, 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator, 38 automjete, 30 aparate celular dhe 50 milionë lekë.

Tak-tak / Momenti kur policia u troket në derë trafikantëve në Korçë, u gjen “Kokainë, armë e para(Video)

Janë publikuar pamjet nga megaoperacioni i policisë në Korçës, ku u shkatërrua një grup kriminal i prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin juglindor të vendit nga ku ku u bë i mundur arrestimi i 23 personave dhe shpallja në kërkim e 9 të tjerëve, të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ndersa Rreli Nazifi (Aurel Telhai), është kreu i grupit kriminal të shpërndarjes dhe shitjes së drogës në Korçë, i arrestuar nga ky operacion.

Operacion i madh antidrogë në Korçë/ 23 të arrestuar, 9 të tjerë shpallen në kërkim…

Një grup i strukturuar kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjeve të drogës është shkatërruar nga policia e Korçës, ndërsa në pranga kanë rënë 23 persona dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim. Arrestimi i tyre vjen në kuadër të fazës së dytë të operacionit ‘Knock Down’ për goditjen e grupeve kriminale të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Mësohet se Rreli Nazifi (Aurel Telhai), është kreu i grupit kriminal të shpërndarjes dhe shitjes së drogës në Korçë, që u arrestua nga policia e Korçës .

Konkretisht janë arrestuar: R. M., 31 vjeç; E.Ç., 33 vjeç; M. T., 30 vjeç; P. K., 32 vjeç; K.N 22 vjeç., L. S., 32 vjeç; J. Xh., 26 vjeç; D. G., 35 vjeç; M. S., 24 vjeç; E. R., 44 vjeç; A. T., 45 vjeç; B. M; 18 vjeç; R. A 18 vjeç; L. S., 18 vjeç; E. H., 21 vjeç; A. B., 19 vjeç; K. S., 21 vjeç; I. P., 28 vjeç; D. Z., 36 vjeç; D. S., 22 vjeç; R.T., 37 vjeç; V. H., 28 vjeç, banues në Korçë dhe A. O., 35 vjeç, banues në Pogradec. Janë shpallur në kërkim 9 shtetas dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet ka rezultuar se personat e mësipërm, vepronin në formën e grupeve të strukturuara kriminale, të cilët siguronin nga rrethet Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan droga të forta, kokainë e heroinë, si dhe cannabis dhe i shpërndanin në qytetin e Korçës.

Në një konferencë për shtyp, kreu i policisë së Korçës tha se në të dy fazat e operacionit janë sekuestruar: 700 gramë kokainë e ndarë në doza, 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza, 100 gramë heroinë e ndarë në doza, një sasi metadoni dhe prekusori, 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator, 38 automjete, 30 aparate celular dhe 50 milionë lekë.

Aksident i frikshëm në Librazhd-Prenjas/ Traileri del nga rruga dhe bllokon qarkullimin (Foto)

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Librazhd-Përrenjas. Mësohet se një trajler i tonazhit të rëndë me targa të Maqedonisë së Veriut është përmbysur në vendin e quajtur kthesat e Dragastunjës. Për pasojë janë shkatërruar dhe barrierat mbrojtëse të urës. Shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë shpejtësia. Në vendin e ngjarjes shkoi policia që normalizoi trafikun dhe kreu veprimet proceduriale.

Spartak Ngjela: “Alibeaj, Gjekmarkaj, bashkë me disa intelektualë, e mundin Ramën për katër muaj!

Spartak Ngjela deklaron se PD nuk ka asnjë shans të fitojë zgjedhjet lokale. Ai thotë se Edi Rama rrëzohet për katër muaj, nëse Alibeaj dhe Gjekmarkaj, thërrasin intelektualë nëpër botë dhe marrin PD-në. Gjatë një interviste për Top News, avokati theksoi se PD është një parti e përçarë, ndërsa PS është një parti e fuqishme. Emrat që janë artikuluar deri tani për bashkinë e Tiranës, ku duket që janë dhe fokusi i PD, mund t’ia dalin përballë z. Veliaj?

Nuk ia dalin dot.

Përse? Nuk janë kandidatë me potencial politik?

Është parti e fuqishme, kot që ta zgjasim muhabetin. Kjo është e përçarë, prandaj. PD është e përçarë, janë dy PD. Një është ligjore, një është fantazmë. Gjithsesi është çarje e brendshme. Do të dalin me dy kandidatura, ky prandaj e ka marrë Metën që të dalë me Metën. Kurse Alibeaj do të dalë me të vetët. Si do të fitojnë?!Ma tregoni si do të fitojnë?! Janë të përçarë.

Nëqoftëse tërhiqet Saliu, në funksion të përmirësimit të partisë së tij, dhe të bashkohet PD-ja dhe Alibeaj dhe Gjekmarkaj t’i drejtohen të djathtës shqiptare që është në perëndim…Ju nuk e dini se sa intelektualë të nivelit të lartë ka Shqipëria sot në perëndim.

Bota akademike është shumë e fuqishme, janë nëpër universitete profesorë, janë avokatë, janë filozofë, nëpër katedra. Nëqoftëse ky tërhiqet dhe Alibeaj i thërret ata që të formojë një fluks politik të nivelit të lartë, akademik, që e njohin politikën si shkencë jo si pasion për të ardhur në pushtet, atëherë katër muaj zgjat pushteti i Ram

Kurse kështu siç janë nuk bie kurrë PS dhe PS ju e dini, jua kam thënë dhe është e provuar. Rama do Saliun.

Pse. E di që krijon vakum djathtas në vota. Po ata nuk duan këtë gjendje. Jua thashë pse ta zgjasim? Nuk e kanë me zgjedhjet. E kanë me rrezikun që ju vjen nga Uashingtoni. E kalojnë dot? Unë them Jo. Kaq, kjo mbaron si pyetje.

E rëndë/ Babë e bir goditen me leva dhe çekiçë ,djali 35-vjeçar niset me helikopter drejt Traumës

Babë e bir kanë mbetur të plagosur rëndë pas një sherri sot pasdite në qytetin e Përmetit. Mësohet se shtetasit K.N. dhe J.N. sulmuan me leva dhe me çekiçë, për arsye ende të paqarta babë e bir, shtetasit Kosta dhe Kontandin Xhallo …Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Përmetit shumë pranë komisariatit të policisë. Babë e bir u dërguan fillimisht në Spitalin e Gjirokastrës. Më pas, 35-vjeçari Konstandin Xhallo është nisur me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit.

Çmenduri në Korçë/ Hajdutët vjedhin nëpër kisha dhe xhami, arrestohen 2 persona dhe…

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të rasteve të vjedhjes në objektet e kultit, në qarkun e Korçës, kanë bërë të mundur zbardhjen e katër prej ketyre rasteve, si dhe identifikimin e autorëve të dyshuar të tyre. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, i shtetasve L. G., 52 vjeç dhe O. T., 40 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, për shtetasin K. F., 42 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit L. G. dhe O. T., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.10.2022, kanë vjedhur në fshatrat Malavec dhe Drenovë, Korçë, në dy objekte kulti (xhami dhe kishë), një shumë lekësh dhe një foni zëri, të cilën më pas ia kanë shitur shtetasit K. F.

Gjithashu, më datë 23.10.2022, në lagjen nr. 2, Korçë, kanë vjedhur një shumë lekësh dhe një ikonë, në një kishë, ndësa më datë 16.03.2022, në xhaminë e fshatit Malavec, Korçë, kanë vjedhur foninë e zërit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Kishin mbushur Opelin me 9 emigrantë/ Arrestohen në Korçë 2 të rrinjtë(Video)

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 19 vjeç dhe i shtetases M. P., 19 vjeçe, banues në Kamzë, Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 16, Korçë, automjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin K. P. dhe pasagjere shtetasen M. P., për të cilët, në bazë të informacioneve të siguruara, dyshohej se transportonin emigrantë të paligjshëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 2 të arrestuarit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit .

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Lear Kurti dhe saga fundore e një vuajtjeje pa kthim”: “Mos e paç kurrë fatin e jetimit shqiptar…. (Foto)

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Jetimëve Shqiptare, Ilir Çumani ka sjellë në vëmendje vdekjen e Leat Kurtit. Çumani tregon jetën e vështirë të 32-vjeçarit, i rritur pa baba, dhe të nënës së tij. Po kush ishte i riu Lear Kurti që tashmë ka zënë vend aq bujshëm në faqet e para të kronikave të zeza në mediat dhe portalet shqiptare dhe atyre të huaja…!?

Metaforikisht, në pamje të parë, ai ishte një i ri 32 vjeçar krej i zakonshëm, vërsnik me moshën adulte të “demokracisë” 32 vjeçare të një Shqipërie të lodhur, të rraskapitur prej një tranzicioni të gjatë e të mundimshëm, të dhimbshëm e të pashpresë, të molepsur nga shumë fenomene e plagë sociale, shkaktuar prej krimit dhe drogës, korrupsionit administrativ dhe shtetëror…

Leari jetoi jetën e tij të shkurtër në një Shqipëri e cila, për fat të keq, nuk e njohu kurrë si qytetarin e saj, nuk i dha kurrë një mundësi të vetme për tu ndjerë me shanse të barabarta mes bashkëmoshatarësh, ngase gjithmonë, së bashku me nënën e tij e ndjente veten të përjashtuar nga e gjithë jeta sociale, ekonomike e shoqërore e vendit.


Në fakt, Lear Kurti nuk ishte një fëmijë krej i zakonshëm. Prej vuajtjeve dhe vështirësive të jetës, nga një fëmijë pa fëmijëri, ai u rrit shpejt dhe u bë burrë para kohe.

Përmes zgjuarsisë që e kishte të lindur, ambicieve dhe veçorive të tij dalluese u bë një i ri i mirëshkolluar, i aftësuar për jetën, për të ardhmen. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe kishte pasion heroglifet dhe disa profesione që i kishte për zemër. Ishte një i ri me shumë imagjinatë, me pasione e dëshira për jetën, por mjerisht edhe me ëndrra të vrara, të parealizuara kurrë, ngase jetoi në një Shqipëri që nuk i dha asnjëherë të vetme mundësinë që të jetonte një fëmijëri normale, si çdo fëmijë normal dhe i pafajshëm i kësaj bote.

Ai ishte bir i vetëm, i rritur me shumë vuajtje e mundime, me halle e sakrifica të mëdha, herë i ngrënë dhe herë i pangrënë, pa baba që në lindje….

U rrit mes dhimbjesh e lotësh nga një nënë e vetme, e rritur edhe ajo jetime në Shtëpinë e Fëmijës që nuk e njohu kurrë familjen e saj, pa e ditur kurrë se cilët ishin ata që e sollën në jetë. Lindi me një emër mjaft të bukur e shpresëplotë, por që jeta nuk e përkëdheli Fatmirën në fatin e saj tragjik…Ah moj Fatmira, ti, shoqja ime e fëmijërisë, ti, vajza rëngëmadhe e qeshur dhe çapkëne që e shpërfille sa e sa herë fatin tënd prej jetimeje, me atë humorin e shpenguar dhe optimizmin tënd brilant…..


Sot, e kam të vështirë të shkruaj në këto radhë eulogjinë për Birin tënd të vetëm… Laeri ishte e vetmja arsye që të jepte një copëz buzëqeshje dhe të motivonte ekzistencën tënde në këtë jetë.

Ti, që mbaje gjallë krenarinë dhe dinjitetin tënd në çdo situatë të vështirë që të solli kjo jetë rrenacake, sot, nuk mundesh të bësh qoftë edhe një grimasë që të shprehësh dhimbjen proverbiale, më të madhen dhimbje legjitime që e ndjejnë vetëm nënat në të njëjtën rrethanë në të cilën ndodhesh…

Nuk mundesh as të belbëzosh qoftë edhe një gjysmë fjale mes ofshamave dhe piskamave të dhimbjes që e mban të kapluar të gjithë qenien tënde, sepse edhe shkëlqimi i bukur i syve të është venitur duke u shuar dalëngadalë…

E, tek dëgjon të flitet për kalvarin e mundimeve dhe sagën fundore të dhimbjes së kësaj gruaje të fortë, kupton se vuajtja e dinjitetshme e Fatmirës vjen si një leksion morali për të gjithë ne, indiferentët kronikë që shohim çdo ditë para syve tanë dramën njerëzore kolektive, pasqyra ku e gjithë shoqëria mund të shohë veten e saj….

Kishe të drejtë Fatmira kur shpeshherë dëgjoja të përsëritje me gojën tënde thënien e moçme: “…Jetimi s’ka fat…!!!”.

Ndërsa unë, sot do të shtoja:

“Mos e paç kurrë fatin e jetimit shqiptar…!”, shkruan Ilir Çumani